Nikoliç nuk e priti Ramën në Beograd, por Nishani e takon Vuçiq në Tiranë

Shqipëria

Nikoliç nuk e priti Ramën në Beograd, por Nishani e takon Vuçiq në Tiranë

Më: 27 maj 2015 Në ora: 20:38

Ndryshe nga sjellja e Presidentit serb Tomislav Nikoliç, i cili nuk rezervoi asnjë pritje për kryeministrin shqiptar kur ai vizitoi Beogradin nëntorin e kaluar, presidenti shqiptar Bujar Nishani ka vepruar ndryshe nga homologu i tij dhe e ka pritur në një takim në Presidencë kryeministrin serb Aleksandër Vuçiq.

Gjatë takimit, Presidenti Nishani vlerësoi zhvillimin e kësaj vizite zyrtare si shumë të rëndësishme dhe si shprehje konkrete e vullnetit për vendosjen e urave të komunikimit mes dy vendeve, por edhe të mirëkuptimit më të mirë mes qytetarëve shqiptarë dhe atyre serbë.

Duke u ndalur tek të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, presidenti Nishani kërkoi një kujdes dhe mbështetje më të madhe nga ana e qeverisë, veçanërisht zbatimin sa më parë të angazhimeve të marra sa i përket aspektit ekonomik, shoqëror dhe shëndetësor të tyre. Presidenti nënvizoi se do të kishte qenë e udhës që nënshkrimi i Marrëveshjes për njohjen reciproke të diplomave të realizohej gjatë kësaj vizite, për të dhënë një mesazh më të drejtpërdrejtë të vullnetit pozitiv për t’i çuar përpara marrëdhëniet mes dy vendeve, por edhe në respekt të premtimeve dhe angazhimeve që i japim njër i-tjetrit.

Një vend të posaçëm në takim zuri edhe çështja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ku Presidenti Nishani vuri në dukje se vazhdimi i dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve të dakordësuara janë rruga më e mirë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, duke shtuar se ky proces kërkon kurajo dhe vizion për të ardhmen, çka po dëshmohet si nga autoritetet e shtetit të Kosovës ashtu edhe ato të Serbisë.

Duke folur rreth çështjeve të sigurisë në rajon, kreu i shtetit vuri në dukje se bashkëpunimi rajonal ndaj sfidave të përbashkëta është sot një domosdoshmëri. Në këtë kontekst, ai vuri në dukje se Shqipëria është e interesuar për një rajon në paqe dhe të stabilizuar, ashtu sikurse është e vetëdijshme se rajoni nuk është i imunizuar nga rreziqet që i kanosen sigurisë.

Kryeministri Vuçiq vuri në dukje se mbetet realisht i angazhuar për të avancuar marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, dhe se vizita e tij në Tiranë u realizua mbi bindjen e sinqertë për rëndësinë e përparimit të këtyre marrëdhënieve, të cilat i konsideroi kyç për stabilitetin dhe paqen në rajon. Më tej, Kryeministri Vuçiq informoi mbi pikat e bisedimeve të zhvilluara me qeverinë shqiptare, dhe projektet e përbashkëta për të cilat është rënë dakord. /E.Duraj/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat