Rama: Prioriteti i qeverisë, kthimi i bujqësisë në lokomotivë të zhvillimit ekonomik

Shqipëria

Rama: Prioriteti i qeverisë, kthimi i bujqësisë në lokomotivë të zhvillimit ekonomik

Më: 25 maj 2015 Në ora: 13:18

Kryeministri Edi Rama, shpalli sot një program të ri financimi për mbështetjen e bujqësisë dhe zhvillimin rural të vendit, përmes një bashkëpunimi me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, (BERZH).

Në aktivitetin e organizuar të hënën në mjediset e Pallatit të Kongreseve në Tiranë, për prezantimin e “Fondit Kombëtar të Garancisë në Bujqësi dhe Zhvillimin Rural”, dialogu Qeveri-Banka –Fermerë, Kryeministri Rama u shpreh se është prioritet i qeverisë që ai drejton, që sektori i bujqësisë të kthehet në një lokomotivë të zhvillimit të ekonomisë shqiptare.

Kryeministri Rama tha se AZHBR do të funksionojë si një ndërmjetësues mes bankave dhe sipërmarrësve në fushën e bujqësisë, në mënyrë që këtyre të fundit t’u ofrohet më shumë mbështetje, dhe të mos hasin probleme gjatë realizimit të procedurave të financimit.

“Këtë skemën që përdorëm këtë vit me AZHBR-në do ta kthejmë në një skemë garancie ku do të përfshimë një sërë bankash në këtë proçes, por pa rritur interesat mbi fermerët, por duke marrë ne përsipër pjesën e interesave dhe të vazhdojmë me atë skemën 50% investim fermeri, 50% investim shteti”, tha Kryeministri Rama.

Kreu i Ekzekutivit theksoi se, “në këto 18 muaj janë transformuar shifrat e prodhimit, përpunimit dhe transportit të tyre, duke shënuar përmirësime të dukshme. Ne duam të shkojmë një hap më tutje, duke kërkuar që në bashkëpunim me bankën, të vendoset në qendër të vëmendjes si një nga prioritetet kryesore, nxitja me instrumente financiare, rritja e prodhimit dhe zhvillimit të ciklit të mbyllur në bujqësi. Synojmë të kthejmë AZHBR në një ndërmjetës mes sipërmarrësit dhe bankave, u shpreh Kryeministri Rama, ndërsa vuri në dukje se, e reja që synojmë është që marrëdhënia me bankat mos të jetë e drejtpërdrejtë, mes bankave dhe sipërmarrësve, por të jetë mes bankave dhe agjencisë tonë të financimeve në mënyrë që të gjitha vështirësi që i has një sipërmarrës në fushën e bujqësisë, të neutralizohen dhe të realizohen nga agjencia”.

“Ne kemi dhënë shembuj seriozë në këto 18 muaj, dhe synojmë nxitje për bujqësinë duke ofruar mbështetje për sipërmarrësit. Problemi që kanë sot fermerët është se nuk mund ta bëjnë procesin e komunikimit me bankën vetëm, dhe madje nuk mund të përballojnë interesat e larta”, tha kryeministri Rama.

Panariti : 100 milionë euro për bujqësinë , për ta kthyer atë në promotor të zhvillimit të ekonomisë

Ministri i Bujqësisë Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave Edmond Panariti, i pranishëm në aktivitetin për prezantimin e “Fondit Kombëtar të Garancisë në Bujqësi dhe Zhvillimin Rural”, dialogu Qeveri-Banka –Fermerë, theksoi se shteti shqiptar do të investojë 100 mln euro me qëllim që ky sektor të kthehet në një lokomotivë të zhvillimit të ekonomisë shqiptare.“Me hartën e re organizative territoriale, bujqësia ka edhe dimension urban. Qasja jonë e re ka të bëjë me stimulimin e pikave të mëdha të grumbullimit, magazinat frigoriferike. Kjo ka zgjidhur problemin e fragmentimit të tokës”, tha ai.

Sipas Panaritit me rëndësi është që të lidhim prodhimin me eksportet. Ky është thelbi i rritjes së prodhimit. Ne po synojmë të dekurajojmë mbjelljen e kulturave pa perspektivë, p.sh. drithërat. Toka jonë është e përshtatshme për perime, për frutikulturë, jo për drithëra. Nuk kemi leverdi që të kultivojmë jonxhë e tërfil, pasi me mbjelljen e kulturave të tjera gjenerojnë më shumë të ardhura. Kjo duhet t’ju bëhet e qartë fermerëve, duhen organizuar”, tha ai më tej.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat