Zannier: Nëse shkelen standardet në këto zgjedhje, do të ishte goditje shumë e rëndë

Shqipëria

Zannier: Nëse shkelen standardet në këto zgjedhje, do të ishte goditje shumë e rëndë

Më: 26 maj 2015 Në ora: 19:28

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti sot Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Lamberto Zannier i cili shoqërohej nga ambasadori Florian Raunig, kryetar i prezencës së OSBE-së në Shqipëri.

Basha ndau me drejtuesit e lartë të OSBE-së shqetësimin për përpjekjet e vazhdueshme të mazhorancës për të ndryshuar vullnetin e zgjedhësve duke vënë në rrezik standardet e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Kjo mazhorancë, tha Basha e ka dëshmuar me zgjedhjet e Korçës se është shumë larg standardit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Pasi u faktua botërisht blerja e votës në Korçë nuk u mor asnjë masë nga kjo mazhorancë që ishte dhe përgjegjësja kryesore e organizimit të skemës së shitblerjes së votës por në mënyrë të paprecedentë ngjarja u amnistua.

Basha theksoi se me dhjetëra raste janë bërë tashmë publikë të skemës së re të ngritur nga dyshja Rama-Meta, për manipulimin e vota, që nga presioi i hapur ndaj drejtorëve të administratës publike, për të blerë votat dhe për të marrë vota me çdo mënyrë e deri tek falsifikimi i kartave të indetitetit e shtimi i votuesve në zona të ndryshme të vendit.

Një ditë më parë tha Basha, në media u bë publike skema e falsifikimit të kartave të identitetit në funksion të zgjedhjeve të 21 qershorit, por shumë shqetësuese tha Basha janë edhe tentativat për manipulimin e listave zgjedhore të konstatuara në Durrës dhe në Kavajë, ku janë vendosur fiktivisht qindra qytetarë në lista, edhe pse vendbanimi i tyre nuk është në këtë zonë zgjedhore. Këto fakte i janë dërguar edhe prokurorisë tha Basha dhe pritet një vendim nga organi i akuzës.
Kryetari i Partisë Demokratike ndau me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-s edhe shqetësimin për përfshirjen në listat e kandidatëve të personave me precedent kriminal. Mazhoranca pasi i ka promovuar në postet më të larta drejtuese në administratë dhe në Parlament i ka kandidat për kryetar Bashkie. Me gjithë angazhimin e Partisë Demokratike ka një mungesë vullneti të mazhorancës për të miratuar aktet ligjore që do të ndalonin personat me precedentë kriminalë të garonin në zgjedhjet e 21 qershorit.

Basha shprehu shqetësimin edhe për dhunën e ushtruar ndaj anëtarëve dhe simpatizantëve të Partisë Demokratike gjatë tubimeve elektorale duke sjelle në vëmendje rastin e Durrësit, ku militantët e PS dhunuan anëtarë të PD-së, rastin e Ersekës ku u tentua të goditet kryetari i opozitës, rastin e Malësisë së Madhe, ku pas takimit elektoral, policia ushtroi kontrolle ndaj simpatizantëve të PD-së, dhunën policiore ndaj simpatizantëve të Partisë Demokratike në Vorë dhe presionin e hapur që i bëhet kandidatit të Partisë Demokratike.

Dhuna policore dhe presioni ndaj disa kandidatëve janë një shembull i keq i përdorimit politik nga qeveria të Policisë së Shtetit me përpjekjen për të shantazhuar mbështetësit e opozitës.
Mazhoranca përmes KQZ tenton të eliminojë garën në këto zgjedhje, duke mos lejuar kandidimin në disa zona të disa kandidatëve, aty ku Rama dhe Meta dyshojnë se këto alternativa tërheqin vota të shumicës.

Gjithashtu, përmes presioneve ndaj KQZ, mazhoranca përpiqet të eliminojë në tryezë kandidatin e opozitës për Kurbinin duke mos lejuar regjistrimin e tij.
Sipas Basha është e dënueshme dhe e papranueshme gjuha fyese e kryeministrit ndaj kandidatëve të opozitës, dhe presioni e kërcënimet që ai u bën qytetarëve kur thotë se do të bllokojë fondet nëse nuk votojnë kandidatët e tij.

Po ashtu, u denoncuan edhe rastet e vendosjes së qeverisë dhe aseteve të saj në shërbim të kandidatëve të majtë, si një shkelje flagrante e Kodit Zgjedhor.
Pas paraqitjes së situatës nga zoti Basha, Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Lamberto Zannier tha se do të merren të gjitha masat që vëzhguesit e OSBE-së të jenë prezent dhe monitorojnë procesin dhe në fund do të ketë një raport të vërtet dhe të detajuar për atë që do të ndodh me 21 qershor.
Zoti Zannier theksoi se në qoftë se do të shkelen standardet në këto zgjedhje kjo do të ishte goditje shumë e rëndë në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.


Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat