Spartak Ngjela në fushatë për Erion Veliajn

Shqipëria

Spartak Ngjela në fushatë për Erion Veliajn

Më: 27 maj 2015 Në ora: 10:00

Kandidati i mazhorancës për bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, prezantoi 7 pikat e programit të tij për kujdesin social. I shoqëruar dhe nga një interpretues i gjuhës së shenjave, shërbim të cilin ka qenë Erion Veliaj që e ka risjellë në vëmendje gjatë kohës që ishte ministër, dhe nga Blendi Klosi, ministri i ardhshëm i Mirëqenies Sociale, Veliaj premtoi se brenda 100 ditëve të para si drejtues i bashkisë së Tiranës, do të shpërndajë të gjitha banesat sociale. “Do të hapim tre mensa sociale për të ofruar ushqim falas për shtresat në nevojë, në partneritete publike-private. Një pikë tjetër e programit për shtresat në nevojë është hapja e pesë qendra ditore për të moshuarit. Kemi në program një ri integrim social përmes të cilit do t’u ofrohet punë në shërbim të komunitetit qytetarëve që përfitojnë ndihmë ekonomike. Do të bëjmë të aksesueshëm të gjitha institucionet publike në Tiranë për personat me aftësi të kufizuara”, u shpreh Veliaj.

Pjesë e programit të kandidatit të së majtës është edhe hartimi i një programi të posaçëm për mbrojtjen dhe kujdesin për fëmijët në situatë rruge, si edhe shpërndarja brenda 100 ditëve e të gjitha banesave sociale dhe hartim i një politike të mirëfilltë për strehimin social. Kandidati i majtë nuk ka lënë pa akuzuar dhe bashkinë aktuale të Tiranës, e cila në këto 4 vite nuk i ka kushtuar asnjë rëndësi kujdesit social. “Nuk kemi parë një bashki solidare, që i rri afër dhe i jep muskulin e vetë atij që është nevojtar. Kryetari është në fushatë, ndërsa nënkryetari në Korçë.

Pyes veten, ç’bën kryetari në Holandë dhe nënkryetari në Korçë, kur e marrin rrogën nga Bashkia e Tiranës. Ka qenë një thyerje për më të dobëtit që kanë pasur nevojë ta kenë bashkinë në krah”, tha Veliaj. Kandidati i majtë për Tiranë, tha se të gjithë ushqimet e pa shitura në supermarket, duhet t’iu jepen të varfërve, për këtë duhet ndjekur modeli i Francës. Në takimet e djeshme të Veliajt është shfaqur edhe avokati Spartak Ngjela. Ai ka mbështetur kandidatin e koalicionit të majtë, por ka reaguar menjëherë dhe me një fjalor të ashpër ish-kryeministri Sali Berisha. Pak ditë më parë, Ngjela zhvilloi një takim edhe me Halim Kosovën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat