Rama: Vullnet për një rajon pa kufi

Shqipëria

Rama: Vullnet për një rajon pa kufi

Më: 27 maj 2015 Në ora: 13:29

Kryeministri Edi Rama deklaroi të mërkurën se vullneti i qeverisë shqiptare është i palëkundur për të çuar përpara axhendën e një rajoni pa kufi, ku mes shqiptarëve, serbëve etj të bien barrierat e trashëguara prej vitesh”.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri, Kryeministri Rama uroi që mbresat pozitive të vizitës 24 orëshe të Vuçiç në Shqipëri, ta nxisin kolegun serb që të ftojë bashkëqytetarët e tij që ta vizitojnë Shqipërinë, sidomos gjatë verës”. Duke shfrytëzuar rastin e pjesëmarrjes së medias serbe në Pallatin e Brigadave, Kryeministri siguroi se “qytetarët serbë do të gjejnë vendpushimet, ushqimin dhe mikëpritjen më të mirë në Shqipëri.

Kryeministri Vuçiç është i pari vizitor i këtij rangu nga Beogradi që viziton vendin tonë, deklaroi më tej Rama, ndërsa shtoi se “vizitat e ndërsjellta në rang kryeministrash u kryen në harkun e 6 muajve, pas një kohe të stërgjatë akulli mes dy shteteve tona”.

“Për ne, ky fakt është shenjë e padyshimtë e dëshirës dhe vullnetit të përbashkët për të sjellë të dy kombet tona pranë njeri-tjetrit, pavarësisht se jemi ende larg të qenit dakord për gjithçka”, deklaroi më tej Kryeministri shqiptar.

Sipas tij “sot shqiptarët dhe serbët kanë mundësi historike që ta kthejnë paqen që, mezi e arritëm në këtë rajon, në një paqe që ia vlen të jetohet”.

“Shqiptarët dhe serbët kanë sot mundësinë të bëjnë për të mirën tonë dhe të njëri- tjetrit atë që francezët dhe gjermanët bënë për veten dhe Europën pas Luftës së Dytë Botërore. Vullneti i qeverisë shqiptare është i palëkundur për të çuar përpara axhendën e një rajoni pa kufi, ku mes shqiptarëve, serbëve etj. të bien barrierat e trashëguara prej vitesh, të gjitha barrierat që na kanë penguar deri më sot, për ta projektuar të ardhmen si një destinacion të përbashkët në rrugën e integrimit”, tha ai. (vijon)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat