Kastriot Myftaraj: Ja detajet që i lidhin bashkë Vuçiçin me Ballist Morinën

Shqipëria

Kastriot Myftaraj: Ja detajet që i lidhin bashkë Vuçiçin me Ballist Morinën

Më: 29 maj 2015 Në ora: 07:35

Kryeministri serb Vuçiç, në 27 maj, në Tiranë, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun shqiptar Rama, tha se dronin në stadiumin e Beogradit gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri e dërgoi një shtetas i Shqipërisë i quajtur Ismail, për të cilin tha se nuk ia dinte mbiemrin. Nuk ka dyshim se Vuçiç e njeh edhe mbiemrin e këtij Ismailit dhe kjo kuptohet nga informatat e llojit policor që Vuçiç dha në Tiranë për hyrjen e këtij personi në Serbi. Në të vërtetë, media serbe, gazetat dhe televizionet, i kanë dhën këto informata të zgjeruara që në ditët e para pas ngjarjes, duke përmendur emrin e plotë të personit, Ismail Morinaj, moshën e tij, vendkalimin tokësor kufitar prej nga ku ai ka hyrë në Serbi nga Kroacia, kohën kur ka hyrë etj. Emri “Ismail Morinaj” është përmendur mijëra herë në gazetat, televizionet dhe portalet serbe. Këtë emër e dinë miliona serbë. A thua mund të besohet se këtë emër nuk e di Kryeministri i Serbisë, pikërisht ai i cili që prej 14 tetorit dhe deri sot ka folur shumë herë për ngjarjen me dronin, duke e quajtur provokim shtetëror shqiptar? Vuçiç nuk donte që ta thoshte të plotë identitetin e drejtuesit të dronit, se si shtetar që është e di që kjo ka implikime juridike, pra mund t’ i thonë se përse nuk ka urdhër arrestimi për Morinajn.

Sjellja e Vuçiç në Tiranë është qartësisht në pajtim me qëndrimin shtetëror serb për ngjarjen e tetorit të kaluar në stadiumin e Beogradit. Serbisë i duhej një shqiptar që ta merrte përsipër dërgimin e dronit në stadium, ashtu që që Serbia të mund të fajësonte Shqipërinë për ngjarjen. Por Serbisë nuk i interesonte që këtë person ta arrestonte dhe ta nxirrte në gjyq se atëherë duhej të tregohej sesi ky person mundi ta bënte këtë gjë në rrethanat e masave të sigurisë të asaj ditë në Beograd, në stadium dhe në zonën përreth tij. Prandaj, Serbia, nga njëra anë e quan ngjarjen një akt terrorist, për çka i ka dërguar një notë proteste zyrtare Shqipërisë, në anën tjetër nuk ka lëshuar një urdhër arrestimi, aq më pak ndërkombëtar për Ismail Morinajn. Për këtë arsye, Kryeministri serb Vuçiç e denoncoi dhe e mbrojti njëkohësisht Ismail (Ballist) Morinajn në Tiranë, duke i përmendur emrin, por jo mbiemrin.

Ismail Morinaj nga ana e tij, që në fillim, fshehu emrin e vet (“Ismail”), duke përdorur nofkën “Ballist” dhe publikoi vetëm mbiemrin e vet: “Morina”. Në fakt, në Regjistrin e Gjendjes Civile mbiemri i tij është “Morinaj”. Edhe Morinaj e bëri këtë gjë në pajtim me qëndrimin e tij për dronin. Ai nuk e ka marrë përsipër publikisht, me thënie të drejtpërdrejta, autorësinë e ngritjes së dronit në Beograd. Ai ka bërë vetëm aludime, kumte me nënkuptime në rrjetet sociale, të cilët nesër mund t’ i interpretojë ndryshe, duke thënë se ato nuk kanë kuptimin që është ai autori i ngritjes së dronit në Beograd. Por thëniet e Morinajt janë të mjaftueshme që ai të bëhet “hero” dhe ai vetë e pranuar dhe e ka shijuar këtë status të ri shoqëror të tij, duke bërë fotografi gjithandej, me mijëra persona, me bannerin e dronit. Nuk mund të mohohet se Kryeministri serb Vuçiç dhe Ismail (Ballist) Morinaj janë në bashkëpunim perfekt: Vuçiç i fsheh mbiemrin, Morinaj fsheh emrin.

Morinaj nuk mund të dalë dhe të pohojë publikisht se është ai autori i dërgimit të dronit në stadiumin e Beogradit, jo se i trembet arrestimit me urdhër të Prokurorisë së Beogradit, por se i trembet shpjegimit që duhet të bëjë për mënyrën se si mundi ta kryejë aktin në rrethanat e masave të sigurisë. Se Morinaj e ka të pamundur të vërtetojë se e ka bërë aktin e pretenduar prej tij, pa bashkëpunim me sherbimet e fshehta serbe.
Vuçiç në Tiranë bëri edhe një deklarim ogurzi, duke thënë se droni i dërguar në stadiumin e Beogradit kishte edhe qëllime të tjera, për të cilat nuk foli. Nga kjo kuptohet se shërbimet e fshehta serbe kanë një agjendë të fshehtë për përdorimin e flamurit të zi të dronit në operacione të tjera në të ardhmen, në dëm të shqiptarëve. Në të vërtetë flamuri i zi i dronit ka një të ardhme të madhe përpara, dhe historia e tij vetëm sa ka nisur tetorin e kaluar. Një histori kjo me shumë episode tragjike në të ardhmen, për shqiptarët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat