Dëshmia në gjykatë, Zamir Mani: Imami Balla dërgoi tim bir në Siri

Shqipëria

Dëshmia në gjykatë, Zamir Mani: Imami Balla dërgoi tim bir në Siri

Më: 27 maj 2015 Në ora: 09:03

Zamir Mani tregon si e mësoi që i biri minoren u dërgua bashkë me ish-bashkëshorten e tij në Siri, dhe akuzon për këtë Genci Ballën. Tre dëshmi në gjyqin ndaj 9 të akuzuarve për rekrutimin e shqiptarëve si ushtarë të ISIS.

Pas dy pezullimesh për shkak se policia nuk lejoi në gjyq përkrahësit e të arrestuarve për “rekrutime luftëtarësh për në Siri”, dje me vendimin e gjykatësit për t’i pranuar ata në seancë u dëgjuan tre dëshmi. 3 dëshmitarë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda kanë dëshmuar në sallën e gjyqit kundër 9 të akuzuarve për terrorizëm dhe rekrutime. Erzen Gashi, Artur Korra dhe Zamir Mani kanë rrëfyer historitë e tyre. Mësohet se i pari ka refuzuar të përsërisë atë që u ka thënë prokurorëve, duke pretenduar se ishte kërcënuar për ta dhënë dëshminë.

Ndërkohë ai që ka dhënë dëshminë më të rëndësishme për akuzën ishte Zamir Mani, i cili akuzon Genci Ballën, të ashtuquajturin imam të xhamisë tek Unaza e Re, se bashkë me ish-gruan e tij ka nisur për në Siri edhe djalin e tij. Mani ka drejtuar gishtin drejt të pandehurit Genci Balla, si personi që i rrëmbeu gruan dhe djalin. Bëhet fjalë për fëmijën Firdeus Mani, i cili është marrë nga nëna e tij, Almira dhe njerku Genci Balla, dhe është dërguar në Siri. Ikja në këtë shtet që është përfshirë në luftë civile, është bërë pa miratimin e babait, Zamir Mani.

Zamir Mani deklaroi se nuk e njihte njeriun me të cilin ishte martuar ish-bashkëshortja e tij, por tha që kishte dëgjuar që ai quhej Abdurrahim Balla, i cili njihet ndryshe si imami i xhamisë tek Unaza e Re, Genci Balla. “Po kërkoja që të takoja tim bir, por nuk po e gjeja dot, – tha dëshmitari. – Erdha në Tiranë, ku edhe bëra kallëzim, por në polici më thanë ta kërkoja në Kavajë. Aty mësova se Almira kishte ikur bashkë me djalin në Siri”.

Madje ky i fundit ka tentuar të ndalë largimin e të birit drejt Sirisë. Ai ka treguar në gjykatë se ka shkuar edhe te xhamia tek Unaza e Re, ku sipas tij është kërcënuar për shkak se po kërkonte informacione për të birin. Zamir Mani thotë se është kërcënuar me vdekje nga ish-bashkëshortja dhe burri i saj, imami i vetëshpallur Genci (Abdurrahim) Balla përmes personave të tretë. Për të shmangur çdo incident të mundshëm rreth kërcënimeve me vdekje, në fillim të muajit janar 2013, Mani ka kërkuar mbrojtje në polici.

Ndërkohë dy dëshmitarët e tjerë, kanë deklaruar se nuk mbajnë mend emra dhe fakte. Prokurorët i kanë kërkuar gjykatës të lexohen deklarimet e tyre të dhëna përpara prokurorëve, por ky fakt ka rebeluar njërin nga të pandehurit i cili është larguar në mënyre demonstrative nga salla. Procesi është shtyrë për javën e ardhshme me të tjera dëshmi. Në këtë seancë të pandehurit dhe familjarë të tyre janë paraqitur sërish me bluza të shkruara me parullën “Jam krenar që jam mysliman”. Me urdhër të kryetarit të gjykatës, ata janë lejuar të marrin pjesë në seancë. Një javë më parë policia nuk lejoi pjesëmarrjen e tyre pikërisht për këtë arsye, ndërsa të pandehurit kërkuan shtyrjen e seancës për shkak se në sallë nuk u lejuan familjarët e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat