Gjukanoviç: Ballkani Perëndimor duhet të vijojë në rrugën e integrimit euro-atlantik

Shqipëria

Gjukanoviç: Ballkani Perëndimor duhet të vijojë në rrugën e integrimit euro-atlantik

Më: 28 maj 2015 Në ora: 10:01

(E plotesuar) - Kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, u shpreh në fjalën tij gjatë Forumit Ekonomik të Vjenës ne Tirane se, “duhet të përfitojmë nga rasti për të folur për aspekte të ndryshme. Nuk ka asnjë dyshim që Ballkani Perëndimor duhet të vijojë në rrugën që ka nisur drejt integrimit në strukturat euro-atlantike”.

“Duke thënë këtë përpiqem të trajtoj dilemat që kanë ekzistuar dhe ekzistojnë dhe kanë të bëjnë me lidhjen që vjen nga procesi i zgjerimit. Duhet që rajoni të jetë në stabilitet të plotë dhe të përdorë në mënyrë të plotë potencialin ekonomik. Hapi tjetër duhet të jetë integrimi i plotë i Ballkanit Perëndimor”, tha Gjukanoviç.

Sipas tij, duhet ecur në hapat e duhur për t’u bërë pjesë e strukturave euro-atlanike. “Jemi shqetësuar me ngjarjet që kanë ndodhur në Maqedoni, por edhe pa këtë kemi situata që janë mbartuar që nga koha e ish-Jugosllavisë. Edhe situata mes Kosovës dhe Serbisë, e cila falë kurajos së drejtuesve të dy vendeve, është arritur që të vijojë dialogu mes dy vendeve. Duhet krijuar një atmosferë më e mirë, më konstruktive edhe në Bosnje pas zgjehjeve të fundit, duke e kthyer atë në një vend integral. Duhet përpjekje e vendeve të tjera për t’i ardhur në ndihmë Maqedonisë për të zgjidhur problemet e saj. Pa zgjidhur këto probleme që kërkojnë ndërhyrjen e aktorëve më të rëndësishëm evropianë, ne do të vijojmë të jemi vulnerabël në këtë rajon”, tha kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç.

Në këtë forum marrin pjesë kryeministrat e vendeve që lagen nga deti Adriatik dhe Deti i Zi, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Kosova, Bosnja- Hercegovina e Maqedonia.

Kryeministrat diskutojnë e ndajnë me qytetarët e rajonit opinionet e tyre për zhvillimin ekonomik dhe për zhvillimin rajonal. Në forum do të diskutohen projekte me rëndësi të veçantë përsa i përket lidhjes infrastrukturore mes vendeve të rajonit.

Ndër projektet infrastrukturore me prioritet është ndërtimi i një hekurudhe moderne që do të lidhë Tiranën me Shkodrën e më pas Malin e Zi, përfundimin e autrostradës Shqipëri – Kosovë – Serbi si edhe ndërtimin e autostradës Trans-Ballkanike që do të lidhë vendet e rajonit me Austrinë dhe Gjermaninë.

Forumi Rajonal Ekonomik i Vjenës zhvillohet në kuadër të përmbylljes së kryesimit nga Shqipëria të presidencës së SEECP-së. Forumi Ekonomik i Vjenës është themeluar në vitin 2004 si një platformë për promovimin e bashkëpunimit ekonomik mes vendeve të Adriatikut dhe Detit të Zi. Në forum do të jenë kryeministrat e Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi, Kosovës, Bosnjë- Hercegovinës e Maqedonisë.

Forumi Ekonomik i Vjenës, Rama: Integrimi, shans unik për të ardhmen

“Europa Juglindore sapo ka lënë pas një vit të parë që prej fillimit të shekullit të 20-të me asnjë konflikt në rajon dhe me aspiratën e popujve tanë për integrimin europian, që shihet si një shans unik”, u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në Forumin Ekonomik të Vjenës që po mbahet sot në Tiranë.

“Integrimi shihet si një shans unik për të ardhmen. Kjo tregon se nuk kemi kohë të kthejmë kokën prapa, por duhet të shohim drejt së ardhmes për t’iu përgjigjur sfidave të përbashkëta. Ne nuk mund të ecim të vetëm, por duhet të ecim së bashku, sepse askush nuk është i pacënueshëm. Ne duhet të inkurajojmë vetëdijen e asaj çfarë jemi, çfarë mund të ofrojmë dhe çfarë mund të përfitojmë. Bashkëpunimi për sfidat ekonomike dhe politike është thelbësor, kur synimi ynë i përbashkët është Evropa”, ka thënë Rama.

Ai ka vlerësuar se, realizimi i projekteve rajonale do të afrojë popujt tanë dhe e ka cilësuar Samitin e Vjenës një mundësi për të çuar përpara angazhimet e marra së bashku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat