Ja pse dështoi padia e Edi Ramës ndaj Palokës

Shqipëria

Ja pse dështoi padia e Edi Ramës ndaj Palokës

Më: 29 maj 2015 Në ora: 11:26

Gjyqi mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetit demokrat, Edi Paloka, u prit me interes nga media, për shkak se vetë kryeministri u investua personalisht në këtë çështje.

Në fillim të këtij viti, nënkryetari i PD do deklaronte në Kuvend se Rama është i lidhur me krimin.

Më konkretisht, kryeministri akuzohej për lidhje me bandën e Emiliano Shullazit.

Menjëherë pas deklaratës së tij, kryeministri theksoi se do bëjë një padi ndaj tij.

“I kallëzuari dhe i padituri Edi Paloka, duhet të japë prova për çka ka thënë sot dhe qoftë edhe përballë një prove të vetme, Kryeministri Edi Rama është i gatshëm të lërë detyrën. Në të kundërt Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, një shpifës profesionist i nivelit më të ulët edhe në llogoren e politikës së vjetër të baltës, duhet të përgjigjet përpara ligjit. Kjo histori e shëmtuar marrjeje zvarrë e opinionit publik nëpër labirinthin e baltës së shpifjeve e fyerjeve, me moton “Shpif e shpif se diçka do mbetet!”, nuk mund të vazhdojë më tutje pa ballafaqimet e nevojshme përballë organeve të drejtësisë”, thuhej në një deklaratë të Kryeministrisë.

Edi Rama ishte vetë në Gjykatën e Lartë, duke ngritur zërin për nevojën që shpifja të marrë fund njëherë e mirë.

Megjithatë të premten, Prokuroria ka kërkuar që të pushohet kjo çështje.

Organi i akuzës ka kërkuar pafajësi për Palokën, duke theksuar se fakti i pretenduar nga Rama nuk parashikohet si vepër penale.

Në fakt kryeministri kishte kërkuar një dënim penal për deputetin.

Por avokatët e Palokës edhe në seancën e fundit kishin theksuar se deklarimet e Palokes janë bere ne cilësinë e nënkryetarit te PD-se dhe nuk është akuzuar Edi Rama si person, por kryeministri. Kjo gjë nuk është e dënueshme në Kodin Penal, saktësoi avokati Ivi Kaso.

Gjatë këtyre seancave, Paloka ka kërkuar që Edi Rama t’i nënshtrohet testit të drogës, ndërsa ka theksuar se duhet të dëgjohen edhe bisedat telefonike të Ramës.

Vendimi pritet të merret nga Kolegji Penal brenda pak ditësh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat