Raporti i Kanadasë: Në rrugët e Kukësit dhe Tropojës bandat të heqin brekët

Shqipëria

Raporti i Kanadasë: Në rrugët e Kukësit dhe Tropojës bandat të heqin brekët

Më: 24 maj 2015 Në ora: 21:07

Pas dy raporteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe qeveria kanadeze ka nxjerrë një raport sa i përket sigurisë dhe kriminalitetit në Shqipëri. Në të Shqipëria cilësohet një vend i rrezikshëm për të huajt dhe u bëhet thirrje që të tregojnë kujdes në disa zona të vendit. Sipas qeverisë kanadeze, bandat operojnë në Veri të vendit, sidomos në Kukës, Has dhe Tropojë. Theksi në raport është vendosur tek vjedhjet dhe grabitjet, ndërsa është thënë gjithashtu se ndërhyrjet e policisë në këto zona janë të limituara. “Tregoni kujdes në rrethet veriore të Hasit, Kukësit dhe Tropojës. Asistenca e policë dhe mbrojtja prej tyre, konsiderohen të limituara në qarkun e Tropojës dhe në qytetin e Bajram Currit, Tregoni kujdes në zonat kufitare me Maqedoninë, pasi siguria është shumë e dobët”, thuhet në raport. Sipas të dhënave të qeverisë kanadeze, shkaqet kryesore që sjellin grabitjet e dhunshme janë vështirësitë ekonomike dhe disponueshmëria e lehtë e armëve të zjarrit. Një tjetër problem shihen dhe grabitjet e lehta, sidomos në rrugë. “Krime të vogla (si xhepizmi, plaçkitje të vogla apo rrëmbim qesesh apo çantash) ndodhin shpesh, sidomos në transportin publik. Femrat në veçanti duhet të tregojnë kujdes teksa udhëtojnë vetëm. Shmangni zonat e izoluara, parqet, baret dhe restorantet në zona të largëta, sidomos natën”, janë thirrjet që Kanadaja u bën qytetarëve të saj.

Shpërthimet me tritol

Ashtu si në dy raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit, edhe në raportin e qeverisë kanadeze një shqetësim është shprehur për shpërthimet me tritol, të cilat në muajt e parë të këtij viti, por edhe një vit më parë kanë qenë të pranishme. “Përgjatë vitit 2015 ka pasur sulme me pajisje shpërthyese, duke përfshirë edhe Tiranën. Këto incidente kanë ardhur zakonisht për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme personale, biznesi apo atyre me natyrë politike”, vijohet më tej.

Minat

Sipas raportit të qeverisë kanadeze, i cili shërben edhe si një udhëzim për shtetasit e saj që vizitojnë Shqipërinë, zonat kufitare me Kosovën cilësohen përgjithësisht të rrezikshme. Sipas tij, në këto zona ka ende mina tokësore të pashpërthyera që nga lufta në Kosovë dhe për këtë arsye shtetasve kanadezë qeveria u ka bërë thirrje që të evitojnë këto territore. “Minat tokësore dhe mjetet e pashpërthyera nga lufta e vitit 1999 vijojnë të jenë prezente në kufirin me Kosovën. Këto zona janë identifikuar qartë në Shqipëri si zona të rrezikshme, ose janë të rrethuar nga kordonë të dukshme. Ndërsa destinacionet turistike nuk janë më të rrezikuara, ju duhet të kërkoni këshilla të autoriteteve lokale mbi praninë e minave të pashpërthyera”, është shprehur qeveria kanadeze. Raporti është publikuar pak kohë më parë në faqen zyrtare të qeverisë kanadeze, i cili shërben edhe si një informacion për shtetasit kanadezë që dëshirojnë të vizitojnë Shqipërinë. /sot.com

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat