“Presionet ndaj opozitës vetëm na bashkojnë”

Shqipëria

“Presionet ndaj opozitës vetëm na bashkojnë”

Më: 26 maj 2015 Në ora: 10:13

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, u takua me banorë të Petrelës dhe Vorës.

“Premtuan që do të hiqnin akcizën e naftës për bujqësinë, premtuan një fond prej 40 milionë dollarësh në vit për bujqësinë. A kanë parë gjë fermerët e Petrelës nga këto fonde? Sa prej jush kanë marrë subvencione në këto dy vite? Ne i çuam propozimet që ju të paguanit më pak kur blini farërat, fidanët, lëndët e tjera të para, propozuam të hiqej taksa e qarkullimit, naftën që përdorni ju dhe këta i rrëzuan pa argument, prandaj nuk vijnë këtu të flasin për këto probleme, harxhojnë orë e orë të tëra duke sulmuar opozitën, duke sulmuar kandidatët e opozitës. Pse e bëjnë këtë? Sepse po mos të bëjnë këtë, duhet të japin përgjigje për premtimet e pambajtuara, sepse po nuk bënë këtë, duhet t’ju ofrojnë ju një zgjidhje, po zgjidhje nuk kanë”, tha Basha.

“Në 21 qershor, unë kërkoj që gjithsecili prej jush të mbajë mend tre gjëra. Nëse këta i mbajtën premtimet e para dy viteve apo jo? Nëse këta bënë diçka për t’i mbajtur premtimet apo jo? Dhe së treti, të vlerësoje nëse për ju, platforma ime funksionon dhe kjo është platforma e uljes së taksave, kjo është platforma e uljes së çmimit të energjisë dhe e faljes së kamatë-vonesave për të gjithë shqiptarët, kjo është platforma e rritjes së rrogave dhe pensioneve, kjo është platforma e subvencioneve për bujqësinë, e uljes së çmimit të naftës. Në 21 qershor, me votën tuaj ju do të mund të arrini atë që opozita nuk arriti dot në parlament, sepse këta kishin kartonat”.

“Aktivistët dhe kandidati i PD në Vorë është vënë nën presionin e hapur të pushtetit dhe bandave të lidhura me to. E njëjta gjë po ndodh në Malësi të Madhe, Shkodër, Vaun e Dejës, Durrës e shumë qytete të tjera”.

Nga Vora, kryetari i opozitës e ka cilësuar këtë shenjë dëshpërimi të Edi Ramës dhe Ilir Metës.

“Edhe në këto ditë, në këto javë ku shqetësimi më i madh i shqiptarëve është papunësia, është varfëria nuk e kanë mendjen as të ofrojnë zgjidhje për ju, as të hapin mundësi për ju, as të krijojnë punë për ju. Ditë e natë janë vërsulur me tatimorë, janë vërsulur me xhandarë, janë vërsulur me banditë, u janë vërsulur aktivistëve të opozitës, u janë vërsulur kandidatëve të opozitës, u janë vërsulur punëdhënësve. Asgjë nuk do të na bëni, përveçse do të shtoni vendosmërinë tonë, guximin tonë, bashkimin tonë për fitore, nuk do t’i shpëtoni llogaridhënies, ora e drejtësisë po afron”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat