Bojaxhi shpalos planin: Qytetarët do zgjedhin punonjësit e bashkisë

Shqipëria

Bojaxhi shpalos planin: Qytetarët do zgjedhin punonjësit e bashkisë

Më: 27 maj 2015 Në ora: 18:57

Kandidati i pavarur për Bashkinë Tiranë, Gjergj Bojaxhi prezantoi të mërkurën paradite programin e tij për mirëqeverisjen e Bashkisë. Që në fillim, Bojaxhi theksoi se mirëadministrimi dhe mirëfunksionimi i Bashkisë është kusht themelor për përmirësimin e shërbimeve që Bashkia ofron për qytetarët dhe programeve për zhvillimin e qytetit. Për këtë arsye, mirëadministrimi i Bashkisë është pikënisja e programit të tij dhe diskutimit të tij me publikun.

Prioriteti kryesor i programit të mirëqeverisjes së Bojaxhi është çlirimi i Bashkisë nga interesat klienteliste dhe partiake dhe zbatimi i ligjit. Ai premtoi depolitizim total të Bashkisë. Kryetari i Bashkisë dhe asnjë drejtues i saj nuk do të kenë poste drejtuese në asnjë formacion partiak.
Punonjësit e Bashkisë që nga nën Kryetarët e deri tek punonjësit e thjeshtë do të zgjidhen me konkurs të hapur publik bazuar vetëm në aftësitë dhe integritetin e tyre, pavarësisht preferencave apo përkatësisë së tyre partiake.
Bojaxhi shprehu vullnet të qartë për të luftuar korrupsionin dhe kapjen e Bashkisë nga bizneset që përfitojnë prej saj në kurriz të interesit të qytetarëve. Ai u shpreh se pa këtë vullnet, çdo program është thjesht demagogji dhe mashtrim.

Bojaxhi premtoi përfshirjen e publikut në vendim-marrje përmes zbatimit të referendumeve lokale, konsultimeve me publikun dhe seancave javore të pyetje-përgjigjeve me publikun. Në kuadër të transparencës ai u shpreh për botimin online të çdo vendimi dhe dokumenti të Bashkisë si dhe ngritjen e një platformë elektronike për publikimin në kohë reale të çdo kontrate dhe transaksioni financiar të Bashkisë.

Ai u ndal gjithashtu në përmirësimin rrënjësor të menaxhimit financiar të Bashkisë për të përmirësuar mbledhjen e të ardhurave. Ai premtoi rritje me 10 % të të ardhurave vjetore që në vitin e parë, afërsisht më shumë se 8 milionë Euro.
Bojaxhi theksoi se kandidatët bashkiakë diskutojnë për ngritje apo ulje taksash ndërkohë që nuk përmendin sa ato mblidhen në nivele shumë të ulëta.
Kandidati I pavarur premtoi që këto të ardhura do të shkojnë në masën 100 për shërbime sociale si çerdhe, kopshte e shkolla.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat