Garantojmë pavarësinë e KLSH-së

Shqipëria

Garantojmë pavarësinë e KLSH-së

Më: 26 maj 2015 Në ora: 21:38

Gjatë ceremonisë së 90-vjetorit të krijimit të institucionit të Kontrollit të Lartë të Shtetit e organizuar në ambientet e sallës së Seancave Plenare, kreu i Kuvendit Ilir Meta deklaroi se pushteti legjislativ është i angazhuar për të garantuar pavarësinë financiare të KLSH-së si dhe pavarësinë në funksionimin dhe drejtimin e tij.

“Një nga sfidat që ka shoqëruar jo vetëm funksionimin e KLSH-së por edhe mazhorancat që kanë zgjedhur kryetarin e këtij institucioni, është shmangia nga ndikimi politik i veprimtarisë së KLSH-së për t’u përdorur si mjet ndëshkues në kohën e rotacioneve politike. Mendoj se marrëdhënia e përgjegjësisë reciproke, bashkëpunuese e konstruktive që ekziston midis Kuvendit dhe KLSH-së, ofron një vlerë të shtuar jo vetëm për parametrat e mirëqeverisjes së Shqipërisë, por edhe një kontribut në kuadër të avancimit të integrimit evropian të vendit tonë”, tha Meta.

Kryetari i Kuvendit vlerësoi se “ky institucion kushtetues që zgjidhet dhe shkarkohet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës, realisht gëzon një pavarësi institucionale, organizative dhe funksionale”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat