Veliaj drekë me një familje: Program i detajuar për çdo lagje të Tiranës

Shqipëria

Veliaj drekë me një familje: Program i detajuar për çdo lagje të Tiranës

Më: 24 maj 2015 Në ora: 16:52

Legalizimet, shkollat me dy turne, rrugën me gropa e pa ndriçim, si dhe mungesa e hapësirave të gjelbra, janë problemet e përditshme që familjet shqiptare diskutojnë sot në tavolinën e tyre të bukës. Këto ishin edhe shqetësimet e familjes së Mentor Koçit, nga zona e ish Frigoriferit në Tiranë, e cila priti sot në një drekë familjare kandidatin e majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj. Biseda në tavolinën e bukës ishin problemet që kjo familje, ashtu si shumë familje të tjera të zonës, kanë me legalizimet dhe rrugën e pashtruar. “Këtë rrugën këtu e kemi shtruar vullnetarisht. Mblodhëm ca lekë, rreth 20 vetë, kanalet e zeza i kam punuar vetë”, u shpreh Mentor Koçi, i shqetësuar për dy nipërit e vegjël dhe mbesën e tij, të cilët kur kthehen nga shkolla me dy turne, iu duhet të përballen me rrugën e pandriçuar.

“Një nga problemet më të mëdha që kemi janë shkollat me dy turne. Më thonë shpesh, ç’punë ke që merresh me shkollat me dy turne, por Kryetari i Bashkisë për këto është, për shkollat me dy turne. Lagja këtu ka 35 mijë banorë, është rritur trefish, ndërkohë nuk janë shtuar as kopshtet, as çerdhet dhe as shkollat”, tha Veliaj. Ai u shpreh se ka vizituar çdo cep të Tiranës për t’i parë vetë problemet, por edhe për të takuar njerëzit, si dhe ka kuptuar se në këto 4 vjet Bashkia e Tiranës nuk ka vënë asnjë dorë. Veliaj preku edhe shqetësimin e madh të banorëve të zonës, siç është çështja e legalizimit, duke premtuar se pas 21 qershorit procesi do të ecë shumë shpejt.

“Unë jam me parimin se kur qeveria do, qeveria gjen gjithmonë hapësira. Ne kemi një program, ku prezantuam të gjitha problemet e Tiranës. Një grup me 80 arkitektë dhe urbanistë kanë krehur çdo rrugë, çdo rrugicë. Kemi gjetur dhe ku janë rrugët e shkatërruara, ku mungon ndriçimi, ku s’ka trotuare dhe ku nuk mblidhen plehrat. Unë besoj se këto janë gjërat praktike që duan njerëzit, nuk duan filozofinë e madhe të partive. Kemi identifikuar 246 sheshe që janë sheshe ku, ose mund të bëhet një terren sportiv, ose një qendër kulturore a rinore, ose një bibliotekë lagjeje, ose një kopësht, shkollë apo çerdhe”, tha Veliaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat