Ambasadori Boçka: Vizita e Vuçiç, një kapitull i ri në marrëdhëniet Shqipëri-Serbi

Shqipëria

Ambasadori Boçka: Vizita e Vuçiç, një kapitull i ri në marrëdhëniet Shqipëri-Serbi

Më: 26 maj 2015 Në ora: 09:32

Ilir Boçka, ambasador i Shqipërisë në Beograd, diplomat i mirënjohur karriere, e vlerëson vizitën e kryeministrit Vuçiç, nesër në Tiranë si fillimin e një etape të re emancipimi dhe përpjekjesh të përbashkëta të dy vendeve në rrugëtimin e tyre drejt BE-së.

“Kjo vizitë është një ngjarje e shënuar, që vjen krejt natyrshëm, si një hap i dytë pas vizitës në Beograd, në nëntorin e kaluar, të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Këto vizita dypalëshe si edhe kontaktet e tyre të shpeshta në forume e tribuna ndërkombëtare, dëshmojnë se tashmë jemi në një kapitull të ri dhe dinamik të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Serbisë. Më vjen mirë që tashmë po lemë pas rekorde të trishtuara intervalesh kohore të gjata të mospasjes së marrëdhënieve apo të marrëdhënieve të zbehta, për të hyrë në një etapë të re emancipimi e perpjekjesh të përbashkët për arritjen e qëllimeve, që për momentin janë identike: futja në familjen e madhe të Bashkimit Europian » thotë për DW, ambasadori Boçka.

Sa i takon çështjeve për të cilat dy vendet fqinje nuk janë dakord si Kosova apo qëndrimi i Serbisë ndaj NATO-s dhe politikave të BE ndaj Rusisë, pas ngjarjeve në Ukrainë.

Ambasadori i Shqipërisë në Beograd, Ilir Boçka shprehet se për këto çështje të diskutueshme Shqipëria ka shprehur qartë dhe fort qëndrimin e saj duke synuar njëkohësisht të mos mbetet peng i tyre.

“Synojmë edhe urojmë që neser të kemi më pak çështje të tilla dhe më shumë vlera e interesa të përbashkëta zhvillimi në vendet tona dhe në rajon. Shqipëria ka njohur shtetin e ri, të pavarur të Kosoves si kanë bërë më shumë se njëqind shtete të tjera anëtare të OKB-së. Urojmë që edhe Serbia ta kalojë këtë pengesë, për të ecur më tej në rrugen e integrimit të plotë në BE. Jemi të inkurajuar nga fakti që forcat proeuropiane në gjirin e shoqërisë serbe janë në rritje dhe mbështesin kursin e vlerave të demokracisë dhe lirisë”, thekson Ilir Boçka.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat