Patozi: Larg duart e pista të pushtetit nga zgjedhjet‏

Shqipëria

Patozi: Larg duart e pista të pushtetit nga zgjedhjet‏

Më: 28 maj 2015 Në ora: 17:57

Deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Patozi i ka bërë thirrje mazhorancës që të mbajnë duart larg nga zgjedhjet e 21 qershorit. Duke u nisur nga shenjat paraprake, Patozi thotë se situata do të vijë duke u përkeqësuar. Gjithashtu ai akuzoi Ilir Metën se po ushtron presion tek qytetarwt e Vorës për të fituar me çdo kusht kandidati i së majtës. “Shikoj re të zeza në perspektiven e tyre dhe kam bindjen se gjithçka do të vijë duke u përkeqësuar, sepse të tilla janë shenjat. Po ju sjell disa shembuj për këtë, vetëm pak kilometra larg Tiranës, në bashkinë e Vorës.

Natyrisht, unë e di se Vora nuk është qendra e botës dhe se atje garohet për një njësi administrative relativisht të vogël, në raport me bashki të tjera të vendit që janë shumë më të mëdha. Por është aq flagrante dhuna dhe presioni i pushtetit, saqë ia vlen të ndalesh për ta paraqitur si model, ose më mirë të themi, për shëmbëlltyrën e shëmtuar të këtyre zgjedhjeve. Por këtë radhë, si asnjëherë tjetër atje mbizotëron një atmosferë lufte! Ka një ankth dhe tension të pazakontë në çdo fshat. Si ka mundësi? Sepse njerëzit janë po ata. Bandat e krimit nga Vora dhe Tirana, i kanë nxjerrë sheshit armët dhe i mbajnë lokaleve mbi tavolina.

Çfarë i bën bashkë dhe çfarë i trimëron, si policët me uniformë, ashtu edhe kontingjentet e krimit, që i kane harruar “hesapet e vjetra”, por janë të gjithë për një qëllim në Vorë? Përgjigja është – kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i cili është në qendër të gjithë asaj që po ndodh. “tha Patozi. Nga foltorja ai paralajmëroi çdo oficer dhe punonjës policie ne Vorë, Tiranë dhe kudo tjetër që të qëndrojnë larg procesit zgjedhor dhe të zbatojnë ligjet e këtij vendi dhe Kodin Zgjedhor, dhe jo urdhrat politikë, qofshin këto edhe të Kryetarit të Parlamentit. “Edi Rama nuk mund të fshihet nesër, as gjoja pas kapërcimeve dhe fantazisë krijuese të LSI dhe as pas ekzagjerimeve të ndonjë kandidati që mund t’i dalë “jashtë kontrollit”.

Do të jetë bashkautor dhe bashkëpërgjegjës me çdo drejtues politik, kandidat apo nëpunës shteti që do të cenojë lirinë e zgjedhjeve më 21 qershor. Aq më pak nuk mund të fshihet pas gjoja zellit të veçantë të Ilir Metës, edhe sikur vetë të vendosë të qëndrojë jashtë skemës së deformimit të zgjedhjeve, ndërkohë që po bie erë të keqe gjithandej. Askush nuk e mban mend se kush ishte kryetar parlamenti, madje edhe ministrin e Brendshëm e kanë harruar se kush ishte më 2001, por të gjithë e kujtojnë si kryeministër të zgjedhjeve të dajakut dhe të mbushjes së kutive, Ilir Metën. Edi Rama, do të jesh ti përgjegjësi i vetëm, ndaj mbaji larg duart e pista të pushtetit nga zgjedhjet”, paralajmëroi ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat