PD në Pogradec: Po kërcënohen jetët e anëtarëve tanë

Shqipëria

PD në Pogradec: Po kërcënohen jetët e anëtarëve tanë

Më: 29 maj 2015 Në ora: 11:48

Partia Demokratike në Pogradec ka denoncuar sot kërcënimet që sipas saj po i bëhen anëtarëve të kësaj force politike. PD gjithashtu ka denoncuar edhe përdorimin e ambienteve të administratës për qëllime elektorale të kandidates së ASHE-së për Bashkinë e Pogradecit, Diana Mile.

Sipas degës së PD-së në këtë qytet anëtari i seksionit të Fshatit Lin, Denis Turka është kanosur me jetë përmes një telefonate anonime. Për këtë rast është bërë kallëzim edhe në Prokurori.

“Partia Demokratike ka konstatuar shkelje, kërcënime, presione dhe dëmtime të funksionit elektoral ndaj Partisë Demokratike, ndaj anëtarëve dhe simpatizantëve të saj por edhe ndaj qytetarëve të thjeshtë të Pogradecit. Anëtari i seksionit të Fshatit Lin Z. Denis Turka, është kërcënuar me telefonatë anonim për kërcënim jete për veten e tij por edhe ndaj familjes së tij! Për këtë është bërë kallëzim në Prokurori”, thuhet në deklaratën për media të PD-së.

Më tej ky subjekt bën të ditur se kandidates së LSI-së, i është vënë në dispozicion zyrë elektorale pranë Prefekturës, madje i është vendosur edhe një reklamë.

“Kandidates së LSI-së, Diana Miles i është vënë në dispozicion zyrë elektorale, pritjeje pranë zyrave të N/Prefekturës, në Godinën e Administratës Publike. Po nga këto zyra, kandidates së LSI-së, Diana Mile i është vendosur një reklamë, gjithashtu kjo në ballkonet e N/Prefektit, po në Godinën e Administratës Publike, në të cilën transmetohet me tekst: VOTONI DIANA MILE, ARKITEKTEN E BASHKISË SË POGRADECIT etj! Komuna Buçimas ka prodhuar dhe shpërndarë një Flet – Palosje me logon e Komunës duke promovuar Kandidaten e LSI-së Diana Mile dhe duke kërkuar votën për të! Në këtë Flet – Palosje shprehet qartë se çfarë kjo Komunë pretendon se ka realizuar, çfarë synon të realizojë në të ardhmen dhe pse kërkon të votohet Diana Mile si Kandidate nga LSI! Ndërkohë që e dimë që Komuna Buçimas është nën administrimin e LSI-së, synon të nxjerrë fituese Diana Milen si kandidate e LSI-së, ndërkohë, që nuk mundet të mbajë premtimet si Komunë sepse administrativisht nuk do të ekzistojë më!”, deklaron PD, Pogradec.

Sipas saj, kandidatja e LSI-së Diana Mile ka realizuar takime në Ambiente të Administratës Publike si Shëndetësi dhe në Arsim, e udhëhequr nga drejtuesit e këtyre institucioneve dhe duke prezantuar veten si kandidate e LSI-së përballë punonjësve të këtyre institucioneve.

“Kandidates së LSI-së i janë vënë në dispozicion makinat e institucioneve të Administratës Publike për të lëvizur në interes të fushatës së saj elektorale. Kandidatja ka nxjerrë me urdhër të drejtuesve të arsimit, nxënës nga shkolla Enver Qeraxhi për të shpalosur premtimet e LSI-së. Kemi konstatime nga qytetarë të nderuar të Pogradecit, të cilët janë kërcënuar për veten e tyre por edhe për të afërmit e tyre familjarë, për përjashtime nga puna vetëm sepse gjenden në fotografi me Kandidatin e Partisë Demokratike Eduart Kapri në vizitat e tij me publikun, këto të realizuar në mbrëmje.

Kemi konstatime se iu është ushtruar presion disa qytetarëve në qytet edhe në zonat rurale, duke ju kërkuar Kartën e Identitetit si garanci për të mos votuar, duke i shtrënguar në mos pagesë rrogash, asistenca por edhe me heqjen për kempet ndaj kujdesit shëndetësor”, thuhet më tek në deklaratë.

Partia Demokratike Pogradec gjithashtu denoncon faktin se nuk janë lejuar të vendosen flamujt me siglën e këtij subjekti.

“Me preteksin e Kodit Zgjedhor nuk janë lejuar vendosjet e flamujve të siglës së PD-së në Komunat e Starovës dhe të Udënishtit, të vendosura në po të njëjtat vende dhe në po të njëjtat kushte siç janë tashmë të vendosur flamujt e LSI-së dhe të PS-së! Flamujt e PD-së janë shkulur, janë hequr dhe janë hedhur harbutërisht nëpër oborret e shtëpive të simpatizantëve të PD-së! Preteksti qesharak është se duhet kërkesë për vendosjen e tyre, duke e mos barazuar që PD-ja duhet të bëjë kërkesë ndaj pushtetit PS-LSI dhe këta duhet ti bëjnë kërkesë vetvetes. Kjo është krejt e pa drejtë dhe ky pushtet i kalbur po e vendos fushatën në kushte krejt të pa barabarta. Aprovimi i vendeve për promocione elektorale ka dalë në datën 21.05.2015, pikërisht në datën zyrtare të fillimit të fushatës, ndërkohë që partitë në pushtet PS + LSI kanë paracaktuar dhe vendosur paraprakisht banerat, posterat dhe flamujt e tyre nëpër territoret përkatëse. Shkresa zyrtare e Bashkisë Pogradec Nr. 23, dt 21.05.2015 ka marrë vendim të përcaktojë vendet por që nuk ka përcaktuar asgjë saktësisht, thuhet rrugë, vende publike, vende private etj, por aspak konkretisht se ku”, sqaron deklarata.

Më tej ajo deklaron se kërkesës së PD-së për vendosjen e një tende promocionale elektorale dhe provizore, Bashkia Pogradec i ka kthyer përgjigje negative duke e konsideruar “tendën promocionale” në të presupozuar “zyrë elektorale”.

“Ndërkohë që më poshtë shprehet se njësia vendore, pra Bashkia cakton vendet për afishime të materialeve propogandistike elektorale! Tendë promocionale, Zyrë Elektorale dhe Afishime të materialeve propagandistike janë krejtësisht 3 gjëra të ndryshme dhe për këtë nuk ka arsye që të ngatërrohen. Për sa më sipër Partia Demokratike ju bën thirrje të gjithë qytetarëve të denoncojnë çdo rast të konstatuar nga ne. Partia Demokratike do të dënojë ligjërisht çdo shkelje, kërcënim, konstatim apo dhunim të së drejtës së ushtrimit të fushatës korrekte elektorale! Partia Demokratike respekton parimin e VOTËS së lirë dhe garën e ndershme për ta fituar”, përfundon deklarata e PD-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat