Basha: Bashkëpunojmë me qeverinë vetëm në rast se pranon propozimet tona

Shqipëria

Basha: Bashkëpunojmë me qeverinë vetëm në rast se pranon propozimet tona

Më: 25 maj 2015 Në ora: 14:11

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në Lezhë u shpreh se opozita do të bashkëpunojë me qeverinë vetëm në rast se pranon propozimet e PD-së për ulje taksash dhe uljen e çmimit të energjisë dhe naftës.

“Po të pranojnë platformën tonë për uljen e çmimit të energjisë me 25% dhe faljen e kamatë-vonesave për energjinë e ujin anembanë Shqipërisë, për uljen e taksës në nivelin më të ulët në Ballkan, 9%, për rritjen e rrogave e pensioneve përtej indeksimit të inflacionit, për financimin me prioritet të sektorëve të diskriminuar, siç është sektori i bujqësisë, turizmi, për nxitjen e punësimit rinor, përmes një regjimi veçanërisht lehtësues për bizneset që hapin vende pune për të rinjtë, ne jemi gati të bashkëpunojmë sepse për ne pushteti nuk është qëllim më vete por është shërbimi ndaj jush, është qëllim i padiskutueshëm. 21 qershori është dita kur ne do i japim mesazhin tonë më të bashkuar e më të fortë që ka dhënë ndonjëherë Shqipëria demokratike”, u shpreh Basha.

Më pas gjatë një takimi me banorët e Shënkollit, Basha tha se më 21 qershor nuk votohet për pushtetin lokal, por për zgjidhjen e çdo problemi. “Nuk i shohin hallet tuaja, nuk duan t’i dëgjojnë hallet tuaja, papunësinë, varfërinë, taksat e larta, çmimet e papërballueshme të karburantit e energjisë ndaj dhe në 21 qershor thonë nuk është koha të merremi me hallet e shqiptarëve. Unë ju them sot nga Shënkolli, 21 qershori është dita e zgjidhjes së halleve tona”, tha Basha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat