Programi i Dakos për bujqësinë dhe turizmin në Durrës

Shqipëria

Programi i Dakos për bujqësinë dhe turizmin në Durrës

Më: 27 maj 2015 Në ora: 18:44

Kandidati i PS-së kryebashkiaku aktual në Durrës, Vangjush Dako, ka zhvilluar një takim me banorët e zonës së Ishmit, një nga pesë zonat që iu bashkuan bashkisë së re të Durrësit pas ndarjes së re administrativo-territoriale.

Duke vlerësuar pasuritë e veçanta bujqësore dhe turistike që mbart kjo zonë, Dako shtjelloi vizionin e tij për nxitjen dhe zhvillimin e turizmit cilësor me komplekse e resorte pushimi, si dhe sektorit të ri të agroturizmit, duke mbështetur projektet e fermerëve për kultivimin e vreshtave dhe ullinjve.

Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane u zotua se do t’i kushtohet vëmendje zhvillimit të turizmit dhe agroturizmit, duke përkrahur sipërmarrësit turistikë si një mundësi reale e zhvillimit të zonës, me synimin për ta shndërruar Ishmin në një nga vendet turistike më të frekuentuara.

“Do të përkrahim fermerët për të ushtruar veprimtarinë e tyre bujqësore”, ndërkohë që do bëjmë të mundur pastrimin e kanaleve vaditëse dhe vënien në funksion të Rezervuarit të Tarinit, me qëllim krijimin e lehtësirave në vaditjen e tokave bujqësore për fermerët e zonës”, tha Dako.

Dako tha ndër të tjera se një nga instrumentet e rëndësishëm për lehtësimin e pastrimit dhe vaditjes së tokave bujqësore, është dhe ngritja e institucionit të Inspektoratit të Arave.

Gjatë bashkëbisedimit me banorët, Dako pohoi se, brenda mandatit të ardhshëm bashkia do të rikonstruktojë tërësisht rrugët kryesore që lidhin fshatrat me bregdetin, si dhe rrugët mes parcelave të tokave bujqësore të zonës, pasi siç theksoi ai, “pa infrastrukturë, s’ka bujqësi”.

“Së fundi, me projektin tonë për menaxhimin e tokës do t’i japim zgjidhje problemeve të shumta, duke krijuar një komision me ekspertë pranë bashkisë, i cili do të shkojë fshat më fshat, duke ndihmuar me ekspertizën tonë për t’i dhënë drejtësi dhe për të bërë avokatinë për çdo problematikë që do të kenë banorët e zonës”, tha Dako.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat