PD- Kosova: Ulje taksash e shtim të fondit të garancisë për vende të reja pune në Tiranë

Shqipëria

PD- Kosova: Ulje taksash e shtim të fondit të garancisë për vende të reja pune në Tiranë

Më: 28 maj 2015 Në ora: 09:12

Kandidati për kryebashkiak në Tiranë, Halim Kosova, u takua me banorë të njësisë 2 në Tiranë, në zonën pranë Qytetit Studenti, ku ndau me ta disa prej prioriteteve të tij. Kosova tha se në këto zgjedhje, qytetarët do të vlerësojnë personin tek i cili besojnë.

“Për veten time, sondazhin më të mirë kam sytë e atyre që më rrethojnë. Në qoftë se sytë e atyre që me rrethojnë flasin kështu siç flisni ju, nuk ka sondazh që e zbeh përqindjen dhe sigurinë e fitores së 21 qershorit. Kjo nuk ka diskutim. Qytetarët votojnë qeverinë ose votojnë në rastin tonë kryebashkiakun për t’i zgjidhur problemet e tyre. Nuk e votojnë as qeverinë, as kryebashkiakun për të krijuar më shumë probleme. Pra kur vjen momenti i votës, çdokush do ta hedhë votën atje ku beson. Aty ku beson jo për atë që zgjidhet, por aty ku beson për veten e tij, për familjen e tij, për lagjen e tij, për qytetin e tij. Kështu që ky është rasti që në 21 qershor, të gjithë të hidhni votën, aty ku ju besoni, aty ku keni njerëzit me provë dhe që me modesti po e them që ai jam unë”, tha Kosova.

Kosova tha se do të stimulojë biznesin e madh në Tiranë, duke i ulur taksat e pronës, në mënyrë që të shtohen vendet e punës. Kosova solli dhe një shembull konkret. “Po ju them vetem një shembull. Një ndër bizneset e mëdha në Tiranë paguan 70.000 euro në vit taksë vetëm për pronën. Dhe në qoftë se Bashkia e Tiranës, këtë e bën llogari çdo njeri shumë thjeshtë, i ofron këtij biznesi rreth 30% zbritje të kësaj takse, vetëm të kësaj takse do të thotë rreth I7.000 euro, do të jetë mundësi për këtë firmë që ta përdorë për vende të reja pune dhe kjo do të jetë kontrata që Bashkia e Tiranës do të bëjë me biznesin e madh”.

“Çfarë mbështetje do të kenë gratë në biznes nga ana juaj?”, e pyet një zonjë, kandidatin Kosova.
“Gratë do të favorizohen në biznes, në mënyrë që fondi i garancisë që Bashkia e Tiranës ka ngurosur në Bankë, prej 5.2 milion dollarësh, në mënyrë që gratë biznesmene, por dhe të rinjtë e me rradhë, për një ide që kanë, për një projekt që kanë, të kenë mundësi të marrin financimin e duhur, në mënyrë që kjo ide mos të rrijë në mendje dhe në kokë, por të bëhet realitet. Duke prodhuar vende pune, duke prodhuar të ardhura për qytetin duke marrë kredi pa përqindje dhe pa lënë kolateral, pa lënë as shtëpi, as biznesin dhe as pronën. Eshtë bashkia e Tiranës garante, edhe për përqindjet, edhe për kolateralin, me një kusht që eksperti i bashkisë, ose të fushave ku ju mendoni të shtrini aktivitetin, t’u ndihmojnë që mos hyni në rrugë të gabuar dhe një ide e mirë mos t’iu kthehet në problem nesër pasnesër. Eshtë parashikuar që ky fond të shkojë në 15 milion euro”, shpjegoi Kosova.

“Unë jam i arrestuar në 2 dhjetor nga 30 forca policie si debitor i energjisë elektrike. I vazhdoj akoma gjykatat, apelin gjyq pas gjyqi se jam pa prova, pa fakte dhe jam debitor, thjesht debitor. Për të na kthyer dinjitetin që shkruani atje, si do të veproni ju me këtë qeveri që ka vendosur një regjim diskriminues? Panairi i punës tek Pallati i Kongreseve që unë kam shkuar disa herë reklamohet puna për në Abu Dhabi. Unë z.Doktor nuk do të mësoj arabisht 50 vjeç”, thotë një qytetar.

“Nuk mendoj që kjo zgjidhet me propagandë, duke hapur zyra, duke inaguruar zyra dhe rezultatet janë ato që ne të gjithë i njohim, por kjo do të zgjidhet me një angazhim total të Bashkisë së ardhshme të Tiranës, e cila si prioritet do të ketë punësim dhe uljen e taksave në funksion të punësimit , si dhe duke dëgjuar hallet e ndryshme që qytetarët e Tiranës kanë, që nuk janë probleme të Bashkisë por janë të qeverisë, ne kemi vendosur që në strukturën e re të Bashkise së Tiranës do të ketë dhe një zyrë përbri meje që do të jetë nën kujdesin tim të vazhdueshëm me juristë shumë profesionistë, në mënyrë që të ndjekin të gjithë proceset që qytetarët e Tiranës kanë dhe me qeverinë. Unë e konsideroj që qeveria duhe të bëjë politika dhe ka përgjëgjësi për të gjithë vendin dhe çdo menaxher qyteti duhet të bëjë më të mirën për të gjithë qytetarët që ka nën juridiksionin e tij. Unë kështu e konsideroj dhe kurrë nuk e konsideroj që qytetari të hajë pasojat e një lufte politikë midis partive të ndryshme për interesa personale, për xhelozira apo kush të kapë një post drejtues. Qytetari për mua është një dhe në radhë të parë është hallexhiu, në rradhë të dytë është merita dhe asnjë lloj vendi pune nuk do të ketë mundësi të blihet, të shitet siç kemi dëgjuar të gjithë bashkarisht që ka ndodhur, por çdo njeri sipas hallit dhe meritës do të marrë atë që i takon”, tha Kosova.

Kandidati për kryebashkiak ka një mesazh për rëndësinë e votës me 21 qershor.
“Unë dëgjoj lart e poshtë që kanë filluar të shiten dhe të blihen dhe i them që nuk dua të di gjë. E dinë vetë se çfarë bëjnë njerëzit, por në qoftë se hallexhiu do të mendoje të gjeje një zgjidhje për një ditë ose për dy ditë pavarësisht që është i stërmbytyr nga hallet, kjo nuk është zgjidhja që vendi kërkon në vazhdimësi. Le të mblidhemi të gjithë bashkë, gjykojeni vetë ku keni besim që të mendojmë se çfarë do të bëjmë për 4 vjet dhe jo për një ditë,2 ditë apo për një javë. Këtë e keni në dorë ju”, tha Halim Kosova.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat