Berisha akuzon kryevëzhguesen Glover: Është zëdhënëse e Ramës

Shqipëria

Berisha akuzon kryevëzhguesen Glover: Është zëdhënëse e Ramës

Më: 28 maj 2015 Në ora: 07:58

Ish-kryeministri Sali Berisha zhvilloi takim me disa kongresmenë amerikanë, ku foli për mafie ndërkombëtare në vëzhgimin e këtyre zgjedhjeve.

“…Në vitin 2009, Glover erdhi përsëri në krye të misionit të ODIHR-it. E pranova atë vetëm sepse Edi Rama po ta refuzonte, do të bojkotonte zgjedhjet, por ajo që në periudhën parazgjedhore u shndërrua në një zëdhënëse të Edi Ramës, shpifjeve dhe trillimeve të tij…”

Pas akuzave të drejtpërdrejta adresuar ambasadores së BE-së në Tiranë, ish-kryeministri Sali Berisha nuk ka kursyer në vazhdën e pakënaqësisë së tij në raport me ndërkombëtarët për mënyrën sesi ata po reagojnë ndaj denoncimeve të opozitës për zgjedhjet edhe kryetaren e Misionit të Vëzhguesve, Audry Glover.

Në një takim të zhvilluar me kongresmenin amerikan, Robert Aderholt dhe ish-kongresmenin Bob McEëen dhe Sten Holms, Berisha ka nxjerrë në sipërfaqe të gjitha pakënaqësitë e tij ndaj Glover, me të cilën ai ka pasur një marrëdhënie konfliktuale që prej zgjedhjeve të diskutueshme të vitit 1996. Berisha foli për sulme fizike kundër kryetarit të opozitës dhe kandidatëve të saj, keqpërdorim të listave të zgjedhjeve, shpërndarje parash në këmbim të votës, duke e shndërruar fushatën elektorale sipas tij në një farsë elektorale.

“Berisha vlerësoi se prania e përfaqësuesve të Kongresit Amerikan dhe parlamentarëve të OSBE-së është e një rëndësie shumë të madhe, pasi ekziston rreziku i ilegjitimimit të këtyre zgjedhjeve nga mafia ndërkombëtare në vëzhgimin e këtyre zgjedhjeve. Zoti Berisha e njohu mikun amerikan me faktin se kryetarja aktuale e Misionit të ODIHR-it ka një histori të dokumentuar shumë fatkeqe të njëanshme me vëzhgimin e zgjedhjeve të Shqipërisë.

Ai u shpreh se në vitin 1996, ajo drejtoi misionin e ODIHR-it dhe firmosi një raport prej 36 faqesh, në të cilin nuk citohej qoftë dhe një fakt i vetëm për shkelje gjatë zgjedhjeve dhe procesit zgjedhor, madje nuk përmendej në asnjë fjali të vetme bojkoti i zgjedhjeve ditën e votimit nga opozita e asaj kohe si një akt që kurrë një raport objektiv s’mund ta shmangte”, – thuhet në njoftimin për shtyp të zyrës së shtypit të Berishës.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se “në vitin 2009, ajo (Glover) erdhi përsëri në krye të Misionit të ODIHR-it. Zoti Berisha tha se e pranoi atë vetëm sepse Edi Rama, po ta refuzonte, do të bojkotonte zgjedhjet, por ajo që në periudhën parazgjedhore u shndërrua në një zëdhënëse të Edi Ramës, shpifjeve dhe trillimeve të tij. Berisha theksoi se ajo kishte nisur në ODIHR- (qendër) si të mirëfillta të gjitha shpifjet dhe trillimet e PS-së, të cilat një delegacion parlamentar i OSBE-së erdhi dhe i gjeti komplet të pavërteta.

Berisha theksoi gjithashtu se edhe pasi zgjedhjet u zhvilluan normalisht, megjithëkëtë ajo, pavarësisht deklaratës së parazgjedhjeve, hartoi pas dy muajsh një raport tërësisht tendencioz përsëri pa asnjë fakt dhe të pavërtetë, raport të cilin u detyrua ta tërheqë pasi delegacioni parlamentar i OSBE-së i bëri të qartë se do të shkruanin një raport tjetër, ku ndër të tjera do të denonconin edhe qëndrimet e saj.

Qëndrimet e saj u demaskuan publikisht në takimin në Athinë të OSBE-së nga kryetari i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së”. Berisha u tha dy kongresmenëve se “ardhja e saj si aleate dhe mike e ngushtë e kahershme e Partisë Socialiste ngjall te shqiptarët, së paku te populli opozitar, mosbesim të madh në objektivitetin në monitorimin e zgjedhjeve në Shqipëri prej saj, duke patur parasysh qëndrimet e saj të shkuara të zgjedhjeve në Shqipëri”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat