Vëllai i Fufit konfirmohet kandidat i PD-së për Kurbinin

Shqipëria

Vëllai i Fufit konfirmohet kandidat i PD-së për Kurbinin

Më: 29 maj 2015 Në ora: 10:22

Kolegji Zgjedhor vendosi dje që kandidatit Ilir Pjetraj, vëllait të deputetit Mhill Fufi, t’i jepet mundësia të kandidojë në zgjedhjet lokale për Partinë Demokratike në Kurbin. Vendimi u dha pak ditë pasi KQZ-ja e shpalli të pavlefshëm regjistrimin e kandidatit të PDsë në Kurbin, Ilir Pjetraj. Kolegji Zgjedhor ka pranuar kërkesën e PDsë, duke shfuqizuar këtë vendim. Përfaqësuesit ligjorë të PDsë në KQZ ankimuan vendimin në Kolegjin Zgjedhor dhe tashmë konfirmohet se në Laç do të ketë dy kandidatë, nga dy forcat kryesore. Me këtë vendim Kolegji Zgjedhor detyron KQZ- në të regjistrojë Ilir Pjetrajn si kandidat të Aleancës Popullore për Punë dhe Dinjitet për bashkinë e Kurbinit. Trupi gjykues i Kolegjit Zgjedhor mori vendim, pas shqyrtimit të kërkesës ankimore të PD-së për vendimin e marrë nga KQZ për mosregjistrimin e Pjetrajt, me arsyetimin se regjistrimi i tij kishte tejkaluar afatet e parashikuara nga Kodi Zgjedhor, për regjistrimin e kandidatëve për kryetar bashkie për zgjedhjet e 21 qershorit.

Vendimi

Por Kolegji Zgjedhor i drejtuar nga relatori Ilir Toska dhe anëtarët Valbon Çekrezi, Petrit Ceno, Gjenovefa Gaba dhe Kliton Spahiu, vendosi që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ta shohë në themel këtë çështje, duke i përcaktuar edhe afatin deri më 30 maj, për të përcaktuar edhe kandidatin e djathtë. Sipas këtij vendimi, tashmë Partia Demokratike do të mund të propozojë një kandidat tjetër, pavarësisht nëse ai do jetë Ilir Pjetraj, apo ndonjë person tjetër. Në këtë mënyrë, Kolegji Zgjedhor detyron KQZ-në të bëjë regjistrimin e Ilir Pjetraj brenda afateve të përcaktuar. Ngjarja Në mbledhjen e 20 Majit, KQZ ç’regjistroi kandidatin e PD-së për Kurbinit me kërkesë të PS-së me pretendimin se ishte regjistruar nga ZAZ e kësaj njësie jashtë afatit ligjor. Kandidati demokrat në Kurbin, Ilir Pjetraj, vëllai i deputetit të kësaj force politike Mhill Fufi, u regjistrua si kandidat në datën 13 maj, pas dorëheqjes së një tjetër kandidati të Partisë Demokratike më 9 maj, ndërsa afati i fundit ligjor ishte data 4 maj. Ndërkohë gjatë ditës së djeshme përfaqësuesit e PD-së në Kolegj, Ivi Kaso dhe Oerd Bylykbashi, thanë se vendimi i KQZ-së për kandidatin e PD-së në Kurbin është i pabazuar në ligj.

“Nëse PD-ja mbetet pa përfaqësues në Kurbin, shkelet parimi i zgjedhjes”, tha Kaso, duke shtuar se përmes vendimit, KQZ nuk ka respektuar normat kushtetuese. Ndërsa, sipas Bylykbashit, PS-ja ka pasur si motiv heqjen nga gara të kundërshtarit. Po ashtu para se të jepet vendimi i Kolegjit Zgjedhor, përfaqësuesit e dy forcave politike kanë debatuar në lidhje me vendimin që morri KQZ-ja disa ditë më parë. Përfaqësuesi i PD-së në KQZ, Njazi Kosovrasti, vendimin e KQZ-së e cilësoi të paligjshëm. Në anën tjetër, përfaqësuesi ligjor i PS-së në KQZ, Genci Gjoncaj, insistonte në ligjshmërinë e vendimit të KQZ-së. Në fund të takimit, Gjonçaj shtroi dhe një çështje tjetër në diskutim, atë të përgatitjes së zgjedhjeve, të cilat, sipas tij, KQZ-ja duhet të vazhdojë të punojë me ritëm.

Shtimi i votuesve, Kosovrasti: Ngjarja e rëndë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shqyrtuar raportin e auditit teknicien, Armand Teliti “Mbi verifikimin e veprimeve në bazën e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, maj 2015”. Vetë Teliti ka deklaruar se nga verifikimet ka një shtim jo natyral të zgjedhësve në Kavajë me rreth 600 zgjedhës. Pas paraqitjes së raportit, përfaqësuesi ligjor i PDsë në KQZ, Njazi Kosovrasti e ka quajtur këtë rast shumë të rëndë, duke e akuzuar kreun e bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi se ka shkelur ligjin për lëvizjen e qytetarëve. Kosovrasi tha se ai ka nënshkruar kontrata hua përdorje për ambiente dhe jo për banesa, duke kërkuar nga KQZ të hetojë këtë çështje.

“Është rasti i dytë që na ndodh të ndeshemi në KQZ pas atij të Durrësit. Në aspektin formal të asaj sesi kreu i bashkisë ka manipuluar procesin, ky i Kavajës nuk ka dashur t’ia dijë për asgjë. Ky nuk ka respektuar asnjë akt. Në këtë kuptim, ngjarja që ka ndodhur në bashkinë e Kavajës është shumë e rëndë. Shtimi i 195 familjeve që ka sjellë 590 zgjedhës. Kryetari i bashkisë ka dhënë kontrata hua për përdorje për ambientin, jo banesën. Kjo situatë e frikshme. Si mund të mënyrë kaq flagrante, një punonjës i shtetit të marrë përsipër gjëra të tilla”, deklaroi Kosovrasti.Nga ana tjetër, përfaqësuesi ligjor i PSsë në KQZ, Genci Gjonçaj mbështeti hetimin e kësaj çështjeje duke thënë shprehimisht se bashkon zërin me Kosovrastin por tha se numri për të cilin flitet është realisht i vogël në krahasim me numrin total të votuesve, rreth 1%.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat