Kokëdhima: Lejet e legalizimit në Sarandë do të zhbllokohen

Shqipëria

Kokëdhima: Lejet e legalizimit në Sarandë do të zhbllokohen

Më: 29 maj 2015 Në ora: 10:48

Saranda do të ketë një drejtori të veçantë të Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave e Ndërtimeve Informale (ALUIZNI), duke bërë të mundur zhbllokimin e lejeve të legalizimit. Deputeti socialist i qarkut të Vlorës, Koço Kokëdhima, nëpërmjet një komenti në rrjetet sociale, u shpreh se, “qeveria, në vendimin e saj të kësaj jave, e shndërroi zyrën e ALUIZNI-t në Drejtori”.

“Vetëm në më pak se një vit, që ALUIZNI ka qenë me status Drejtorie, në Sarandë janë shpërndarë 890 leje legalizimi. Në 7 vite të shkuara, që ALUIZNI këtu ka qenë një Zyrë në vartësi të Drejtorisë së ALUIZNI-t në Vlorë, janë shpërndarë vetëm 60 leje legalizimi, ndërsa në 18 muajt e fundit, vetëm 1 leje legalizimi”, u shpreh deputeti Kokëdhima.

Ai vlerësoi vendimin e fundit të qeverisë, si një mundësi për zhbllokimin e dhënies së lejeve të legalizimit. “Me këtë ndryshim të fundit dhe me ndryshime të tjera në strukturë dhe staf, pritet që lejet e legalizimit të zhbllokohen edhe në Sarandë dhe rrethinat e saj”, shkruan deputeti Koço Kokëdhima në postimin e tij.

Këshilli i Ministrave miratoi këtë të mërkurë një ndryshim në vendimin mbi funksionimin dhe organizimin e ALUIZNI-t. “ALUIZNI ka Drejtorinë e Përgjithshme në Tiranë dhe drejtori varësie në çdo qendër qarku. Përjashtimisht, ALUIZNI ka në Fier dy drejtori, në Vlorë dy drejtori dhe në Tiranë pesë drejtori varësie”, shkruhet në vendimin e qeverisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat