Basha, fushatë me taksat e energjinë në zgjedhjet vendore

Shqipëria

Basha, fushatë me taksat e energjinë në zgjedhjet vendore

Më: 27 maj 2015 Në ora: 09:00

Pavarësisht se shqiptarët do të votojnë për krerët e bashkive, kryetari i Partisë Demokratike, ka prezantuar platformën për qeverisjen qëndrore.

Ndonëse jemi në kulmin e fushatës së zgjedhjeve lokale, ku kandidatët e të gjithë krahëve politikë po prezantojnë platformat e tyre të qeverisjes, kreu i PD-së, Lulzim Basha vijon të bëjë premtime në rolin e kandidatit për kryeministër të vendit. Gjatë prezantimit të kandidatëve të opozitës në qytete të ndryshme, por edhe në takime me të rinjtë, Basha bën publik edhe një pjesë të programit të tij si kreu i ardhshëm ekzekutivit, duke lënë anash premtimet për zgjedhje lokale. Nga fjalimet që ka mbajtur deri më tani, Basha ka treguar një paqartësi sa i përket artikulimit të premtimeve. Nuk dihet nëse zgjedhja e Bashës është një lapsus apo një strategji e mirëmenduar për të dobësuar kundërshtarin, duke e goditur me premtimet që, sipas tij, qeveria nuk i ka mbajtur.

Nisja e premtimeve nga Korça

Premtimet e tij, Basha i nisi nga qyteti i Korçës, aty ku startoi edhe turin e takimeve me të rinjtë shqiptarë nga çdo cep i vendit. Nga qyteti juglindor, Basha bëri përgjegjëse qeverinë se po promovon kriminelë dhe se ka lënë pas dore rininë, duke e çuar papunësinë në radhët e tyre në 40 për qind. “Plaga e madhe që kemi, 40 për qind e të rinjve të papunë nuk mund të mos jetë prioriteti ynë numër një. Shiko, çfarë rinie të aftë ka Korça! E pse është e nevojshme të merren kontigjente të krimit, si ai i akuzuari për përdhunim e të bëhet punonjës tatimesh?! Sepse kjo qeveri nuk e njeh meritën, ky është problemi i madh, sepse kjo është një ndër rrënjët e së keqes”, u shpreh Basha.

Basha nga Shkodra: Do të rritim pagat

Ulja e taksave dhe çmimeve, dedikimi i fondeve për projekte që hapin vende pune, rritja e pagave dhe pensioneve, është prioritet i kryetarit të opozitës edhe në takimin që zhvilloi në Shkodër. “Papunësia e të rinjve ka arritur në shifra alarmante, rreth 40%. Mazhoranca që erdhi me premtimin për 300 mijë vende pune nuk ka hapur asnjë vend të ri, madje ka mbyllur mijëra vende pune me politikat e saj të rritjes së taksave dhe çmimeve të energjisë, naftës etj. Heqja e taksave për bizneset që punësojnë të rinj është prioritet i demokratëve. Ekonomia në Shkodër dhe në tërësi në Shqipëri është e vajtueshme. Kjo qeveri nuk ka bërë asgjë për shtresat në nevojë”, theksoi Basha. Ndërsa të njëjtat premtime, kreu demokrat i bëri edhe gjatë takimit me të rinjtë e Elbasanit, Pogradecit dhe Tiranës.

Premtimet e Bashës nga Vlora

Gjatë një takimi me të rinjtë e Vlorës, të mbajtur vetëm pak ditë më parë, kreu i PD-së, Basha premtoi ndryshimin e taksës, nga progresive në të sheshtë, uljen e çmimit të energjinë në shifrën 25 për qind dhe falje të kamat-vonesave për debitorët e energjisë ndër vite. Kreu i PD-së, duke marrë rolin e kryeministrit të ardhshëm, premtoi se do të rrisë pensionet për të moshuarit, do të rrisë rrogat dhe po ashtu do të rifusë në skemën e ndihmës ekonomike të gjitha familjet në nevojë, të cilët sipas Bashës, qeveria i ka hequr padrejtësisht.

“Oferta e Partisë Demokratike është ulja e taksave dhe rikthimi te taksa e sheshtë, në nivelin më konkurrues në Ballkan, është oferta e uljes së çmimit të energjisë me 25 për qind dhe faljes së kamatë-vonesave, është oferta e rritjes së pensioneve, e rritjes së rrogave, është oferta e rikthimit në listën e ndihmës ekonomike të të gjithë familjeve të pamundura që janë goditur e larguar me të padrejtë nga kjo listë”, premtoi Basha. Duke akuzuar mazhorancën se në vend të investimeve për qytetarët po bën investime luksi, Basha u shpreh se alternativat e Partisë Demokratike, janë destinimi i duhur i parave të shqiptarëve në investime që krijojnë vende pune dhe jo investime luksi që, sipas tij, vijnë me para korrupsioni. “Është oferta e destinimit të taksave të shqiptarëve për investime që krijojnë vende pune dhe jo për investime luksi që vijnë me faturë korrupsioni, siç janë palmat në Tiranë apo Lungomare në Vlorë apo kulla e korrupsionit në Korçë”, u shpreh Basha.

Premtimi nga Fieri

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, premtimet e tij, të lidhura me qeverisjen qendrore, i vijoi edhe gjatë prezantimit të kandidatit demokrat për Fierin, Enkelejd Alibeaj. Basha premtoi vendosjen e taksës së sheshtë në nivelin 9%, pasi sipas tij, me këtë taksë, qytetarët do të paguajnë më pak dhe do të kursejnë më shumë. “Në do të ulim taksën në nivelin më të ulët në Ballkan, 9 për qind taksë e sheshtë për të gjithë pa përjashtim dhe i them sot kryeministrit, o je gënjeshtar, ose ke mbetur në matematikë! 450 mijë lekë rrogë, 300 mijë lekë rrogë janë pa taksa, ashtu e kemi bërë ne. Ato 150 mijë që taksohen, po të taksohen me sistemin e Edi Ramës, Ilir Metës sot janë 13 për qind, paguajnë 1950 lekë. Po të taksohen me sistemin që propozojmë dhe do të jetësojmë ne, me votën e bashkuar të shqiptarëve, të djathtë e të majtë 9 për qind, paguajnë 1350 lekë. Kush paguan më pak? Sistemi ‘Basha’ apo sistemi ‘Rama’?!”, tha Basha.

Përsëritja e premtimeve nga Kukësi

Lulzim Basha ripërsëriti premtimet e tij edhe gjatë takimit të mbajtur me të rinjtë e qytetit të Kukësit. Teksa akuzoi mazhorancën për mosmbajtjen e premtimeve, Basha përsëriti premtimet e tij për uljen e çmimit të energjisë elektrike dhe taksën e sheshtë. “Ata merren me opozitën, sepse nuk kanë çfarë të thonë, sepse premtuan 300 mijë vende pune dhe nuk hapën asnjë vend pune, sepse premtuan shëndetësi falas dhe e kanë katandisur në ditën e saj më të zezë. Ne u ofruam mundësinë në Parlament, duke ofruar amendamentet tona për heqjen e taksave, për uljen e taksave për bizneset që të krijonin më shumë vende pune, nuk i pranuan, i shkelën, i hodhën poshtë. Ai nuk ka ofertë, ai nuk ka zgjidhje sepse për të punësimi juaj nuk është prioritet. Ka dy vjet që e ka provuar.

Për mua, punësimi i shqiptarëve, punësimi i të rinjve është prioriteti numër një”, tha Basha. Kreu i PD-së tha se, platforma e partisë së tij parashikon ulje të çmimit të energjisë dhe falje të kamatë-vonesave. “Me votën për PD-në, më 21 qershor ju do të votoni për alternativën tonë, për uljen me 25 për qind të çmimit të energjisë dhe faljen e gjithë kamatë-vonesave anembanë Shqipërisë, për të mbajtur hapur të gjitha universitetet publike dhe filialet e tyre nga Kukësi, Peshkopia e kudo në Shqipëri dhe për të ulur tarifat studentore në nivelin e mëparshëm”. Basha premtoi ulje të taksave dhe rikthim tek taksa e sheshtë. “Me taksat e rritura shkaktuan krizë ekonomike, eksod për shqiptarët, varfëri për shqiptarët, papunësi për shqiptarët, çmime të larta për shqiptarët, për vete kridhen në lukse të papara. Ne së bashku do të hapim rrugën e taksave të ulëta, më të ulëtat në Ballkan dhe rikthimin e taksës së sheshtë në të gjitha nivelet”, u shpreh Basha.

Basha në Durrës

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, edhe në Durrës, teksa shpalosi ofertën e Partisë Demokratike, i premtoi qytetarëve uljen e çmimit të energjisë dhe taksat, duke nisur me taksën e qarkullimit. “Platforma e demokratëve është së pari, ulja e taksave për t’u mundësuar bizneseve të hapin më shumë vende pune dhe vende pune me paga më të mira. Së dyti, falja e kamatë-vonesave anembanë vendit dhe ulja me 25% e çmimit të energjisë elektrike”, bëri të ditur kryetari i demokratëve. Prej dy vitesh, tha Basha, qeveria ka ngrirë pagat dhe pensionet. Çmimet janë rritur, taksat janë rritur, të vetmet që s’janë rritur janë pagat dhe pensionet, theksoi kryetari i PD, duke bërë të ditur se në platformën e demokratëve, rritja e pagave dhe pensioneve do të jetë prioritet. “Duke votuar për PD, ju do të votoni alternativën tonë të heqjes nga frigoriferi i ngrirjes të pensioneve e rrogave, rritjes së rrogave e pensioneve dhe rikthimin në listën e asistencës ekonomike të gjithë familjeve që janë hequr në mënyrë të padrejtë nga kjo listë, duke i privuar nga buka e gojës”, u shpreh kryetari i opozitës.

Basha takon Zannier: Shqetësuese rastet e manipulimeve

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti dje sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Lamberto Zannier, i cili shoqërohej nga ambasadori Florian Raunig, kryetar i prezencës së OSBE-së në Shqipëri. Basha ndau me drejtuesit e lartë të OSBE-së shqetësimin për përpjekjet e vazhdueshme të mazhorancës për të ndryshuar vullnetin e zgjedhësve, duke vënë në rrezik standardet e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Kjo mazhorancë, tha Basha, e ka dëshmuar me zgjedhjet e Korçës se, është shumë larg standardit të votimeve të lira dhe të ndershme. Pasi u faktua botërisht blerja e votës në Korçë, nuk u mor asnjë masë nga kjo mazhorancë, që ishte dhe përgjegjësja kryesore e organizimit të skemës së shitblerjes së votës, por në mënyrë të paprecedentë ngjarja u amnistua.

Basha theksoi se me dhjetëra raste janë bërë tashmë publikë të skemës së re të ngritur nga dyshja Rama-Meta, për manipulimin e votave, që nga presioni i hapur ndaj drejtorëve të administratës publike, për të blerë votat dhe për të marrë vota me çdo mënyrë e deri tek falsifikimi i kartave të identitetit e shtimi i votuesve në zona të ndryshme të vendit. Më pas, kreu demokrat tha se në media u bë publike skema e falsifikimit të kartave të identitetit në funksion të zgjedhjeve të 21 qershorit, por shumë shqetësuese janë edhe tentativat për manipulimin e listave zgjedhore të konstatuara në Durrës dhe në Kavajë, ku janë vendosur fiktivisht qindra qytetarë në lista, edhe pse vendbanimi i tyre nuk është në këtë zonë zgjedhore. Këto fakte i janë dërguar edhe prokurorisë, tha Basha, dhe pritet një vendim nga organi i akuzës.

Kryetari i Partisë Demokratike ndau me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-s edhe shqetësimin për përfshirjen në listat e kandidatëve të personave me precedent kriminal. “Mazhoranca, pasi i ka promovuar në postet më të larta drejtuese në administratë dhe në Parlament, i ka kandidatë për kryetar bashkie. Megjithë angazhimin e Partisë Demokratike, ka një mungesë vullneti të mazhorancës për të miratuar aktet ligjore që do të ndalonin personat me precedentë kriminalë të garonin në zgjedhjet e 21 qershorit”, tha kreu i PD-së. Më tej ai shprehu shqetësimin edhe për dhunën e ushtruar ndaj anëtarëve dhe simpatizantëve të Partisë Demokratike gjatë tubimeve elektorale, duke sjellë në vëmendje rastin e Durrësit, ku militantët e PS-së dhunuan anëtarë të PD-së, rastin e Ersekës ku u tentua të goditet kryetari i opozitës, rastin e Malësisë së Madhe, ku pas takimit elektoral, policia ushtroi kontrolle ndaj simpatizantëve të PD-së. Po ashtu ai riktheu në vëmendje dhe dhunën policiore ndaj simpatizantëve të Partisë Demokratike në Vorë dhe presionin e hapur që i bëhet kandidatit demokrat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat