Kryeministri Vuçiç në Tiranë: Kosova dhe Metohia janë Serbi (Video)

Shqipëria

Kryeministri Vuçiç në Tiranë: Kosova dhe Metohia janë Serbi (Video)

Më: 27 maj 2015 Në ora: 07:31

(E plotesuar) - Pak minuta pas orës 11.00 të paradites, Aleksandër Vuçiç la aeroportin e Rinasit në drejtim të Tiranës, duke u bërë kështu i pari Kryeministër i Serbisë që viziton Shqipërinë.

Ashtu siç Edi Rama nuk u prit në Beograd në selinë e Qeverisë, por në Pallatin Serbia, reciprociteti i protokolleve ishte një nga arsyet pse ceremonia zyrtare për Aleksandër Vuçiç u zhvillua pranë Pallatit të Brigadave.
Pas himneve, përkulja para flamurit.
Takimi kokë më kokë dhe më pas ai mes delegacioneve i paraprinë konfencerës së përbashkët për shtyp.
Këtë herë Edi Rama preferoi të mos e provokojë homologun e tij serb. Ndryshe nga sa bëri në Beograd, Kryeministri i Shqipërisë nuk i kërkoi Serbisë njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe tha se këtë e bënte në rrespekt të sensibiliteteve të miqve.
Pozicionet më të zbutura të Ramës i ranë në sy edhe gazetarëve serb, që e pyetën Kryeministrit nëse përveç retorikës kishte ndryshuar edhe qëndrim.
Aleksandër Vuçiç këtë herë jo vetëm që nuk e hoqi kufjen, por theksoi se Serbia e shikon Kosovën si territor të saj. Ai gjithsesi u shpreh shumë i kënaqur nga pritja që i ishte rezervuar.
Mediat serbe ngacmuan Ramën edhe mbi trajtimin e minoriteteve.
Ndonëse pyetja nuk ishte për Vucic, edhe ai dha qëndrimin e tij.
Droni me flamurin e Shqipërisë së Madhe mbi stadiumin në Beograd u prek përsëri, por ndryshe nga sa më parë, Kryeministri serb Vucic nuk fajësoi më vëllanë e Kryeministrit Rama por ia faturoi autorësinë Ismail Morinës.
Të dy kryeministrat shprehën gatishmërinë për të rritur bashkëpunimin, pavarësisht temave që ndajnë dy vendeve.

Rama: Vullnet për një rajon pa kufi; Vuçiç: Të zgjerojmë marrëdhëniet ekonomike

Kryeministri Edi Rama deklaroi të mërkurën se vullneti i qeverisë shqiptare është i palëkundur për të çuar përpara axhendën e një rajoni pa kufi, ku mes shqiptarëve, serbëve etj të bien barrierat e trashëguara prej vitesh”.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri, Kryeministri Rama uroi që mbresat pozitive të vizitës 24 orëshe të Vuçiç në Shqipëri, ta nxisin kolegun serb që të ftojë bashkëqytetarët e tij që ta vizitojnë Shqipërinë, sidomos gjatë verës”. Duke shfrytëzuar rastin e pjesëmarrjes së medias serbe në Pallatin e Brigadave, Kryeministri siguroi se “qytetarët serbë do të gjejnë vendpushimet, ushqimin dhe mikëpritjen më të mirë në Shqipëri.

Kryeministri Vuçiç është i pari vizitor i këtij rangu nga Beogradi që viziton vendin tonë, deklaroi më tej Rama, ndërsa shtoi se “vizitat e ndërsjellta në rang kryeministrash u kryen në harkun e 6 muajve, pas një kohe të stërgjatë akulli mes dy shteteve tona”.

“Për ne, ky fakt është shenjë e padyshimtë e dëshirës dhe vullnetit të përbashkët për të sjellë të dy kombet tona pranë njeri-tjetrit, pavarësisht se jemi ende larg të qenit dakord për gjithçka”, deklaroi më tej Kryeministri shqiptar.

Sipas tij “sot shqiptarët dhe serbët kanë mundësi historike që ta kthejnë paqen që, mezi e arritëm në këtë rajon, në një paqe që ia vlen të jetohet”.

“Shqiptarët dhe serbët kanë sot mundësinë të bëjnë për të mirën tonë dhe të njëri- tjetrit atë që francezët dhe gjermanët bënë për veten dhe Europën pas Luftës së Dytë Botërore. Vullneti i qeverisë shqiptare është i palëkundur për të çuar përpara axhendën e një rajoni pa kufi, ku mes shqiptarëve, serbëve etj. të bien barrierat e trashëguara prej vitesh, të gjitha barrierat që na kanë penguar deri më sot, për ta projektuar të ardhmen si një destinacion të përbashkët në rrugën e integrimit”, tha ai.

“Ne jemi shumë të vegjël për të mos u bërë bashkë në përpjekjen për të rritur ekonominë tonë dhe shumëfishuar energjinë pozitive, që kaq shumë i duhet kombeve tona në këto kohë mundësish të mëdha dhe njëkohësisht sfidash të rënda për secilin prej nesh”, vijoi Rama.

Ai shprehu bindjen se, “suksesi ynë i përbashkët është e vetmja rrugë për të mbërritur suksesin që duam për kombet dhe vendet tona, në këtë rajon ku jetojmë kaq të ndërlidhur me fatet tona”.

Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç në konferencën e përbashkët për shtyp

Në fakt, vijoi Kryeministri Rama, vendet e Ballkanit janë kaq të ndërvarura sa është e pamundur të imagjinohet që njeri mund të shkojë përpara, teksa tjetri mbetet prapa, ndërkohë që një i tretë ngec në vend. “Sepse ne jetojmë me një pjesë të tjetrit dhe kjo duhet të na motivojë të gjithëve që drejtimin e duhur për veten ta shohim të pandarë nga drejtimi i duhur për tjetrin. Duke ecur veç e veç në drejtimin e duhur të integrimit të vendeve tona në BE, të bëjmë dhe për tjetrin as më shumë dhe as më pak se sa pretendojmë që tjetri të bëjë me ne dhe për ne”, shtoi ai.

“Kurajoja që Franca dhe Gjermania patën për të ecur së bashku pas Luftës së Dytë Botërore, duke kapërcyer një lum të tërë gjaku që rridhte prej shtresave të historisë së një ndasie tejet të egër, duhet të na frymëzojë për ta kthyer këtë kohë të panjohur paqeje mes nesh, në fazën më historike të ndërtimit të themeleve të një bashkëjetese të qëndrueshme, në paqe dhe harmoni ndëretnike, ndërfetare e ndërshtetore”, tha më tej Rama.

Historia e ndasisë mes shqiptarëve dhe serbëve, sipas tij, është e atillë që e bën sot sfidën e paqes së qëndrueshme mes nesh, një përgjegjësi të përbashkët edhe ndaj fatit të së nesërmes së rajonit, si i tërë.

“Fakti që edhe një top futbolli rrezikoi të na rrokulliste në pikën zero 6 muaj më parë, ishte mjaft domethënës për brishtësinë e kësaj kohe të re paqeje dhe për peshën e rëndë të sfidës që përbën kthimi i saj në një fazë të re bashkëjetese dhe bashkëveprimi mes nesh”, tha më tej Rama, duke komentuar incidentet gjatë ndeshjes Shqipëri-Serbi.

Por sipas tij, aty ku ka një vullnet të përbashkët, ka me patjetër edhe një rrugë të përbashkët. “Është një e vërtetë që vlen edhe për ne shqiptarët dhe serbët dhe pavarësisht se ka ende mes nesh një mosdakordësi sa një mal lidhur me çështjen e Kosovës, sidoqoftë kjo mosdakordësi nuk e zbeh aspak vlerën e madhe të dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, që për ne është prologu kurajoz i çeljes së një kapitulli të ri jo vetëm në marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve, por edhe në historinë e përbashkët të rajonit”, vijoi Rama.

“Pa hapjen e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, procesi i çelur në Berlin për bashkëpunimin rajonal në rrugën e integrimit europian, nën lidershipin e Kancelares Merkel dhe Gjermanisë mike, nuk do të kishte qenë dot i mundur”, tha Rama.

Ashtu sikurse, sipas tij, “nuk do të kishte qenë sot e mundur që ne, Shqipëria dhe Serbia, të kishim hyrë në rrugën e bashkëpunimit konkret për të realizuar projekte të përbashkëta për rrjetet e integruara infrastrukturore dhe energjetike, apo jo më pak e rëndësishme për bashkëpunimin rinor nën shmebullin frymëzues të Francës dhe të Gjermanisë së pasluftës”.

Kryeministri Rama rikonfirmoi vullnetin e plotë të palës serbe dhe kryeministrit Vuçiç për të jetësuar plotësisht marrëveshjen për njohjen reciproke të diplomave të të rinjve, çka, sipas tij, “u dakordësua në parim në takimin e shkuar në Beograd dhe unë pata rastin t’ua përcjell që të nesërmen shqiptarëve të Luginës së Preshevës”. “Ata presin më shumë nga qeveria e Serbisë dhe kryeministri Vuçiç në këmbim të vullnetit të tyre për të respektuar plotësisht shtetin dhe institucionet e Serbisë, ashtu sikundër ne këtu në Shqipëri presim që shqiptarëve të jugut të Serbisë t’u rezervohet po një trajtim dinjitoz që u rezervohet serbëve të veriut të Kosovës”, tha Rama.

Kryeministri shqiptar theksoi se dialogu Serbi-Kosovë, të cilin Shqipëria e mbështet qysh në krye të herës duke përshëndetur kurajon dhe vulletin për të ecur përpara të lidershipit të të dyja palëve, duhet të përparojë paralelisht me zbatimin e marrëveshjeve të dakordësuara. Sepse, sipas tij, nuk është në interesin e askujt, që një dialog jetik për ardhërinë e rajonit, të mbetet një histori europiane suksesi në letër.

Prandaj, tha më tej Rama, edhe jetësimi i përfshirjes së plotë të Kosovës në inisiativa dhe organizata rajonale dhe ndërkombëtare sipas parimeve të gjithëpërfshirjes dhe në përputhje me angazhimet e ndërmarra nga të dyja palët për të mos e penguar këtë proces, është një domosdoshmëri jo thjesht për produktivitetin e dialogut, por për forcimin aq shumë të nevojshëm të besimit reciprok, të qëndrueshmërisë të paqes ende të brishtë dhe të urave ende të dobëta të bashkëpunimit në rajon”.

Vuçiç: Marrëdhëniet Serbi-Shqipëri, ‘kyçe’ për Ballkanin Perëndimor

Në deklaraten e tij, kryeministri Vuçiç tha se vizita e tij në Tiranë synon të tregojë se pala serbe “dëshiron marrëdhënie të mira të miqësisë mes dy vendeve dhe po ashtu marrëdhëniet politike mund të jenë të mira”.

Kryeministri serb shprehu bindjen se “marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë e kanë një të ardhme të mirë” dhe ne “dëshirojmë t’i japim dorën miqësore popullit shqiptar, pa marrë parasysh ndryshimet tona”. Ne mendojmë ndryshe dhe deklaratat mund të jenë ndryshme, por kjo nuk duhet të ndikojë në marrëdhëniet tona strategjike në të ardhmen. Ne nuk pajtohemi për statusin e Kosovës por Shqipëria sot i ka marrëdhëniet shumë më të mira me Serbinë se sa në të kaluarën dhe besoj se dhe në të ardhmen do të jenë shumë më të mira”, u shpreh kryeministri Vuçiç.
Ai theksoi rëndësinë që kanë për rajonin marrëdhëniet Serbi-Shqipëri, duke i konsideruar ato ‘kyçe’ për Ballkanin Perëndimor.
Duke nënvizuar angazhimin për zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike dypalëshe, Vuçiç kërkoi bashkëpunim me palën shqiptare për të punuar mbi projekte të përbashkëta sidomos në infrastrukturë. “Me homologun Rama biseduam dhe mbi mundësitë e bashkëpunimit në fushën e turizmit, në mënyrë që qytetarët e të dy vendeve të shkëmbejnë vizita reciproke”, u shpreh kryeministri serb.

Marrëdhëniet Shqipëri-Greqi- Rama:Nuk kemi ndërmend t’a negociojmë interesin kombëtar për të krijuar idenë e një fqinjësie të mirë

Lidhur me marrëdhëniet Shqipëri- Greqi, Kryeministri Rama i cilësoi si të mira dhe se qeveria shqiptare do të kërkojë të gjejë gjuhën e përbashkët me fqinjin jugor sa i takon çështjeve në interes kombëtar.

Rama tha se kemi një marrëdhënie të gjatë të fqinjësisë së mirë, partneritet të nënvizuar strategjik dhe nuk kemi absolutisht asnjë lloj problemi me qeverinë e Athinës. “Unë e kam ururar kryeministrin grek Cipras, e kam ftuar për vizitë në Tiranë, dhe do të isha i lumtur të vizitoja Athinën. Nga ana tjetër nuk shoh asnjë arsye që as Athina as qarqe mendimtarësh apo politikanësh, të çuditen pse shteti shqiptar kërkon nga autoriteti grek bazuar në praktikat rutinore diplomatike e në të drejtën ndërkombëtare informacion për kërkimet në det”, tha kryeministri Edi Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se nuk është sekret dhe nuk ka filluar me qeverinë e re të Athinës përpjekja jonë për të gjetur gjuhën e përbashkët dhe për të zgjidhur një çështje që për ne është në interesin kombëtar, si çështja e kufirit detar.

Bashkëpunimi ynë, vijoi kryeministri Rama, ka qënë i mirë edhe me qeverinë e kryeministrit Samaras. “Kemi zgjidhur problemin e vjetër e të vështirë të toponimeve. Ne nuk kemi ndërmend t’a negociojmë interesin kombëtar për të krijuar idenë e një fqinjësie të mirë. Ne jemi pro një politike të jashtme me zero probleme me fqinjët, por jo të mbyllim sytë kur shfaqet një problem që nuk e kemi krijuar ne”, deklaroi Kryeministri.
Duke iu përgjigjur interesit të medias lidhur me qëndrimin e Athinës sa i takon zgjedhjes së Kreut të PDIU-së, Shpëtim Idrizi nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë, Rama tha se “ashtu siç ne nuk e imagjinojmë t’i tregojmë Athinës se kë të zgjedhë në krye apo nënkrye të parlamentit, nuk e imagjinojmë që Athina apo çdo kush tjetër të na tregojë se si të veprojë Parlamenti i zgjedhur nga populli sovran. Kjo është një çështje e qartë për ne, e për të gjithë të tjerët, problem artificial”, deklaroi Rama.

***

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në konferencën e përbashkët me kryeministrin serb, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se ai nuk është ndier i provokuar nga homologu i tij serb.
“Unë nuk jam ndier i provokuar edhe pse në çështjen e Kosovës kemi qëndrime absolutisht të ndryshme”, ka thënë Rama.

Vuçiç: S’mund të ndahemi nga e shkuara, të shohim të ardhmen

Kryeministri serb Aleksandër Vuçiç ka deklaruar në koferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama se nuk mund të ndahemi nga e shkuara.

“Ne duhet të shohim drejt të ardhmes. I shtrij dorën e bashkëpunimit Shqipërisë”, ka thënë Vuçiç.

Ai ka thënë se janë shumë larg për qendrimet mbi Kosovën por shpreson që të barazojnë qendrimet.

“Kemi folur jo vetëm për diplomat por dhe për zhvillimin e turizimit. Si të motivojmë qytetarët serbë të vijnë në Tiranë dhe anasjelltas. Jemi në rrugë të mirë që duhet të bëjmë më shumë. Është fakt që nuk pajtohemi për Kosovën”, tha Vuçiç.

Lidhur me faktin se ai është kryeministri i parë serb që viziton Tiranën Vuçiç tha se ndjehet krenar për këtë fakt.

Rama: Jemi shumë të vegjël për të mos u bërë bashkë!

Ka filluar edhe konferenca mes dy kryeministrave, atij të Shqipërisë Edi Rama, dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kryeministri Rama me këtë rast ta se beson që këto 24 orë sa do të qëndroj Vuçiq në Tiranë do të jenë shtyse që të kthehet përsëri me plot kënaqësi.

“Vuçiq po merr pjesë këtu në takimin e organizuar nga shteti shqiptar. Ai është i pari vizitor i këtij rangu që pritet në Tiranë me të gjitha nderimet protokollare, pas një kohe të stërzgjatur akulli mes shteteve tona. Takimi i sotëm është shenjë e vetëdijes dhe e bindjes se sot shqiptarët e serbët kanë mundësi historike, që të jetojnë në paqe”, ka thënë Rama.

Ai më pas ka theksuar se duhet të bien barrierat e trashëguar prej vitesh mes serbëve dhe shqiptarëve.

“Atë që bënë gjermanët dhe francezët bënë për Evropën ne do ta bëjmë për Ballkanin. Ne jemi të vegjël për tu mos u bërë bashkë, që na duhet në këtë kohë me mundësi të mëdha dhe me shumë sfida.

Fatet e vendeve tona janë të ndërvarura dhe është e pamundur që dikush të shkoj përpara e tjetri të mbetet mbrapa, për arsye që lidhen mes njëri tjetrit”, ka theksuar Rama.

Kryeministri Rama ka shtuar se historia e ndasisë mes nesh është e tillë që e bën bashkëpunimin tonë sot.

“Fakti që edhe një top futbolli të na rrokulliste në pikën zero, është tregues për peshën e rëndë dhe brishtësisë mes nesh. Aty ku ka vullnet të përbashkët, ka edhe rrugë të përbashkët dhe kjo vlen mes shqiptarëve dhe Serbisë”, ka shtuar Rama.

Ai ka theksuar se mos dakordsia për Kosovën, nuk e zbehë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Dialogu nuk duhet të mbetët në letër.

Vuçiç përfundon takimin me Ramën

Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç u bë kreu i qeverisë serbe që shkeli në tokën shqiptare. Rreth orës 11:00, Vuçiç mbërriti ne Rinas, në vizitën e parë zyrtare të një kryeministri serb në vendin tonë. Kryeministri Edi Rama priti homologun e tij serb në një ceremoni zyrtare në Pallatin e Brigadave, gjashtë muaj pasi i kërkoi në shqip njohjen e shtetit të Kosovës.

Vizita e Vuçiç në Tiranë ka angazhuar prej ditësh qeverinë shqiptare për organizimin e të gjithë ceremonive zyrtare, ndryshe nga çdo pritje e krerëve të qeverive të tjera, ndërkohë që krahasohet për nga masat e sigurisë me vizitën e Papa Françeskut që vizitoi Tiranën në shtator.

Për mbarëvajtjen e kësaj vizite janë angazhuar rreth 1500 forca policie, gardistë, shërbimet inteligjente dhe Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit.

12:25 - Përfundon takimi kokë më kokë Rama-Vuçiç

Pas rreth 30 minutash përfundoi edhe takimi bilateral mes kryeministrave të dy shteteve. Diskutimet që janë bërë në këtë takim, pritet të mësohet gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, e cila është planifikuar të nisë në orën 12:50.

1:45 - Aleksandër Vuçiç është pritur me ceremoni zyrtare në Pallatin e Brigadave, ku pas shtrëngimit të dorës me homologun shqiptar Edi Rama, banda muzikore ka luajtur himnin e Serbisë e mandej sipas protokollit himnin tonë kombëtar.

Vuçiç mbërrin në Tiranë, pritet me himnin dhe flamurin serb
Kryeministri serb Aleksandër Vuçiç ka mbërritur rreth orës 11:00 në aeroportin “Nënë Tereza” ku është pritur nga një delegacion shqiptar.

Pas 30 minutash ai ka mbërritur në “Pallatin e Brigadave” ku është pritur nga kryeministri Rama.

Vuçiç ka ardhur me delegacionin serb të përbërë nga disa ministra të tij dhe gazetarë serbë.

Ai është pritur me flamurin serb dhe pasi janë ekzekutuar himnet e të dyja shteteve ka takuar delegacionin shqiptar.

Kujtojmë që në vizitën e tij në Serbi kryeministri Rama nuk u prit në të njëjtën mënyrë pasi nuk u ngrit flamuri shqiptar.

Vuçiq zbret në Tiranë, masa të rrepta sigurie

Për herë të parë një kryeministër serb shkel tokën shqiptare. Në orën 11:00 kryeministri Aleksandër Vuçiq dhe delegacioni që e shoqëron mbërriti në aeroportin e “Nënë Tereza” ku u prit nga zv/kryeministri Niko Peleshi.

Më pas delegacioni është nisur drejt Pallatit të Brigadave. Në 11:30 homologu Edi Rama do ta presë në një ceremoni zyrtare si shenjë reciprociteti, e mirëpritjes së Kryeministrit shqiptar në Pallatin Serbska gjatë vizitës së tij në Beograd.

Ndërkohë vizita e kryeministrit të parë serb në Shqipëri blindoi Tiranën nën masa sigurie që janë parë vetëm për vizitën e Atit të Shenjtë.

Tirana në rrethimin e policisë. Vuçiç: 'Shqipëria e madhe', jo ide e së ardhmes

Udhëtimi i kryeministrit serb, Aleksandër Vuçiç në Shqipëri, e para vizitë e një kreu të qeverisë serbe, rrit në maksimum masat e sigurisë të marra nga forcat e rendit. Në total janë angazhuar rreth 1310 forca policore e gardistë, ndërsa kryeqyteti do të monitorohet, sot dhe nesër, edhe nga helikopterë. Për të garantuar sigurinë janë përfshirë dhe shërbimet inteligjente, drejtoria e antiterrorit në Policinë e Shtetit, por edhe stafi i sigurisë së kreut të qeverisë serbe, i cili ka mbërritur më herët në kryeqytetin shqiptar. Burimet zyrtare nga Policia e Shtetit kanë informuar për të gjitha rrugët ku do të ndalohet qarkullimi apo parkimi i automjeteve, që në disa zona nisur që dje në mbrëmje. Në këtë mënyrë do të garantohet siguria e kryeministrit Vuçiç, që nga momenti i mbërritjes së tij në aeroportin “Nënë Tereza”, te ceremonia e pritjes në Pallatin e Brigadave, por dhe takimet me përfaqësuesit e lartë të shtetit shqiptar. Masat e sigurisë shtrihen dhe në Durrës, ku pritet që kryeministri Edi Rama të shtrojë një darkë në nder të homologut të tij serb, por dhe delegacionit që e shoqëron atë.

Masat e sigurisë

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Altin Qato, informoi dje se janë marrë një sërë masash për të garantuar rendin publik, sigurinë dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve që do zhvillohen me rastin e vizitës së kryeministrit të Republikës së Serbisë në Tiranë, më datat 27 e 28 Maj 2015, si dhe për të garantuar rendin e sigurinë në tërësi gjatë dy ditëve të zhvillimit të Samitit Ekonomik të Vjenës në Tiranë. Në këtë kuadër, do të angazhohen strukturat qendrore të Drejtorisë së Përgjithshme për Sigurinë Publike, Drejtorisë së Përgjithshme për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda, Drejtorisë së Përgjithshme për Kufirin dhe Migracionin, Drejtorisë së Antiterrorit, si dhe të Forcës së Posaçme Operacionale.

“Në mbështetje të Drejtorisë së Policisë së qarkut Tiranë dhe Durrës do të angazhohen strukturat e Forcave Lëvizëse Operacionale, konkretisht nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, 160 punonjës policie, si dhe nga Forcat Speciale RENEA 80 punonjës policie. Nga Drejtoria e Policisë së qarkut Tiranë do të angazhohen gjithsej 850 punonjës policie, nga Shqiponjat, Patrullat e Përgjithshme, Policia Rrugore, Hetimi i Krimit, si dhe nga Operacionet Speciale. Gjithsej vetëm në Tiranë do të angazhohen në terren 1090 punonjës policie. Ndërsa në territorin e Qarkut Durrës do të angazhohen 220 punonjës policie”, sqaroi Qato. Policia e Shtetit bëri të ditur se po bashkëpunon dhe bashkërendon veprimet me Gardën e Republikës për të gjitha masat e sigurisë, me Shërbimin Informativ Shtetëror dhe shërbimet e tjera inteligjente për shkëmbimin e informacionit në kohë reale, si dhe me Ministrinë e Mbrojtjes, për monitorimin me helikopter të hapësirës ajrore të qytetit të Tiranës.

Tensionimi i marrëdhënieve

Vizita e kryeministrit serb, Aleksandër Vuçiç në Tiranë vjen pas një situate aspak të qetë të krijuar mes dy vendeve. Gjithçka ka nisur pas ndeshjes Serbi-Shqipëri të mbajtur tetorin e kaluar në stadiumin e Beogradit, në mes të së cilës është ngritur me dron, një flamur me simbolet e asaj që serbët e quajtën “Shqipëria e Madhe”. Ky është konsideruar si provokim i rëndë nga Serbia. Tensionet mes dy vendeve çuan në shtyrjen e vizitës së kryeministrit Edi Rama në Serbi, parashikuar për më 22 tetor të vitit të kaluar. Pas komunikimeve të vazhdueshme, kjo vizitë mundi të zhvillohej në 10 nëntor.

Por edhe kjo vizitë, e cilësuar si historike për faktin se pas 68 vjetësh një kryeministër shqiptar shkonte në Serbi, u shoqërua me tensione të shumta. Situata aspak e qetë nisi që nga takimi kokë më kokë, i zhvilluar në pallatin “Serbia”, mes dy homologëve, të cilët nuk gjetën gjuhën e përbashkët për çështjen e Kosovës. Kjo situatë vijoi edhe në konferencën e përbashkët për shtyp, ku Rama ritheksoi se “pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm dhe se sa më shpejt të njihet, aq më shpejt ne mund të ecim përpara”. Kjo deklaratë bëri që në mënyrë demonstrative homologu serb të largonte kufjet për të mos dëgjuar fjalët e kreut të qeverisë shqiptare. “Nuk e prisja këtë provokim”, tha Vuçiç me zemërim - “Ç’lidhje ka Shqipëria me Kosovën? Kosova nuk është pjesë e Shqipërisë dhe nuk do të jetë kurrë”. Por pavarësisht këtyre tensioneve që vijuan dhe më pas me deklarata të ashpra të palës serbe, nuk penguan vizitën e Vuçiç në Tiranë.

Axhenda e takimeve me krerët e shtetit

Protokolli i Shtetit zyrtarizon axhendën, por dhe orarin e takimeve të kryeministrit të Republikës së Serbisë Aleksandar Vuçiç me krerët e politikës shqiptare.

Sipas kësaj axhende, pas zbritjes në aeroportin “Nënë Tereza”, kreu të qeverisë serbe dhe delegacioni që e shoqëron pritet të jenë në Pallatin e Brigadave në orën 11:30.

Ceremonia e mirëseardhjes do të zgjasë deri në orën 11:45 për t’u pasuar me takimin dypalësh të delegacioneve të kryesuar nga të dy kryeministrat. Këto takime pritet të mbyllen në orën 12:45 minuta.

Në orën 12:50 - 13:20 do të jetë konferenca e përbashkët për shtyp e krerëve të dy qeverive.

Takimi i radhës kryeministrit Vuçiç i është rezervuar nga kryetari i Parlamentit, Ilir Meta. Takimi që nis në orën 15:00 pritet të zgjasë rreth 40 minuta.

Në 15:50 kreu i qeverisë serbe do të pritet nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i cili ka rezervuar një takim të veçantë me të.

Pjesë e takimeve zyrtare është dhe ajo me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, njëherësh kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, takim që nis në orën 16:40 – 17:15.

Rrugët që bllokohen më datat 27-28 maj 2015

Duke filluar nga ora 10:40 datë 27 - 28 maj 2015, do të ketë kufizim deri në bllokim lëvizje në hyrje të autostradës. Segmentet rrugore ku nuk do të lejohet parkimi i mjeteve janë: nga “Ura e Elbasanit” , bulevardi “Zhan Dark”, bulevardi “Gjergj Fishta”, ekspozita “Shqipëria Sot”, ura “Vasil Shanto”, pallati me Shigjeta, “Unaza e Re” në drejtim të sheshit “Shqiponja”.

Gjithashtu nuk do të lejohet asnjë parkim duke filluar nga ora 23:59 datës 26 maj 2015 në akset rrugore si më poshtë vijon: nga rruga e “Rinasit”, në “Qaf Kashar”, sheshi “Shqiponja”, rruga “Dritan Hoxha” në të dyja senset (hyrje-dalje), “Rruga e Durrësit”, sheshi “Skënderbej”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, rruga “Ismail Qemali”(nga Radiotelevizioni në drejtim të Liceut), “Rruga e Elbasanit” deri te “Pallati i Brigadave”.

Nuk do të lejohet parkimi dhe qarkullimi i mjeteve në rrugën “Ismail Qemali” dhe “Donika Kastrioti”. Këshillohen qytetarët të evitojnë lëvizjen me mjete në këto rrugë, ose të përdorin rrugën e vjetër Ndroq.

Ndalohet qarkullimi i pjesshëm dhe i përkohshëm të gjitha kategorive të mjeteve në këto segmente rrugore nga ora 10:40 deri në përfundim të aktivitetit.

Durrës

Duke filluar nga ora 19:00 - 22:30 do të bllokohet qarkullimi i lëvizjes së automjeteve në aksin rrugor Ura e Dajlanit – Plepa-, dhe autostradën “Maminas - Ura Dajlanit”.

Gjithashtu, nuk do të lejohet pushimi dhe qëndrimi i mjeteve në aksin rrugor Ura Dajlanit-Plepa, si dhe përgjatë autostradës Durrës-Tiranë.

Rama-Serbisë: Të bëhemi si Gjermania dhe Franca

Një ditë para vizitës së parë zyrtare të kryeministrit serb, Aleksandër Vuçiç në Tiranë, kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, dha një intervistë për gazetën serbe “Danas” ku përcolli një këshillë, si mënyrë për të zbutur marrëdhëniet mes dy vendeve. Duke iu referuar Francës dhe Gjermanisë, Rama u shpreh se Shqipëria dhe Serbia mund të bëjnë për Ballkanin atë që dy shtetet e BE-së bënë për Evropën pas Luftës së Dytë Botërore.

“Vizita e Vuçiç në Tiranë ka një rëndësi të veçantë, pasi është një tregues i vendosmërisë sonë për vazhdimin e rrugës që nisi në Berlin”, u shpreh Rama, duke theksuar se ka besim në vizionin dhe vullnetin e kancelares gjermane sa i përket të ardhmes së Ballkanit. “Ne presim thellim të bashkëpunimit me Serbinë dhe që së bashku të ecim në rrugën e paqes dhe të integrimit evropian, me besimin se Shqipëria dhe Serbia, populli shqiptar e ai serb, të mund të bëjnë për Ballkanin sot atë që Franca dhe Gjermania, francezët dhe gjermanët bënë për Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore”, tha Rama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat