PD denoncon skemën e manipulimit të zgjedhjeve të 21 qershorit

Shqipëria

PD denoncon skemën e manipulimit të zgjedhjeve të 21 qershorit

Më: 25 maj 2015 Në ora: 22:17

PD ka njoftuar në mbrëmje se disa faktet tronditëse janë publikuar sot nga emisioni investigativ, Ca thu, në Agon Channel, të cilat sipas selisë blu nxjerrin në pah mekanizmin kriminal të vënë në lëvizje për të manipuluar zgjedhjet e 21 qershorit.


“Në këto pamje që shihni në ekran, të sapotransmetuara nga Agon Channel, duket qartë se kemi të bëjmë me një bandë të mirëorganizuar që falsifikon kartat e identitetit të cilat janë planifikuar të shpërndahen e të kthehen në vota”, – theksonte njoftimi i Partisë Demokratike.


Partia opozitare pyeste nëse “ka dijeni Edi Rama dhe Ilir Meta për prodhimin në seri të këtyre kartave dhe a po dalin ato në treg sipas nevojave të tyre elektorale?”.


“Kush ka sot nevojë për vota në Shkodër? Kush kërcënon nga foltorja e parlamentit se me 21 qershor do ta shohim rezultatin në Shkodër?


A kanë përgjegjësi Edi Rama kryeministër dhe Ilir Meta kryetar parlamenti për këtë aktivitet kriminal që ndodh në prag të zgjedhjeve?”, – vijonte njoftimi.


Partia Demokratike i bëri thirrje Prokurorisë të nisë menjëherë hetimet për atë që ajo e quajti “skemë kriminale të falsifikimit të dokumentave të identitetit”, si dhe “të çojë deri në fund zbardhjen e mekanizmit për të zbuluar kokën e këtij trafikimi skandaloz në prag të zgjedhjeve”.


PD i bëri thirrje gjithashtu partnerëve ndërkombëtarë dhe vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it, që të shtojnë monitorimin përballë atyre që PD i cilësoi “fakte flagrante të cënimit të standarteve të zgjedhjeve të lira e të ndershme”.


PD e mbyllte njoftimin duke paralajmëruar “dyshen Rama-Meta të mbajnë duart larg votës se sovranit, pasi prekja e votës do të sjellë pasojat më të rënda për ta”.



Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat