Gjykata e Apelit jep urdhër: Të ndërpriten punimet tek diga e Liqenit

Shqipëria

Gjykata e Apelit jep urdhër: Të ndërpriten punimet tek diga e Liqenit

Më: 28 maj 2015 Në ora: 17:50

Gjykata e Apelit ka rrëzuar padinë e firmës “Gener 2”, e cila po ndërton kompleksin e pallateve poshtë digës së Liqenit, duke lënë në vendin e Gjykatës së Shkallës së Parë që urdhëroi ndërprerjen e punëve.

Vendimi është marrë mesditën e sotme nga grupi i gjyqtarëve Alkelina Gazidedja, Lindita Sanaj dhe Artur Malaj, të cilët vendosën t’i japin të drejtë Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe rrëzimin e padisë kompanisë.

Kjo do të thotë që “Gener 2” duhet të ndërpresë punimet dhe të largojë prej zonës ekskavatorët dhe makinat e tjera të rënda.

Ndërkohë që zhvillohej procesi gjyqësor firma vijonte punën madje me ritme të përshpejtuara, edhe pse kjo është në kundërshtim me ligjin.

Pikërisht kundër këtij blloku ndërtesash janë organizuar një sërë protestash të shoqërisë civile, e cila ka kërkuar që ndalojë ndërtimi tek kodrat dhe zona përreth Liqenit.

Veliaj mbështet pezullimin e punimeve

Pas vendimit të Gjykatës së Apelit për pezullimin e ndërtimeve në digën e Liqenit, ka reaguar kandidatit i koalicionit të majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka shprehur mbështetjen për Inspektoratin Ndërtimor Urbanistik Kombëtar. Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, kandidati Veliaj premtoi se në krye të Bashkisë së re të Tiranës do të jetë palë me INUK edhe për lejet e fundit ndërtimore të dhëna nga kryebashkiaku aktual, Lulzim Basha.

“Lajm i mirë: Me vepra, jo me fjalë fushate! Gjykata e Apelit sapo vendosi në favor të INUK për Pallatin tek Diga e Liqenit - NDËRTIMI PEZULLOHET! Faleminderit të gjithë qytetareve që besuan dhe mbështeten aksionin tonë për të ruajtur Parkun e Liqenit. Patëm kurajon ta denonconim konkretisht e t'i shkonim gjer në fund, kjo është fitorja jonë e parë kundër modelit të SHQUP-it në Bashki. Në 21 Qershor kemi verdiktin nga qytetaret se kë model duan për ta çuar Tiranen në ‎Drejtim e Duhur!”, shkruan në faqen e tij kandidatit i koalicionit të majtë. Ai theksoi se “nën administrimin e ri, Bashkia e Tiranës do jetë palë me INUK dhe qytetarët dhe jo me betonin, si për këtë leje tek diga ashtu dhe 60 lejet që SHQUP-i dha pabesisht në prag fushate e që do shohin të njëjtën betejë për anulim”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat