Veliaj: Në 100 ditët e para shpërndajmë të gjitha banesat sociale

Shqipëria

Veliaj: Në 100 ditët e para shpërndajmë të gjitha banesat sociale

Më: 26 maj 2015 Në ora: 11:30

Tre mensa sociale me ushqim falas për shtresat në nevojë, 5 qendra ditore për të moshuarit dhe shpërndarje brenda 100 ditëve të para të të gjitha banesave sociale në Tiranë, ishin zotimet e kandidatit të majtë për bashkinë e kryeqytetit, Erion Veliaj, gjatë prezantimit të programit të tij për kujdesin social.

I shoqëruar edhe nga ministri i sapoemëruar i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, Veliaj tha sot se në 100 ditët e para në bashki do të shpërndahen patjetër banesat sociale, të cilat kanë 4 vjet që presin të shpërndahen nga bashkia aktuale.

“Ne kemi njerëz që flenë në rrugë, ndërkohë që bashkia ka apartamente që flenë bosh. Kjo është një arsye që në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak, do të fillojmë me shpërndarjen e banesave sociale”, tha Veliaj.

Ai deklaroi se ka një program riintegrimi social përmes të cilit do t’u ofrohet punë në shërbim të komunitetit qytetarëve që përfitojnë ndihmë ekonomike, si dhe do të bëhet garantimi i aksesit në institucionet publike në Tiranë për personat me aftësi të kufizuar.

Sipas tij, ka edhe një program të posaçëm për mbrojtjen dhe kujdesin për fëmijët në situatë rruge, por edhe hartimin e një politike të mirëfilltë për strehimin social.

Veliaj nënvizoi se prej 4 vitesh cilësia e shërbimeve sociale në bashkinë e Tiranës ka degraduar, dhe se familjet e pastreha vazhdojnë të presin më kot për shpërndarjen e 385 banesave sociale të përfunduara vite më parë, ndërkohë që Tirana mbetet një qytet jo i aksesueshëm për personat me aftësi të kufizuar.

“Rrugët e kryeqytetit janë të mbushura me fëmijë që lypin ose punojnë, edhe pse kjo është në shkelje e të drejtave të tyre. Edhe ata fëmijë që janë hequr nga rruga, janë hequr nga MMSR, një nismë së cilës bashkia nuk iu bashkua”, tha Veliaj.

Ai përmendi edhe projektin e shkollave si qendër komunitare, duke theksuar se ky projekt synon mbajtjen e shkollave hapur edhe pas mësimit, duke u shërbyer jo vetëm nxënësve, por edhe komunitetit me aktivitete post-kurrikulare, aktivitete ekstra-kurrikulare dhe aktivitete komunitare.

Pikat e programit të kujdesit social:

3 mensa sociale për të ofruar ushqim falas për shtresat në nevojë, në partneritete publike private.

5 qendra ditore për të moshuarit.

Program riintegrimi Social përmes të cilit do t’u ofrohet punë në shërbim të komunitetit qytetarëve që përfitojnë ndihmë ekonomike.

Garantim i aksesit në institucionet publike në Tiranë për personat me aftësi të kufizuar.

Program i posaçëm për mbrojtjen dhe kujdesin për fëmijët në situatë rruge.

Shpërndarje brenda 100 ditëve e të gjitha banesave sociale.

Hartim i një politike të mirëfilltë për strehimin social.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat