Nishani takon homologun moldav: Rishikim kuadrit ligjor lidhur me heqjen e vizave ndaj shqiptarëve

Shqipëria

Nishani takon homologun moldav: Rishikim kuadrit ligjor lidhur me heqjen e vizave ndaj shqiptarëve

Më: 26 maj 2015 Në ora: 00:13

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim të veçantë Presidentin e Republikës së Moldavisë, Nicolae Timofti, i cili ndodhet në Shqipëri në kuadër të pjesëmarrjes në Samitin e Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive, anëtare të Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Evropës Juglindore (SEECP).

Kreu i Shtetit shqiptar shprehu kënaqësinë për vizitën e Presidentit Timofti në Tiranë si dhe vlerësoi rëndësinë e nxitjes së mëtejshme të marrëdhënieve të bashkëpunimit me Moldavinë në fusha me interes të ndërsjellë për dy vendet dhe popujt tanë. Ndër të tjera, Presidenti Nishani vlerësoi të rëndësishëm faktin që Moldavia e sheh me përparësi asociimin e saj me Bashkimin Europian, veçanërisht të rëndësishëm në kontekstin e zhvillimeve aktuale politike.

Të dy Presidentët ndanë të njëjtin mendim mbi potencialin e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve në kuadër të nismave shumëpalëshe në të cilat Shqipëria dhe Moldavia janë pjesë si dhe shkëmbyen mendime mbi çështje të ndryshme të sigurisë me të cilat përballen rajonet respektive.

Gjithashtu, të dy Presidentët shprehën shqetësimin për zhvillimet në Ukrainë, duke theksuar mbështetjen për integritetin territorial të saj duke dënuar aneksimin e Krimesë si një akt që bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare.

Presidenti Timofti premtoi rishikimin e kuadrit ligjor moldav lidhur me heqjen e vizave ndaj qytetarëve shqiptarë, për reciprocitet si dhe për nxitjen e mëtejshme të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat