OSBE largon nga Shqipëria 116 tonë kimikate të rrezikshme

Shqipëria

OSBE largon nga Shqipëria 116 tonë kimikate të rrezikshme

Më: 26 maj 2015 Në ora: 18:15

Rreth 116 tonë kimikate të rrezikshme, që ndodhen në Qafë-Mollë (Dajt) do të dërgohen për asgjësim jashtë Shqipërisë. Këto lëndë kimike, të mbledhura nga mjedise ushtarake nga i gjithë vendi, u paketuan në mënyrë të sigurt dhe u grumbulluan në Qafë-Mollë, në fund të vitit 2013, në kuadër të një projekti të ndërmarrë nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, me financim të disa shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së.

Ceremonia e nesërme shënon fazën e dytë të këtij projekti, gjatë së cilës do të bëhet transportimi i lëndëve kimike në tri vende, Greqi, Suedi dhe Portugali, ku do të bëhet asgjësimi i tyre.

Në ceremoninë që do të zhvillohet nesër, nga ora 9:00 deri në 10:00, në Qafë-Mollë, do të jetë i pranishëm Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Lamberto Zannier, i cili ndodhet për një vizitë dyditore në Tiranë, si dhe ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli.

Të pranishëm do të jenë edhe Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Florian Raunig, ambasadorët e Austrisë, Gjermanisë, Çekisë dhe përfaqësues të vendeve të tjera që kanë financuar projektin.

Prezenca e OSBE-së e ka ndihmuar Shqipërinë, që nga viti 2008, në përpjekjet e saj për të asgjësuar municionet e tepërta konvencionale dhe kimikatet helmuese. Prezenca e OSBE-së ka ndihmuar në asgjësimin e 60 tonëve mélange (një përbërës toksik i karburantit të raketave), 120 tonëve dichloroethane, si dhe ka ofruar pajisje për shkatërrimin e municioneve të tepërta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat