Programi për fshatin, Veliaj: 4 pika grumbullimi në Tiranë, do punoj edhe për Kosovën

Shqipëria

Programi për fshatin, Veliaj: 4 pika grumbullimi në Tiranë, do punoj edhe për Kosovën

Më: 28 maj 2015 Në ora: 08:24

Kandidati i shumicës së majtë për Tiranën, Erion Veliaj ka prezantuar një pjesë të programit për fshatin. Ai ka premtuar tregje dhe pika grumbullimi të reja, linja transporti urban dhe infrastrukturë rrugore.

Shtimi i tregjeve dhe pikave të grumbullimit, infrastruktura rrugore dhe ndërlidhje me transportin publik, janë disa nga zgjidhjet që ofron programi elektoral i kandidatit të mazhorancës për Bashkinë Tiranë, Erion Veliaj, për zonat rurale. Nga Peza, ku mori pjesë në prezantimin e një pjese të këtij programi që i kushtohet fshatit, Veliaj premtoi nisma për fermat dhe bizneset agrobujqësore. Duke u ndalur te tregjet dhe shitja e produkteve bujqësore, ai theksoi se do ndërhyjë për të thyer monopolin që gjendet në këtë fushë, duke premtuar krijimin e 4 pikave të grumbullimit dhe shitjes në Tiranë. “Ne do bëjmë një rikonceptim të shpërndarjes gjeografike dhe të organizimit të tregjeve.

Ne momentalisht kemi vetëm disa tregje që janë monopol ose disa pika grumbullimi që janë monopol në Tiranë. Vendimi ynë është që ta thyejmë këtë monopol. Kur ka konkurrencë, çmimet bien. Ndaj dhe ne kemi vendosur që ta thyejmë monopolin e pikave të grumbullimit për produktet e fermës. Në Tiranë do të ketë 4 tregje të mëdha shumice dhe pika grumbullimi, ku ata fillimisht konkurrojnë me njëri-tjetrin se kush i ul më shumë çmimet dhe pastaj çdo fermer të ketë mundësinë të zgjedhë atë që i intereson më shumë. Plani ynë është që t’i shoqërojmë këto tregje aty ku janë hyrjet kryesore të Tiranës. E kemi një në Kashar, do të ketë një tjetër në Kombinat, do të kemi një në zonën e Saukut dhe një në Kinostudio”, – tha Veliaj.

Gjithashtu ai shtoi se do të krijojë dhe tregje të përkohshme në rrugë të ndryshme të Tiranës, të cilat në ditë të caktuara do i kushtohen një zone apo njësie rurale të caktuar. Një tjetër premtim i Veliajt që bën pjesë në programin e tij është edhe transporti publik, për të cilin theksoi se duke filluar që nga shtatori do të ketë linja urbane krejt të reja dhe me mjete transporti të kohës. “Do të kemi një sistem ku ofrohet e njëjta cilësi, jo transport të dorës së dytë për fshatin. Linjave të transportit publik do t’u kërkohet i njëjti standard për çdo cep të Tiranës së re”, – theksoi Veliaj.

Por veç këtyre projekteve të mëdha, ai theksoi se për çdo njësi do ketë një program të veçantë, ku do të përfshihen të gjitha problemet që shqetësojnë atë komunitet, duke nisur nga infrastruktura rrugore, shkollat, kopshtet etj. Ndërkohë që pasdite Veliaj ka zhvilluar një takim me banorët e Njësisë numër 5 në kryeqytet, ku dhe ka prezantuar programin specifik për këtë zonë. Duke theksuar se kjo njësi është një nga zonat më të degraduara në kryeqytet, ai bëri të ditur se janë identifikuar gjithsej 473 probleme, që nga rrugët e degraduara, mungesa e pastrimit, shkollave, kopshteve dhe çerdheve apo problemet me transportin publik.

“Nuk është metaforë që të jesh kandidat i SHQUP-it, kandidati i Lulit dhe i Saliut në Njësinë 5 duhet të jetë në siklet shumë të madh, sepse 473 probleme nuk lindën në një ditë, por lindën në 4 vjet nga një neglizhencë totale për njësinë më të populluar”, – deklaroi Veliaj. Ai solli në vëmendje se platforma e së djathtës është që të merren me politikën e madhe, ndërsa platforma e së majtës është një program për çdo njësi.

“Dua t’ju siguroj të gjithëve se do ta çoj Tiranën në drejtimin e duhur, do të punojmë njësoj edhe për doktor Halimin, edhe për rrugën e shkatërruar para shtëpisë së tij, edhe për sheshin e rrënuar para shtëpisë së tij, edhe për plehrat që nuk mblidhen para shtëpisë së tij, edhe për qentë që rrinë para shtëpisë së tij. Duhet të jetë e sikletshme të jesh kandidat i Saliut në Tiranë, por duhet të jetë 10-fish më e sikletshme kur je edhe kandidat i Saliut, edhe banor i Njësisë 5, e cila ka degjeneruar më shumë se çdo njësi tjetër në 4 vitet e fundit”, – deklaroi Veliaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat