Meta: Shumë shpejt hapet aeroporti i Kukësit, do të punësohen 500 persona

Shqipëria

Meta: Shumë shpejt hapet aeroporti i Kukësit, do të punësohen 500 persona

Më: 26 maj 2015 Në ora: 09:02

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, gjatë aktivitetit të prezantimit të programit elektoral të Hasan Halilajt, për bashkinë e Kukësit, u shpreh se me ndarjen e re territoriale u krijuan kushte për më shumë punësim. Meta tha se, shumë shpejt do të nisë nga puna aeroporti i Kukësit, i cili do t’u ofrojë mundësi punësimi 250 kuksianëve. “Unë kam qenë ideatori i bërjes së aeroportit të ri të Kukësit. Tani unë e kam ëndërr që aeroporti i Kukësit të vihet në punë, që Kukësi të jetë një qendër e rëndësishme e zhvillimit. Dua të falënderoj Ministrin e Transportit dhe Infrastrukturës, zotin Haxhinasto për punën e shkëlqyer që ka bërë dhe po bën bashkë me gjithë stafin e aviacionit civil në mënyrë që ne të bëjmë shumë shpejt realitet vënien në funksionim të aeroportit të Kukësit.

Që do të thotë jo vetëm 200 deri në 250 vende të reja pune, në të gjitha shërbimet që do të ofrojë ky aeroport, por që do të thotë që qindra e mijëra pasagjerë që do të vijnë nga Shqipëria e Prizreni e kudo që do të udhëtojnë përmes të aeroportit të Kukësit me çmime shumë të leverdishme, shumë të favorshme, shumë më të lira sesa udhëtojnë sot nga Tirana. Dhe kjo të thotë që Kukësi dhe do të jetë një qendër e rëndësishme zhvillimi dhe që shërbimet në Kukës do të zhvillohen në mënyrë të jashtëzakonshme, në mënyrë që të gjithë njësitë e shërbimit të kenë shumë më tepër punë sesa kanë sot”, tha Meta.

Ndërsa, Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, theksoi në fjalën e tij se javës që vjen përfundon përgatitja e projektit për fazën e dytë të ujësjellësit të Kukësit në vlerë prej 187 milion lekë i cili do të sjellë 24 orë ujë në shtëpitë e kuksianëve dhe me kapacitet 250 litra në sekondë që është kapaciteti mëse i mjaftueshëm për të gjithë zonës së Kukësit dhe për zhvillimin e të ardhshmes si një zonë turistike. Pjesë e takimit ishte edhe ministri i ardhshëm i kabinetit “Rama”, Blendi Klosi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat