Rama: Fushata e PD-së nuk ka lidhje me problemet e bashkisë

Shqipëria

Rama: Fushata e PD-së nuk ka lidhje me problemet e bashkisë

Më: 25 maj 2015 Në ora: 08:03

Kryeministri Edi Rama u tha dje banorëve të Divjakës se zgjedhjet e 21 qershorit janë për qytetin dhe fshatin dhe nuk mund të jenë zgjedhje politike.

Batuta e Ramës: “…Kush ka burrin demokrat, ta sqarojë dhe t’i thotë: O burrë, në 21 qershor nuk do të votojmë për të tundur shkopin e SHQUP-it, do të votojmë për kopshtin, çerdhen, shkollën, e kështu me radhë. E këto SHQUP-i nuk na i bën dot. E dyta, kur burri nuk mbush, gruaja, vajza, gjyshja, në drejtimin e duhur, vota është e fshehtë, PS-së dhe shëndet”.

Kryeministri Edi Rama u tha dje banorëve të Divjakës se zgjedhjet e 21 qershorit janë për qytetin dhe fshatin dhe nuk mund të jenë zgjedhje politike. Gjatë prezantimit të kandidatit të së majtës për Divjakën, Fredi Kokoneshi, Rama tha se vota e 21 qershorit është votë për familjen. “Zgjedhjet e 21 qershorit janë zgjedhje ku vota të investohet për tri arsye: Arsyeja e parë, për gratë. Ne sot kemi bërë një hap kolosal përpara, duke përfshirë 50% gra e vajza në këshillat e bashkive të reja dhe duke i dhënë fund një historie banale dhe qesharake diskriminimi të grave dhe duke i dhënë fund një historie ku këshillat e bashkive dhe të komunave mbushur me burra, gjysma të dehur, gjysma pa lidhje me temën dhe gjysma tjetër në lidhje me temën, po në sherr të vazhdueshëm…

Arsyeja e dytë është për familjen. Këto zgjedhje janë zgjedhje drejtpërdrejt për familjen. Pse? Sepse të gjitha këto që tha Fredi, të gjitha ato që themi ne të gjithë së bashku si nevoja, janë nevoja të familjeve… E treta arsye, zgjedhjet e 21 qershorit përveçse për gratë dhe për vajzat, që t’u japim atyre atë që e kanë merituar me kohë, por asnjëherë nuk ia dhamë dhe detyruam Çajupin e shkretë të shkruante ato vargjet e famshme, ‘burrat nën hije, lozin kuvendojnë/ pika që s’ju bie se nga gratë rrojnë”, – tha dje Rama. Sipas tij, fushata e PD-së nuk ka lidhje me problemet që duhet të trajtojë populli për të investuar votën dhe me problemet që duhet të trajtojë bashkia.

“…I vetmi drejtim është vota për kandidatët e Aleancës për Shqipërinë Europiane. E ndërkohë iu lutem të gjitha grave dhe vajzave që janë në listën e këshillit bashkiak të PS, ne jemi aleanca për Shqipërinë Europiane, jemi një aleancë që në boshtin e vet ka PS-në dhe LSI-në, që janë dy parti, por janë një forcë udhëheqëse e një koalicioni që e ka futur Shqipërinë në drejtimin e duhur dhe do ta rilindë Shqipërinë siç është zotuar. Që do thotë që të 61 kandidatët tanë janë 100% kandidatë të përbashkët. Ndërkohë që për listën e këshillit bashkiak ne kërkojmë vota veç e veç, PS, LSI dhe të gjithë të tjerët.

Unë iu lutem grave dhe vajzave që janë në listën tonë, që të bëjnë çmos që sa më shumë gra dhe vajza në bashkinë e re të Divjakës të përfshihen në këtë proces në dy mënyra: E para, kush ka burrin demokrat, ta sqarojë dhe t’i thotë: O burrë, në 21 qershor nuk do të votojmë për të tundur shkopin e SHQUP-it, do të votojmë për kopshtin, çerdhen, shkollën, e kështu me radhë. E këto SHQUP-i nuk na i bën dot. E dyta, kur burri nuk mbush, gruaja, vajza, gjyshja, në drejtimin e duhur, vota është e fshehtë, PS-se dhe shëndet. Gjatë vizitës në Divjakë, kryeministri inspektoi edhe punimet për poliklinikën e re në këtë qytetet, investim i buxhetit të shtetit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat