Falen gjobat për mospagimin e kontributeve të sigurimeve

Shqipëria

Falen gjobat për mospagimin e kontributeve të sigurimeve

Më: 26 maj 2015 Në ora: 17:56

Të gjitha gjobat e vendosura për moszbatimin në afat të kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore do të falen.

Kështu vendosën anëtarët e Komisionit të Ligjeve, me miratimin e projektligjin “Për faljen e gjobave për mospagimin në afat të kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nga subjekte juridikë dhe fizikë”.

Të pranishëm në mbledhjen e Komisionit ishin Artan Hoxha dhe Vullnet Sadushi nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Përfaqësuesit e ISSH theksuan se ky projektligj vjen në kuadër të reformës së pensioneve dhe nuk parashikon faljet për gjobat që janë vendosur për punonjësit që janë mbajtur jashtë skemës së sigurimeve shoqërore.

Projektligji parashikon faljen e gjobave të vendosura nga mospagimi i sigurimeve shoqërore dhe si afat të fundit ka datën 30 korrik. Projektligji i propozuar nga Këshilli i Ministrave u miratua në tërësi me ndryshimet e propozuara nga deputetët ndërsa parashikon edhe faljen për bizneset që janë në proces ankimimi.

Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi tha se jemi përpara një projektligji që ka vetëm një objektiv, që është ai elektoral.

“Sesi ne të vjelim vota duke i trajtuar me një falje një numër të caktuar subjektesh. Është ligj elektoral, është i qartë tani, sepse bëhet në mes të fushatës”.

Por, deputeti socialist Bashkim Fino iu kundërpërgjigj, duke thënë se “ky nuk është ligj elektoral sepse ka ardhur në fillim të marsit. Shihni me kujdes, afati është 30 prill, ndërkohë që ne tani po e kalojmë në maj”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat