Kokëdhima: Dorëheqja e Dules, manovër për të mbrojtur të inkriminuarit

Shqipëria

Kokëdhima: Dorëheqja e Dules, manovër për të mbrojtur të inkriminuarit

Më: 26 maj 2015 Në ora: 09:10

Deputeti i qarkut të Vlorës, Koço Kokëdhima, ka marrë pjesë dje në Livadhja në hapjen e fushatës së koalicionit lokal të PS-së me “Mega”-n, ku është prezantuar kandidatura e përbashkët për kreun e bashkisë së re Finiq, Leonidha Kristo. Gjatë fjalës së tij, deputeti Kokëdhima zbardhi arsyet e vërteta përse kreu i PBDNJ- së Vangjel Dule dha dorëheqjen nga nënkryetar i Kuvendit. “Këto ditë, siç jeni njohur, Dule dha dorëheqjen nga nënkryetar i Kuvendit. E dha dorëheqjen në shenjë reagimi negativ ndaj partisë çame dhe drejtuesit të saj”, tha Kokëdhima. Ai shtoi se, “toleranca dhe bashkëjetesa fetare është një pasuri jashtëzakonisht e madhe për popullin shqiptar”.

“Toleranca etnike është një pasuri akoma më e madhe. Minoritarët jetojnë në paqe dhe harmoni me çamët, lebrit, vllehët, romët, egjiptianët dhe me gjithë krahinat e Shqipërisë. Ne jetojmë në harmoni dhe vëllazëri të plotë. Minoritarët, as nuk janë në konflikt me çamët, përkundrazi kanë marrë dhe dhënë me çamët, kanë bërë krushqi, kanë miqësi, kanë bashkëpunuar”, nënvizoi deputeti socialist. Ai shtoi se shumë djem minoritarë kanë bërë shkollën në Konispol dhe as nuk do të ndodhë që minoritarët të hyjnë në konflikte me çamët, as me qytetarë të krahinave dhe racave të tjera.

“Nuk do ta frustrojnë jetën e tyre për të mbrojtur karriget, as të Dules dhe as të njerëzve të tjerë. Minoriteti grek është një urë miqësie e shkëlqyer e popullit shqiptar dhe popullit grek, ashtu siç një urë e tillë miqësie janë dhe arvanitasit dhe emigrantët në Greqi, të cilët në të dyja anët kanë ushqyer miqësi dhe bashkëjetesë të shkëlqyer në një raport dhe një marrëdhënie vëllazërore”, tha ai. Ndërkohë deputeti Kokëdhima vijoi të shpjegojë se, “dorëheqja e Dules është një manovër politike që i shërben atij për të shmangur vëmendjen nga debati elektoral, nga dështimi i qeverisjes vendore, për të shmangur vëmendjen nga ballafaqimi me problemet e kësaj qeverisjeje, si dhe për të shmangur vëmendjen e opinionit publik nga ato kandidatura të inkriminuara që kjo parti i ka ofruar me rastin e zgjedhjeve, në më shumë se një bashki”.

Kokëdhima ftoi përfaqësuesit e PBDNJ-së të kontribuojnë në këto zgjedhje në një debat të shëndetshëm elektoral dhe të vënë në dukje gjithë mangësitë, rezervat dhe të metat, si ta përmirësojmë jetën dhe qeverisjen. Gjithashtu, deputeti socialist nënvizoi se e keqja e minoritetit kanë qenë krerët aktualë të komunave që e kanë shitur e bërë pazare në kurriz të banorëve të zonës. “Agallarët e rinj të minoritetit janë të gjithë ata që kanë vjedhur kullotat dhe territoret e këtyre anëve me vulat e komunarëve dhe kryepleqëve, që i mbajnë në brez akoma, dhe me vulat e gjykatësve të korruptuar të këtij vendi.

Edhe sot ka dalë një aga i ri nga Navarica, edhe sot ka dalë një aga që kërkon 1200 ha, ashtu siç këta agallarët e tjerë japin gjithë kullotat me qera dhe shumë nga politikanët lokal këtu janë sekserë e ndërmjetës dhe marrin përfitime, pjesë dhe porcione, nga këto abuzime me pasuritë e popullit”, deklaroi deputeti socialist, Koço Kokëdhima. Ai shtoi se nuk ka asnjë interes personal dhe as nuk do të ketë interes personal. “Bashkë me kolegët e mi jemi deputetët tuaj dhe kemi marrë votën tuaj. Jemi votuar në vitin 2013 dhe kemi marrë këtu më shumë se 2300 vota. Unë iu jam shumë mirënjohës që votuat Partinë Socialiste dhe ekipin tonë si deputetë, dhe iu detyrohemi për këtë besim që na keni dhënë të punojmë me ndershmëri për interesat e këtij populli këtu”, tha parlamentari socialist, duke folur në Livadhja.

Ai nënvizoi se çfarë do të kërkohet si shpagim për punën e bërë, nuk janë as pasuritë e as tokat, as ëndrrat e agallarëve, por thjesht votat për Partinë Socialiste të Shqipërisë, votat për Leonidha Kriston dhe këshilltarët dhe votat për 2017-n për të vazhduar reformat që kanë nisur qeveria. Më tej deputeti i qarkut të Vlorës shpjegoi dhe detajet e negociatave të PS-së me Dulen për zgjedhjet, duke thënë se, në vitin 2013, Partia Socialiste e Shqipërisë e ftoi që të pranohej edhe partia “Mega” në koalicion dhe të ishin bashkë të tri partitë në minoritet, kërkesë që nuk u pranua nga PBDNJ-shi.

“Në 2015-n, PS-ja përsëri iu propozoi partive të minoritetit një kandidaturë konsensuale për kryetarin e bashkisë së minoritetit, me qëllim që të kursehesh edhe kjo balta për njëri-tjetrin dhe kjo energjia e shpërdoruar, por edhe të përdornim më mirë burimet njerëzore që kemi në minoritet, duke zgjedhur që nga kryetari dhe gjithë administrata njerëzit më të mirë, djemtë dhe vajzat më të mirë në mënyrë konsensuale të tria partitë bashkë, që të bëheshin këto zgjedhje më paqësore dhe më të hapura me popullin, të diskutonim të gjitha idetë, dhe të arrinim rezultatet më të mira”, tha Kokëdhima. Ai shtoi se edhe kjo u refuzua nga PBDNJ-shi, duke i dhënë mbështetje deri në fund kësaj partie. Partia Socialiste pranoi që t’i jepte konsensus PBDNJ-së për një propozim të tyre për kryetar bashkie.

Pasi PBDNJ propozoi listën me kandidat, PS-ja ra dakord. “Pranoi ta zgjidhnim Llambi Pandeqin kryetar bashkie dhe ne do të vinim për ta votojmë. U ra dakord, por pastaj nuk ndodhi, edhe kjo ofertë e bërë prej tyre u refuzua po prap prej tyre. Ne nuk erdhëm këtu për të konsumuar energji, e aq më pak për të bërë ndonjë pozicionim të marrëdhënieve, largë qoftë ndonjë përçarje”, u shpreh Kokëdhima. Ai tha se ndodhej në Livadhja për të bashkëpunuar të gjithë së bashku për zgjidhjet më të mira për qytetarët. “Në 2013-n kur erdha këtu u ndesha me një fenomen shumë të keq, u ndesha me praktikën e vjedhjes së votës dhe kam debatuar shumë me drejtuesit e minoritetit, sepse në dy qendra votimi pati vjedhje votash, një në Livadhja dhe një në Vagalat.

Ne u interesuam për ta kuptuar situatën elektorale këtu, po iu them se vjedhja e votave ka qënë një zakon që këtu në këtë territor është përdorur. Unë dua t’u them njerëzve, të cilët akoma mund të ëndërrojnë vjedhje votash, ta heqin nga mendja këtë gjë”, nënvizoi Kokëdhima. Ai shtoi se, nuk do të guxojë askush të preki një votë të popullit. “Kush do të guxojë të preki ndonjë votë, edhe në mund ta numërojë atë votë, do të përfundojë në burg, prandaj të mos i shkojë mendja njeriut. Do të respektohet vota e një për një. Do të punojmë bashkë të gjithë me besim, me urtësi, me respekt të thellë ndaj qytetarëve, me respekt të thellë ndaj ligjit, me respekt të thellë ndaj vullnetit të sovranit dhe me respekt të thellë ndaj votës së popullit”, nënvizoi deputeti socialist. Gjatë këtij takimi kanë përshëndetur dhe deputetët Andrea Marto e Mira Shehu, si dhe kreu i “Mega”, Kristo Kiço.

Skandali, kandidati i PD-së Bozho mashtron dhe për CV

Kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë e Sarandës, Kreshnik Bozho, ka prezantuar veten e tij në faqen zyrtare të fushatës së demokratëve me një CV të rreme dhe të gënjeshtërt. Sipas faqes zyrtare të PD-së, Kreshnik Bozho ka mbaruar Akademinë e Mbrojtjes, një shkollë që quhej Shkolla e Lartë e Bashkuar e Oficerëve “Enver Hoxha” dhe tani quhet Akademia e Forcave Tokësore. Megjithatë, sipas të dhënave nga Saranda, Kreshnik Bozho nuk e ka mbaruar Akademinë “Enver Hoxha”, Shkolla e Bashkuar “Skërderbej”, pasi ai është përjashtuar. Bozho mësohet se ka qenë borizan dhe nuk plotësonte normat e tjera fizike. Më pas, Bozho ka vazhduar Shkollën e Mesme të Muzikës në Gjirokastër, ku është specializuar si muzikat trompist. Më tej, ai ka bërë Shkollën e Lartë me korrespondencë në Gjirokastër, dega Histori-Gjeografi. Kjo është CVja e vërtetë e Kreshnik Bozhos, kandidatit të djathtë për bashkinë e Sarandës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat