Veliaj te Njësia nr.5: Do rregullojmë edhe rrugën te shtëpia e Halim Kosovës

Shqipëria

Veliaj te Njësia nr.5: Do rregullojmë edhe rrugën te shtëpia e Halim Kosovës

Më: 27 maj 2015 Në ora: 20:40

Rikonstruktimi i rrugëve, ndërtimi i një shkolle të re dhe pastrimi i plotë i Lumit të Lanës, ishin premtimet që Erion Veliaj, kandidati i koalicionit të majtë për Bashkinë e Tiranës, u bëri sot pasdite banorëve të Njësisë nr.5 në Tiranë. Duke theksuar se kjo njësi është një nga zonat më të degraduara në kryeqytet, për shkak se është lënë pas dore nga Bashkia e Tiranës në 4 vitet e fundit, janë identifikuar gjithsej 473 probleme, që nga rrugët e degraduara, mungesa e pastrimit, shkollave, kopshteve dhe çerdheve apo probleme me transportin publik.

Ai theksoi se në Njësinë nr.5 ka një energji pozitive jo vetëm për fitoren më 21 qershor, por edhe për punët e mbara që do bëhen në të gjithë Tiranën për ta çuar kryeqytetin në drejtimin e duhur. “Dua t’ju siguroj të gjithëve se do ta çoj Tiranën në drejtimin e duhur, do të punojmë njësoj edhe për doktor Halimin, edhe për rrugën e shkatërruar para shtëpisë së tij, edhe për sheshin e rrënuar para shtëpisë së tij, edhe për plehrat që nuk mblidhen para shtëpisë së tij, edhe për qentë që rrinë para shtëpisë së tij. Duhet të jetë e sikletshme të jesh kandidat i Saliut në Tiranë, por duhet të jetë 10-fish më e sikletshme kur je edhe kandidat i Saliut, edhe banor i Njësisë 5, e cila ka degjeneruar më shumë se çdo njësi tjetër në 4 vitet e fundit”, deklaroi Veliaj.

I pranishëm në prezantimin e programit për Njësinë nr.5 ishte edhe deputeti i PS, Pandeli Majko, i cili tha se në 4 vitet që lamë pas Tirana ka degraduar shumë. “U bë hera e dytë që na bie shi, por të vjetrit thonë se ai që vjen me shi, vjen me bereqet. E në fakt, Njësia 5 ka qenë, është e do të jetë hambari i bereqetit të zgjedhjeve për kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Ne kemi një kandidat që kërkon të ballafaqohet, ndërsa pala tjetër ka një kandidat i cili mendon se duke mos u ballafaquar, por duke çukitur në takimet që i organizon partia, është i gatshëm të drejtojë nga zyra një bashki me 1 milion banorë. Por, gjërat nuk mund të funksionojnë kështu”, tha Majko.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat