Qeveria zbutet për fushatë, fal gjobat dhe jep 60 mijë legalizime

Shqipëria

Qeveria zbutet për fushatë, fal gjobat dhe jep 60 mijë legalizime

Më: 27 maj 2015 Në ora: 08:07

Komisioni i Ligjeve ka miratuar dje në parim projektligjin, i cili i jep zgjidhje legalizimit të 60 mijë objekteve të ndërtuara pas 2009-s dhe ka diskutuar edhe projektligjin që parashikon faljen e gjobave dhe kamatëvonesave për sigurimet shëndetësore edhe shoqërore. Opozita i cilëson si akte elektorale.

Të gjithë atyre qytetarëve që kanë ndërtuar pas vitit 2009 do t’u jepet e drejta të futen në proces legalizimi. Komisioni i Ligjeve ka miratuar dje në parim projektligjin, i cili i jep zgjidhje legalizimit të 60 mijë objekteve të ndërtuara në të gjithë Shqipërinë. Gjithashtu, komisioni diskutoi edhe projektligjin që parashikon faljen e gjobave dhe kamatëvonesave të sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore. Sjellja e këtyre ligjeve në prag të zgjedhjeve ka shkaktuar debate, pasi opozita i ka cilësuar si ligje elektorale.

Legalizimet

Qeveria propozon në harkun kohor të 18 muajve një tjetër ndryshim në ligjin e legalizimeve, që i hap rrugë përfshirjes në proces të rreth 60 mijë objekteve të ndërtuara pa leje pas vitit 2009, të përjashtuara nga ligji i mëparshëm për shkak të ndryshimeve të miratuara në Kodin Penal.
“Ndryshimet në Kodin Penal, të futura në fuqi në janar të 2009-s, kishin dy parashikime. Së pari, bllokonin legalizimin e ndërtimeve të bëra në tokë shtetërore apo në tokën e palëve të treta. Së dyti, parashikonin dënim me gjobë dhe me burg”, – u shpreh Artan Lame, kryetar i ALUIZNI-t. Por opozita thotë se qeveria nuk ka mbajtur premtimin për legalizim falas, të cilin propozon të përfshihet në ligj, ashtu sikurse heqjen e barrës hipotekore për energjinë.

“Pse ju nuk mbani premtimin? Së dyti, pse e keni refuzuar atë që ne u përpoqëm t’ia bashkëngjisnim premtimit tuaj, ta sillnit sot këtu legalizimin falas? A do të ishte me vend që ju të propozonit heqjen e barrës hipotekore për faturën e energjisë?”, – deklaroi deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi.

“Procesi i legalizimit është i gjithi falas. Do paguash – me ato 4-5 zbritje të përcaktuara – vetëm parcelën ndërtimore, nëse nuk është e jotja, por është e shtetit apo e një pronari. Nga paratë që do paguash parcelën, 10% të tyre mos ia jep ALUIZNI-t. Paguajini një vit dritat dhe sillni faturën që keni paguar dritat për një vit, në mënyrë që të të falen edhe këto 10%. Barra në këtë rast është pozitive për qytetarët”, – tha më tej kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame.

Kreu i ALUIZNI-t thotë se nga 350 000 objekte pa leje në total, 50 000 janë legalizuar nga viti 2005, 21 700 gjatë 8 viteve të qeverisjes së demokratëve dhe 32 200 gjatë këtyre 18 muajve. Nga 300 mijë objekte të mbetura; 200 mijë, të cilat gjenden në zona informale sipas zotit Lame, parashikohen të legalizohen deri në vitin 2017.

“Se çfarë ka legalizuar PD-ja në 8 vjet dhe çfarë ka legalizuar Lame në 18 muaj…Në 8 vjet keni legalizuar 21 700, në 18 muaj keni legalizuar 32 000. Zoti kryetar, këtu mbyllet çdo gjë”.

Komisioni i Ligjeve diskutoi edhe projektligjin për faljen e gjobave për sigurimet shëndetësore dhe shoqërore për rreth 59 mijë e 400 subjekte. Sipas deputetit Oerd Bylykbashi, një ligj i tillë është sjellë vetëm për të marrë disa vota më shumë, por një gjë e tillë u kundërshtua nga deputeti socialist, Bashkim Fino.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat