Shuaip Beqiri: Projekti im për bashkinë e re të Konispolit

Shqipëria

Shuaip Beqiri: Projekti im për bashkinë e re të Konispolit

Më: 27 maj 2015 Në ora: 10:11

Kandidati i Partisë Socialiste për kryetar i bashkisë së re të Konispolit, mjeku dhe doktori i shkencave, Shuaip Beqiri, gjatë një bashkëbisedimi për gazetën “Shekulli”, ka zbuluar jetën e tij, familjen, hyrjen në politikë, sakrificat për zonën dhe banorët e Konispolit. Kandidati i Partisë Socialiste për Konispolin ka deklaruar se kjo bashki dhe fshatrat e saj kanë nevojë emergjente të ndërhyhet në rrugë, kanale vaditëse dhe ujësjellësa.

Si është një ditë pune e Shuaip Beqirit?

Paraqitem në punë në orën 7.30, ku takohem me miqtë e shokët dhe diskutojmë për problemet e punës. Një kënaqësi e veçantë e imja është që gjithë këtë periudhë kam krijuar një marrëdhënie besueshmërie për profesionin që unë kryej dhe veçanërisht për njerëzit që iu shërbej nga zona ime. Përveç shërbimit që marrin, iu jap dhe respektin maksimal, duke ju gjendur pranë për të gjithë problematikën, qoftë shëndetësore dhe atë njerëzore, që ata kanë.

Një pjesë të rëndësishme të ditës e jetës suaj zë edhe familja...

Familja është gjëja ime më e shenjtë dhe kur kthehem në shtëpi, zakonisht rreth orës pesë ose pesë e gjysëm, konsumojmë drekën të katërt, me bashkëshorten dhe dy çunat. Mundohem gjithmonë që t’u gjendem pranë për 2-3 orë në ditë, por edhe fundjavave, për të organizuar aktivitete bashkë me fëmijët dhe me miqtë tanë, të cilët janë të shumtë në Tiranë dhe Sarandë. Ata janë mbështetja më e fuqishme imja.

Cilat janë pasionet dhe dëshirat tuaja?

Argëtimet e mia kanë qenë gjithmonë sportet, zakonisht dy ose tre herë në javë, me bashkëshorten Zhanin dhe me çunat, bëjmë një ecje të lirë nga liqeni. Është futbolli, që e ndjekim përsëri të organizuar në familje, është arti ku shkojmë shpesh, qoftë në teatër, në kinema dhe në mbrëmjet letrare, por edhe në evente të ndryshme që organizohen. Por pasioni im mbetet gjithmonë profesioni i mjekut.

Çfarë ofron Shuaip Beqiri për bashkinë e re të Konispolit?

Gjëja e parë dhe më kryesore është që Shuaip Beqiri ofron Shuaipin. Ofron Shuaipin, me ndershmërinë e tij dhe sinqeritetin, për t’u kthyer atyre njerëzve besimin që gjithë këtë periudhë, të paktën që kur jam larguar unë, u ka munguar. Është evidentuar mungesa e të gjendurit pranë atyre njerëzve, qoftë edhe për një telefon për problemin më të thjeshtë që të marrë zgjidhje. Unë ofroj përkushtimin ndaj atij komuniteti, pasi unë jam lindur dhe rritur në Konispol dhe jeta ime është aty. Dua që zona ime, treva ime, të zhvillohet. Është nga ato zona më punëdashëse, ka njerëzit më punëtorë, më të sinqertë, më të dashur. Kur thashë sinqeritetin dhe ndershmërinë, unë ndenja 11 vjet kryetar bashkie dhe asnjëherë nuk mendova dhe as që më ka shkuar në mendje që të fus duart në xhepat e qytetarëve për çdo lloj problemi, si mjek, si funksionar dhe për të zaptuar pronat e tyre, të shtetit ose të privatit qofshin. Asnjëherë nuk më ka shkuar në mendje të zaptojë toka, të zaptojë kullota, por të gjitha këto resurse të Konispolit kam menduar që t’i vë në dispozicion të qytetarëve.

Si do të përfaqësohen komunitetet e ndryshme etnike dhe fetare në bashkinë e re të Konispolit?

Ajo zonë nuk ka pasur dallime midis komuniteteve. Nuk ka pasur asnjëherë dallim midis myslimanëve, të krishterëve, vllehëve dhe komunitetit rom. Komunitetet e ndryshme kanë qenë në një harmoni të plotë, në një harmoni të plotë historikisht dhe sot që flasim akoma, dhe nesër kështu do të jetë. Do të ketë gjithmonë marrëdhënie, krushqi dhe martesa. Më vjen keq sot që të diskutohet një temë e tillë, ku iu fryhet këtyre teorive nga disa. Unë kur kam qenë kryetar i bashkisë, kam firmosur që manastirin në Fushën e Manastirit që është në fshat, ta merrte kisha, pavarësisht se unë personalisht nga nëna jam bektashi dhe nga babai jam mysliman, çam. Siç kam firmosur për kishën, kam firmosur dhe për xhaminë dhe përsëri do të bëjë të njëjtën gjë, nuk do të shikojë asnjë lloj dallimi. Nesër në bashkinë e re do të ketë një përpjestim të drejtë në përfaqësimin e tyre, qoftë në administratë, shpresoj edhe në zgjedhjet për këshilltarë, duke e ndarë administratën, me qëllim që të ndjehen të gjithë të përfaqësuar.

Cila është ecuria e fushatës në Konispol dhe si janë pritshmëritë tuaja?

Fushata elektorale, deri në këtë moment që po flasim, është e qetë. Njerëzit po na presin shumë mirë. Ka një frymë besimi tek figura ime, ka një lloj solidarizimi nga të gjitha këto komunitete që folëm më lart, sepse këtu është figura dhe personaliteti im, por edhe për shkak të mbështetjes së qeverisë “Rama”. Unë në këto 20 ditë që kam bërë fushatë, kam ndjekur dhe arritur të evidentojë problematikat deri në detaje, që nga problemet më të thjeshta, ato mjekësore, siç janë problemet me kempet dhe të sëmurët invalidë, dhe deri tek çështjet kryesore që do të jenë pjesë e programit tim.

Ndërhyrjet më emergjente, në tre akse rrugore

Gjendja e vështirë e infrastrukturës kërkon investime të rëndësishme. Kandidati i PS: Vëmendje edhe për bujqësinë dhe blegtorinë

Cilat vlerësoni si ndërhyrjet më emergjente për bashkinë e re të Konispolit dhe shërbimet që mund të ofrohen?

Një nga shkaqet që mua më tundoi të rikandidoj për pushtetin vendor ka qenë dhe kandidimi im për deputet në 2013-n. Ne kemi marrë disa premtime përballë këtij komuniteti, që fillon nga Vrina dhe përfundon në Janjar, që cilat ne duhet t’i realizojmë. Janë premtime për probleme jetike. Baza e bashkisë së re do të jenë bujqësia dhe blegtoria, pa harruar këtu infrastrukturën. Unë do të rendisja disa. Sot të shkosh në fshatin Janjar duhet të mendohesh shtatë herë, një fshat ku komuniteti aty ka investuar për ndërtimin e shtëpive të mira, por një fshat i lënë në harresë. Ai është një fshat ku fjala rrugë nuk quhet rrugë, nuk ka ujë, nuk ka një infermier dhe është në emergjencë.

Them që brenda vitit të parë e të dytë të mandatit tim, qoftë rruga Ninat-Janjar, Shalës-Vërvë dhe rikonstruksioni i rrugës nga Vrina deri në Shkallë, janë tre problemet kryesore në drejtim të infrastrukturës rrugore, pa harruar këtu rikonstruksionin e rrugëve të brendshme të fshatit Vrinë dhe fshatit Shendëlli. Nga Vrina deri në Markat, banorët po kryejnë investime të fuqishme në drejtim të mbjelljes së tokave me plantacione mandarinash, portokallësh dhe limonash. Eshtë emergjente që akset kryesore të rrugëve që të çojnë në këto plantacione duhet të sistemohen një orë e më parë, sepse këta banorë kanë investuar paratë e tyre. Por bashkia është shumë mbrapa për t’iu përgjigjur këtyre investimeve, qoftë me rrugët, qoftë me kanalet vaditëse, sepse një investim sot do të na rikthejë nesër 10-fishin, si në të ardhura për bashkinë dhe në rritjen e punësimit.

Edhe blegtoria është një degë shumë e zhvilluar me problemet e saj, sidomos në drejtim të subvencionit dhe në kullota, që nuk janë trajtuar në mënyrë të drejtë. Kjo zonë njihet dhe për vijën e saj bregdetare, ku kemi një kombinim të drejtë për turizmin detar dhe malor njëkohësisht. Për traditat që ka ajo zonë, duhet një zgjidhje sa më e saktë e çështjeve të pronësive, si mbi kullotat dhe tokat e lira. Kjo do t’i jepte një frymëmarrje turizmit, aq më tepër që në kufi me ne është Butrinti, duke gërshetuar turizmin detar, kulturor dhe malor. Një nga problemet që kemi marrë këto ditë, sa i përket bujqësisë, është zgjidhja e çështjes së tokave në fshatin Xarrë, ku 52 familjeve për shumë vite tokat u janë përmbytur nga liqeni i Butrintit. Brenda këtyre ditëve them se me mbështetjen edhe të deputetit të zonës, do ta zgjidhim këtë në interes të qytetarëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat