Kuvend-Diskutohet pr/ligji për “investimet strategjike”

Shqipëria

Kuvend-Diskutohet pr/ligji për “investimet strategjike”

Më: 28 maj 2015 Në ora: 13:49

Kuvendi po vijon rendin e ditës së seancës së sotme me diskutimin e projektligjit “Për investimet strategjike”. Projekti i ri i qeverisë synon përshpejtimin dhe zgjerimin e gamës së investimeve vendase ose të huaja në Shqipëri. Sipas propozimit të Keshillit te Ministrave ‘strategjike’ do të cilësohen investimet në sektorët kryesorë të ekonomisë, që kapin vlerën nga 1 milion deri në 100 milion euro, në varësi të sektorit ku investohet. Projektligji përcakton gjithashtu, krijimin e Fondit të Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike, që do të vihen në dispozicion të projekteve.

Pr/ligji, nxirren ne shfrytezim tre zona te lira ekonomike

Me heret, parlamenti mori ne shqyrtim disa ndryshime në ligjin “Për krijimin dhe funksionimin e zonave ekonomike”. Nisma e qeverisë parashikon nxjerrjen për shfrytëzim të tre zonave të lira ekonomike ndaj sipërmarrjes private, që ndodhen në Durrës, Koplik dhe Vlorë. Projektligji percakton qe tenderi tper kete qellim të zhvillohet brenda dy muajve, ndërsa kompania fituese për ndërtimin e tyre do të shpallet gjatë muajit tetor.

Zonat e lira ekonomike parashikojnë lehtësira fiskale për të gjithë investitorët që do të bëhen pjesë, mes të cilave përgjysmim të takës së tatim-fitimit për pesë vitet e para nga fillimi i veprimtarisë së tyre në zonë.

Beqaj:Skema e recetave false të barnave të rimbursueshme po hetohet nga prokuroria

Seanca e plenare e Kuvendit nisi me interpelancën e ministrit te Shëndetësisë, Ilir Beqaj, e kërkuar nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, lidhur me ‘informacionet zyrtare të vjedhjes së 1.5 miliardë lekëve përmes, recetave fallco të ilaçeve të rimbursueshme”.

Në përgjigjen e tij ministri Beqaj tha se skema e recetave false të barnave të rimbursueshme është identifikuar e bllokuar dhe po hetohet nga prokuroria. “Janë konfiskuar barnat jo cilësore dhe kufizuar hapësirat për abuzuesit”, që ministri i cilësoi si financues të PD-së.

“Sot, falë legjislacionit të ri, barnat janë në treg me çmim më të ulët. Krahasuar me 2013-n të njëjtat barna u kushtojnë shqiptarëve 70 milionë lekë më pak. Kjo vuri në punë makinën tuaj të baltosjes. Nuk ka patur abuzime me barnat, sepse ne po rikthejmë ligjin aty ku sundonin financuesit tuaj. Ju sulmuat Agjensinë e Barnave sepse aty nuk sundonin më financuesit tuaj, por ligji”, iu drejtua ministri i Shëndetësisë, deputetëve të opozitës.

Beqaj tha se ka urdhëruar shqyrtimin për 304 barna dhe dokumentacioneve voluminoze, për 87 të tjera iu është kërkuar kompanive të plotësojnë dokumentacionin, ndërsa 30 barna janë çregjistruar. Ministri shtoi se sot nuk ka më kërkesa për rregjistrim barnash jashtë afatit ligjor.
Gjatë interpelancës së sotme në parlament, Beqaj renditi disa ndryshime themelore, që sipas tij, bëjnë dallimin midis qeverisjes së majtë dhe asaj të djathtë në fushën e mjekësisë.

Rendi i ditës i seances se sotme parashikon dhe diskutimin e disa ndryshimeve në ligjin “Për sistemin arsimor parauniversitar”, si dhe ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet qeverisë shqiptare dhe asaj zvicerane për financimin e projektit per “Ngritjen e kapaciteteve për zhvillimet në përmasa të mëdha të infrastrukturës së gazit në Shqipëri II”.

Gjithashtu, Kuvendi voton sot dhe dekretin e Presidentit të Republikës, që emëron Blendi Klosin në postin e ministrit të Mirëqënies Sociale dhe Rinisë. Z. Klosi zëvendëson në këtë post Erjon Veliaj, i cili u dorëhoq pas kandidimit të tij për kryetar të bashkisë Tiranë, në zgjedhjet e 21 qershorit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat