Ekonomiku përshëndet vendimin për shembjen e 5-katëshit

Shqipëria

Ekonomiku përshëndet vendimin për shembjen e 5-katëshit

Më: 26 maj 2015 Në ora: 11:47

Prishja e objektit 5-katësh që ndodhej para Fakultetit Ekonomik, u përshëndet nga përfaqësuesit e këtij fakulteti.

Fakulteti i Ekonomisë në Tiranë theksoi se vendimi i fundit i qeverisë për lirimin e territorit universitar bëri realitet kërkesën e vazhdueshme të studentëve dhe profesorëve të Fakultetit të Ekonomisë e cila kulmoi me protestat e shtatorit 2013.

Studentët dhe stafi akademik i Fakultetit falënderuan në një deklaratë për mediat qeverinë, për ndjekjen dhe zgjidhjen e pjesës emergjente të problematikës që kishte të bënte me zënien e territorit të universitetit, duke e inkurajuar dhe mbështetur hapur rrugë sistemimeve të rregullimit të territorit dhe ndërtimeve të ligjshme publike, që do të zgjeronin hapësirat në të cilat studiohet.

“Ky akt vjen në funksion të përmirësimit të kushteve të studimit për të përballuar sfidat në rritjen e cilësisë që shtron zhvillimi i sotëm i gjithanshëm ekonomik e shoqëror.

Arsyeja e irritimit të stafit akademik dhe studenteve ka qenë mospranimi i vendimit të gjykatës në vitin 2013 nga ana e subjektit privat, i cili rifilloi punimet edhe pse gjykata kishte vendosur të kundërtën”, thuhet në deklaratën e fakultetit.

Pallati 5 katësh u shemb me një shpërthim të fuqishëm të kontrolluar mesditën e së dielës nga IKMT, duke shkaktuar edhe dëme tek ndërtesat pranë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat