Kume: Harta e re do të sjellë vonesa në nxjerrjen e rezultatit

Shqipëria

Kume: Harta e re do të sjellë vonesa në nxjerrjen e rezultatit

Më: 25 maj 2015 Në ora: 07:53

Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, vlerëson punën e KQZ-së, të bërë deri tani për përgatitjen e procesit zgjedhor të 21 qershorit, ndërsa paralajmëron vonesa në nxjerrjen e rezultateve. Kume kritikon partitë që nuk bënë ndryshime në Kodin Zgjedhor, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR, si një garanci më shumë për zgjedhje me standarde.

Zoti Kume, anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në disa mbledhje janë ndarë në qëndrime sa i përket mënyrës së trajtimit të ankimimeve të subjekteve politike ndaj vendimeve të Komisioneve Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve për listat e kandidatëve për këshilltarë, nëse çështja duhet të kthehet në KZAZ apo duhet ta shqyrtonte KQZ-ja në themel. Ligjërisht, cila është procedura që duhet të ndiqet në këto raste?

Në vendimet e deritanishme nuk ka pasur shkelje të ligjit apo zvarritje, por është bërë ajo që parashikon ligji. Ligji parashikon që kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konstaton se lista për anëtarë të këshillit bashkiak nuk është në përputhje me dispozitat ligjore, ia kthen subjektit përkatës, i cili ka një kohë të nevojshme për të bërë ndryshimet apo plotësimet e duhura. Kjo nuk do të thotë që nesër, kur KQZ-ja të trajtojë çështje të tjera të vendimmarrjes së komisioneve zonale, të presim të ketë zvarritje. Kjo për faktin se në thelb çështjet janë të ndryshme. Në qoftë se KQZ-ja ndodhet para gjykimit të një vendimi të marrë nga KZAZ-ja, ajo nuk e kthen më por e hedh poshtë ose e pranon, sipas ankimimeve që mund të vijnë për vendimet e KZAZve. KQZ-ja ka të drejtën të shqyrtojë listën, ta shohë nëse ka apo jo kundërshtim me ligjin dhe t’ia kthejë pastaj institucionit që merr vendimin sepse listat e këshilltarëve kanë dy mënyra të ndryshme të të miratuarit të tyre, në varësi të njësisë. Nëse procesi zgjedhor në një bashki administrohet nga më shumë se një KZAZ, vendimmarrjen për listën e merr KQZ-ja, nëse administrohet nga një KZAZ vendimmarrjen e merr KZAZ-ja përkatëse. Nëse subjektet përkatëse kanë ankime për vendimmarrjen e KZAZ-së shkojnë ankohen në KQZ.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat