PD e Shkodrës hap fushatën, Topalli në krah të Imamit

Shqipëria

PD e Shkodrës hap fushatën, Topalli në krah të Imamit

Më: 26 maj 2015 Në ora: 08:27

Jozefina Topalli dhe Arben Imami kanë qenë bashkë pas shumë kohë marrëdhëniesh jo fort të mira në mitingun e hapjes së fushatës së PD-së në Shkodër.

“…E gjithë Shkodra në shesh kundër mazhorancës mafioze Rama – Meta ! Më të fortë e më të bashkuar se kurrë në mbështetje të Voltanës! Më 21 qershor të mbështesim Voltanën për fillimin e madh, për largimin e klikës Rama- Meta!”, – shkruan Topalli në Facebook
Prej vitesh ata nuk kanë një marrëdhënie të pëlqyer me njëri- tjetrin. Ajo është një ndër figurat solide të PD-së, që e mbështet kohezionin e saj politik edhe tek e kaluara, ndërsa ai militon në këtë forcë politike me gjithë dritëhijet e marrëdhënieve të tij me PD-në ndër vite.

Por dje ata janë parë bashkë pas shumë kohësh në mitingun e hapjes së fushatës së PD-së Shkodër. Jozefina Topallin dhe Arben Imamin i ka bashkuar fushata e 21 qershorit dhe kandidatja demokrate në kryeqendrën e veriut, edhe pse shumë ndarje mes tyre lidhen me këtë qytet. Ish-nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli nuk e pranoi Arben Imamin as në vitin 2007, kur ky i fundit i rehabilituar politikisht me PD-në synonte postin e Sekretarit të Përgjithshëm të partisë.

Asokohe Topalli zgjodhi një datë simbolike, si 2 Prilli, për të theksuar në një ceremoni përkujtimore nga Shkodra se Partia Demokratike ishte një forcë politike me kujtesë të fortë dhe se nuk harronte lehtë. “…Unë mendoj se kjo ditë është një ditë reflektimi e thellë. Ne kemi kaluar 8 vite të një opozite shumë të vështirë, ndaj memoria në PD vazhdon të jetë shumë e rëndësishme dhe shumë domethënëse”, – u shpreh ajo në atë kohë.

Më së shumti, Topalli i referohej qëndrimeve të Imamit në ngjarjet e vitit ’97 kundër PD-së. Topalli nuk e harroi lehtë as dërgimin e Imamit nga Basha si drejtues i grupit të punës në fushatën për zgjedhjet lokale të Shkodrës. Ajo nuk mori pjesë në prezantimin e parë të Voltana Ademit nga Basha në Shkodër, ashtu si edhe Imami. Por prej asaj kohe, (jo shumë e largët) lëvizjet e Topallit në qytetin ku ajo drejton të djathtën prej vitesh kanë ndryshuar jo pak. Fillimisht ajo postoi një foto tepër miqësore me Voltana Ademin në një prej lokaleve të Shkodrës për të shuar çdo pikëpyetje nëse ajo në këtë fushatë do të ishte bashkë me ish-deputeten e PD-se.

Për një “bast” që sa duket ajo i ka vënë vetes për rikthimin e fitores së PD-së në Shkodër (pas humbjes së ndjeshme në zgjedhjet e fundit parlamentare) Topalli ka bërë paqe edhe me Imamin. Ajo ka postuar dje një tjetër foto bashke me të, Ademin dhe drejtuesit kryesorë të PD-së Shkodër, në mitingun e zhvilluar për hapjen e fushatës zyrtare në këtë qytet. Topalli dhe Imami ishin krah për krah teksa ecnin rrugëve të Shkodrës, ndërsa kanë qenë bashkë edhe gjatë mitingut të zhvilluar nga PD-ja e Shkodrës. “…E gjithë Shkodra në shesh kundër mazhorancës mafioze Rama – Meta!

Më të fortë e më të bashkuar se kurrë në mbështetje të Voltanës! Më 21 qershor të mbështesim Voltanën, për fillimin e madh,për largimin e klikës Rama- Meta!”, – shkruan Topalli përmbajtja e së cilës shpjegon shumëçka në qëndrimet e saj të fundit. Në mitingun e zhvilluar në Shkodër merrnin pjesë të gjithë emrat për kandidatë për kryetar bashkie që ishin diskutuar paraprakisht nga PD-ja për këtë njësi, deputetët e Shkodrës, si dhe drejtuesit lokalë të së djathtës. Në hapjen zyrtare të fushatës, kandidatja e së djathtës për këtë njësi, Voltana Ademi u ndal tek situata ekonomike në vend. Gjatë fjalës së saj, Ademi tha gjithashtu se do t’u shërbejë të gjithë qytetarëve në të njëjtën mënyrë, pa marrë parasysh nga vijnë dhe cilës forcë politike i përkasin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat