Sot, 46 mijë maturantë japin provimin e gjuhës dhe letërsisë, ja gabimet që ju skualifikojnë

Shqipëria

Sot, 46 mijë maturantë japin provimin e gjuhës dhe letërsisë, ja gabimet që ju skualifikojnë

Më: 29 maj 2015 Në ora: 08:02

Sot 46 mijë maturantë në mbarë vendin do t’i nënshtrohen provimit të detyruar të Maturës Shtetërore, provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë. Provimi fillon në orën 10:00 dhe do zgjas 2 orë e 30 minuta. Testi përbëhet nga 25 pyetje dhe në total ka 50 pikë, maturanti duhet të marrë minimalisht 20% të pikëve, në të kundërt nuk konsiderohet kalues. Ditën e provimit, maturantët duhet të kenë kartën origjinale të identitetit dhe nuk duhet të kenë celularë me vete, pasi në të kundërt përjashtohen automatikisht.

Përsa u përket rregullave të tjera, rregullorja e Maturës Shtetërore përcakton se kandidatët e kanë detyrim që në ditën që do zhvillohen provimet e maturës, të paraqiten në mjedisit e provimit 1 orë e 30 minuta përpara fillimit të provimit.

Në këtë kohë kryhet identifikimi i tyre, hyrja në mjediset e provimit, sistemimi i tyre nëpër vende si dhe leximi i rregullave për zhvillimin e provimit. Hyrja, shpërndarja dhe sistemimi i çdo kandidati nëpër salla bëhet duke ndjekur rigorozisht rendin zbritës të listës emërore të dërguar nga Agjencia Kombëtare e Provimeve. Vendi i përcaktuar për kandidatët që mungojnë mbetet bosh si dhe ndalohet ndërrimi i vendeve. Testi mund të plotësohet vetëm me stilolaps me ngjyrë të zezë ose blu, për çdo ngjyrë tjetër ka penalizime.

Çdo kandidat duhet të ndjekë me rigorozitet detyrimet që ai ka, pasi në të kundërt rrezikon të përjashtohet nga provimi. Po ashtu, kandidatit nuk i njihet rezultati i provimit nëse përdor laps, heq ose dëmton kodin e sekretimit, dëmton testin apo në rast se vërtetohet kopja, e pjesshme ose e plotë gjatë procesit të vlerësimit dhe konfirmohet nga KOPOTED.

“Penalizime do të ketë edhe për ata persona të cilët blejnë një kopje të testit ose përpiqen të marrin informacione nga persona të tjerë mbi përmbajtjen e testit”, theksojnë specialist të Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Përdorimi i celularëve apo mjeteve të tjera të komunikimit gjatë 150 minutave të provimit i ndëshkon maturantët deri në përjashtimin e tyre nga provimet e maturës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat