Thethi pret vizitorët e parë alpin për këtë sezon turistik

Shqipëria

Thethi pret vizitorët e parë alpin për këtë sezon turistik

Më: 27 maj 2015 Në ora: 14:21

Një nga pikat turistike më të vizitueshme në stinën e verës mbetet edhe Thethi. Aty natyra e bukur pyjore, gërshetohet me ashpërsinë e majave të thepisura. Turistët e lakmojnë këtë zonë pikërisht për këtë bukuri.

Por, pasuritë natyrore të kësaj zone janë të lidhura së bashku edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu bazat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit. Lidhur me këtë fakt ka shkruar edhe alpinisti Georg Heinshemer, i cili e ka konsideruar Thethin, padyshim si vendin më të përshtatshëm për turizëm ndër Bjeshkët e Veriut tëShqipërisë, duke e krahasuar atë me viset e bukura të Tirolit në Austri.

Ndërsa për banorët e kësaj zone, Franc Nopca ka shkruar se ”po t’u biesh në besë, në asnjë vend tjetër të botës nuk do të ndihesh më i sigurt”. Resurset natyrore i dallon çdo vizitor, sa lë Grykën e Ndërlysës dhe ballafaqohet me mrekullinë e kanionit të Grunasit që është rreth 2 km i gjatë shumë i thellë.

Përveç kanionit, në Theth gjendet një numër i konsiderueshëm shpellash, por ato që kanë tërhequr vëmendjen e shumë alpinistëve, speleologëve, gjeografëve etj, janë Shpella e Harapit dhe Bira e Rrathëve, të cilat me përmasat e tyre dhe dukuritë interesante që mbartin, si liqenet nëntokësore, galeri, sifone etj., janë bërë shkak i shumë legjendave të krijuara nga vetë banorët e zonës.

Një bukuri natyrore të veçantë të bjeshkëve të veriut shpalos në këtë zonë, Ujëvara e Thethit me lartësi 25 m, ku së bashku me cirqet përreth dhe Mullirin e Blojës, formojnë një nga vendet më interesante për t’u vizituar. Por jo më pak tërheqës është edhe vendburimi i lumit të Shalës në Okol, burimet e të cilit venë në punë një hidrocentral të vogël dhe 12 mullinj, që shërbejnë për ujë të pijshëm, cilësia dhe pastërtia e të cilit është për t’u admiruar. Tashmë vizitorët e parë verorë kanë mbërritur në Theth dhe prej andej dërgojnë përshtypjet e tyre. Për zonën e Thethit sezoni turistik alpin ka filluar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat