Veliaj: Më shumë hapësira të gjelbra dhe parqe për qytetarët

Shqipëria

Veliaj: Më shumë hapësira të gjelbra dhe parqe për qytetarët

Më: 25 maj 2015 Në ora: 11:11

Erion Veliaj, kandidati i majtë për bashkinë e Tiranës, prezantoi sot 5 pikat e programit të tij për hapësirat e gjelbra në kryeqytet, që synojnë ta kthejnë Tiranën në një ambient me më shumë parqe e lulishte. Veliaj tha se, Tirana ka nevojë urgjente për hapësira të reja të gjelbra sepse është sot një nga qytetet më të ndotura të Europës.

Veliaj premtoi rehabilitimin dhe gjelbërimin e 6000 m2 hapësira publike, të cilat janë çliruar nga ndërtimet informale gjatë dy viteve të fundit në Tiranë, si dhe rigjenerimin e ish-zonave industriale të Tiranës në hapësira të gjelbërta dhe në shërbim të komunitetit.

Gjithashtu, ai prezantoi projektin interesant “Fasadat e Gjelbërta”, i cili synon krijimin e hapësirave të gjelbërta vertikale. Sipas Veliajt, pas 21 qershorit do të bëhet identifikimi dhe shndërrimi i hapësirave potenciale brenda blloqeve të banimit në hapësira të gjelbërta në partneritet me komunitetin dhe bizneset e zonës, si dhe do të pastrohen nga mbetjet lumenjtë e territorit e Bashkisë së Tiranës përgjatë gjithë rrjedhës së tyre.

“Niveli i ndotjes së ajrit në Tiranë arrin në 63.88 µg/m3, krahasuar me kufirin maksimal prej 40 µg/m3 për vendet e BE. Ne jetojmë në një qytet që është tërë kohën në alarm. Madje, disa zona si 21 dhjetori, janë më rëndë se kaq. Ja në ç’gjendje jemi sot, kurse këta thonë na jepni edhe 4 vjet se do jemi ndryshe. Po si? Sot Tirana urbane ofron vetëm 1 m2 hapësirë të gjelbërt për banor, krahasuar me standardin minimal europian prej 7m2 për banor. Por, si çdo mall i vjedhur, Tirana këto 4 vjet as është dashuruar dhe as respektuar”, deklaroi Veliaj.

Ai tha se Lulzim Basha nuk mbajti asnjë premtim nga ato që tha në vitin 2011, porse vetëm ka gënjyer. “Në 2011 Basha tha se do të dyfishojë hapësirat me gjelbërim. Ku është ky dyfishim? Te 60 lejet e ndërtimit që u dhanë këto 4 vjet? Te lejet e ndërtimit te diga e Liqenit? Këto janë lejet e Saliut dhe Shkëlzenit. Gjërat kanë një emër dhe ato duhen thënë”, u shpreh Veliaj.

5 pikat e kontratës për hapësirat e gjelbra:

Rehabilitim dhe gjelbërim i 6000 m2 hapësira publike të çliruara nga ndërtimet informale gjatë 2 viteve të fundit në Tiranë;

Rigjenerim dhe transformim i ish-zonave industriale të Tiranës në hapësira të gjelbërta dhe në shërbim të komunitetit;

Aplikim i projektit “Fasadat e Gjelbërta” me qëllim krijimin e hapësirave të gjelbërta vertikale;

Identifikim dhe shndërrim i hapësirave potenciale brenda blloqeve të banimit në hapësira të gjelbërta në partneritet me komunitetin dhe bizneset e zonës;

Pastrim nga mbetjet i lumenjve në territorin e Bashkisë së Tiranës përgjatë gjithë rrjedhës së tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat