Vuçiç për RTS-në: Apel investitorëve serbë të vizitojnë Shqipërinë

Shqipëria

Vuçiç për RTS-në: Apel investitorëve serbë të vizitojnë Shqipërinë

Më: 28 maj 2015 Në ora: 20:42

Në një mjedis mikpritës dhe të sigurt, kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dha sot përshtypjet e tij të para për Tiranën, nga sheshi “Skënderbej” i kryeqytetit shqiptar.

“Në sytë kureshtarë të qytetarëve të Tiranës dhe vigjilencën e forcave të sigurisë, Vuçiç u intervistua qetësisht nga televizioni shtetëror serb, RTS”, komenton KosovaPress.

Ai shprehu bindjen, se vizita e tij në Shqipëri dhe takimi me zyrtarët e lartë të këtij vendi, ishin një hap pozitiv drejt të ardhmes së dy popujve.

“Vizita ime në Tiranë dhe takimet me krerët e lartë shtetëror shqiptarë besoj se janë hapa pozitiv për të ardhmen e dy popujve dhe vendeve. Dallimet në bisedime janë të dukshme por indicja për prosperitet është guximi i dy palëve për ta nisur këtë proces”, deklaroi ai.

I vetëdijshëm për të kaluarën problematike të popujve, Vuçiç tha për transmetuesin shtetëror serb nga Tirana, se vendet kanë fokus të përbashkët në të ardhmen.

“Shumë herë kemi luftuar, e luftërat sjellin probleme të tjera. Por unë mendoj se e rëndësishme është që ne shohim drejt së ardhmes bashkë. Të dyja vendet kanë synim t’i bashkohen familjes europiane dhe natyrisht jemi pro marrëdhënieve reciprokisht të mira dhe të qëndrueshme”, theksoi Vuçiç.

Kryeministri serb nuk nguroi, që përmes RTS-së, t’u bëjë thirrje investitorëve e biznesmenëve serbë, ta vizitojnë Shqipërinë, por njëkohësisht apeloi palën shqiptare për investime në territorin serb.

“Vëllimi i këmbimeve tregtare që sot kapin vlerën e 109 milionë eurove, mund të shkojnë deri në 500 milionë në dhjetë vitet e ardhshme. Ndaj iu bëj thirrje investitorëve të të dyja palëve, t’i shohin si territore për investim serbët, Shqipërinë dhe anasjelltas”, deklaroi Vuçiç.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat