Veliaj në Zall-Bastarit: Do ndërtojmë rrugën dhe një treg të ri

Shqipëria

Veliaj në Zall-Bastarit: Do ndërtojmë rrugën dhe një treg të ri

Më: 24 maj 2015 Në ora: 13:02

Ndërtimi i rrugës së Zall-Bastarit është prioritet i kandidatit të majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, pas 21 qershorit. Në një takim me banorët e kësaj zone, e cila me reformën territoriale është pjesë e bashkisë së kryeqytetit, Veliaj premtoi ndërtimin e rrugës 3.5 km që lidh Zall-Bastarin me rrugën e Arbrit, si një mundësi për të zhvilluar gjithë zonën.

“Duhet patjetër të mbarojmë shkollën, si dhe të përfundojmë 3.5 km rrugë që na lidh me rrugën e Arbrit, si një mundësi për zhvillim. Gjithashtu, është shumë e nevojshme që të kemi një treg për të gjitha produktet e zonës, për çdo njeri që zbret nga Zall-Bastari e që duan të shesin produktet e tyre në Tiranë. Për këto gjëra konkrete do të punojmë çdo ditë, deri në 21 qershor”, deklaroi Veliaj.

Ai tha se Tirana do të ketë një pikë të re hyrëse dhe banorët e Zall-Bastarit do të kenë akses në këtë pikë të re hyrëse të qytetit, nga e cila do të përfitojnë drejtpërdrejtë. “Është më e vështirë të vish në Zall-Bastar se të shkosh në Vlorë apo në Shkodër. Për 4 vite e shkatërruan Tiranën dhe Zall-Bastarin, mendoni se duhet t’u japim edhe 4 vite të tjera? Ata s’kanë asnjë plan për fshatin. Ne e dimë saktësisht se cilat rrugë duhen rikonstruktuar dhe shkollën në Murriz që duhet ndërtuar”, tha Veliaj.

Ai deklaroi se kryebashkiaku aktual është i paaftë për të bërë ndonjë punë dhe se PD-ja i kërkon votat, jo për ta çuar vendin përpara, por premtojnë se do na çojnë atje ku ishim.

“Kushdo që punon tokën e vet dhe e sjell produktin e tij për ta shitur në Tiranë, do të marrë vetëm respekt. Në qoftë se quhesh banor i Tiranës, duhet të kesh të njëjtat shërbime kudo në Tiranë. Ne s’mund të kemi shkollë të mirë në bllok dhe një shkollë të keqe në Zall-Bastar. Nuk mund të kemi diferencime, pavarësisht se ku jeton”, vijoi Veliaj.

Duke prekur problemet e personave me aftësi të kufizuara, Veliaj tha se s’duhet harruar që bashkia aktuale dhe qeveria e kaluar i la 6 muaj pa bukë, sepse i bënë lekët fushatë. “Nuk u dhanë ndihmën ekonomike dhe tani duan që të marrin sërish votën. Njerëzit nuk janë budallenj dhe Shqipëria e ka zgjedhur rrugën: të gjithë do të shkojmë në drejtimin e duhur”, tha kandidati i mazhorancës së majtë për kryetar bashkie i Tiranës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat