​Arqimandriti: Ka vakuum ligjor, të ndryshojë edhe procesi i numërimit

Shqipëria

​Arqimandriti: Ka vakuum ligjor, të ndryshojë edhe procesi i numërimit

Më: 24 maj 2015 Në ora: 11:22

Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme dhe për Demokraci të Qëndrueshme do të angazhojë rreth 90 vëzhgues afatgjatë dhe 1 mijë vëzhgues afatshkurtër për zgjedhjet vendore të 21 qershorit.

Mirela Arqimandriti, drejtuese e projektit, thotë se puna e vëzhguesve ka nisur në fakt qysh më 22 maj ditën e nisjes zyrtarisht të fushatës elektorale.

Në një intervistë për Kosovapress, Arqimandriti shton se monitorimet e para janë bërë dhe po ashtu janë vërejtur edhe shkeljet e para, siç është edhe nisja e fushatës shumë kohë para afatit zyrtar të 22 majit. Ajo sheh me shqetësim edhe lëvizjet e ndryshme të komisionarëve në zonat e administrimit zgjedhor të cilët kanë qenë më parë të trajnuar.

"Gjatë gjithë periudhës koalicioni ynë do të shoh me shumë kujdes të gjithë fushatën elektorale të partive politike; të gjithë procedurën që do të ndiqet; dhe do ta shohim të gjithë këtë nisur nga standardet ndërkombëtare; dhe se sa ato do të realizohen kësaj radhe në Shqipëri; dhe ne urojmë shumë që Shqipëria ti përmbush standardet ndërkombëtare, të cilat janë të pasqyruara më së miri edhe në Kodin Elektoral të Shqipërisë. Ka pasur shkelje të ndryshme duke filluar që nga nisja e fushatës para kohe, para datës 22. Ka lëvizje të shumta të komisionerëve në zonat e administrimit zgjedhor. Kjo është shqetësuese sepse komisionerët e mëparshëm kanë qenë të trajnuar;por shpresojmë që gjithçka të shkojë në rregull," tha Mirela Arqimandriti.

Koalicioni ka vërejtur edhe raste të vakuumit ligjor siç është situata e paraqitur në Kurbin, ku pas dorëheqjes së kandidatit të PD-së, ka mbetur vetëm një kandidat në këto zgjedhje, dhe ai është kandidati i PS-së, ndërkohë që çështja është në Kolegjin Zgjedhor.

"Ne kemi një rast të fundit i cili ndodhi në Bashkinë e Kurbinit, ku në këtë bashki do të jetë vetëm një kandidat për kryetar bashkie, ai i PS-së. Por përfaqësuesi i PD-së do ta ankimojë këtë rast në kolegjin zgjedhor. Ajo që ne vëmë re është se ka një problem, pasi Kodi Zgjedhor, ka një vakuum ligjor dhe nuk e parashikon këtë rast. Madje vumë re që nuk parashikonte dhe raste të tjera më të rënda se sa kjo, për shembull në rastin kur një kandidat humb jetën përpara ditës së zgjedhjeve apo sëmurët rëndë. Në këto kushte afatet janë shumë të shkurtra. Kështu që KQZ është institucioni kryesor që administron procesin zgjedhor dhe të gjithë elementët e ndryshëm ai mund ti rregulloj me një udhëzim. Ne iu bëjmë thirrje partive politike dhe kandidatëve në garën elektorale që të tregojnë përgjegjshmëri, të tregojnë integritet, njohje dhe respektim të vendimeve të KQZ-së dhe të kolegjit zgjedhor,pasi situata të tilla mund të ketë gjatë gjithë procesit zgjedhor dhe ky vakuum ligjor duhet të rregullohet," tha më tej Arqimandriti.

Arqimandriti e sheh si risi dhe një hap shumë pozitiv faktin që është respektuar kuota gjinore të paktën për këshillat bashkiakë, megjithëse sipas saj është ende larg te pjesa e kandidateve femra për kryetare bashkie.

"Sigurisht që kemi një numër akoma të ulët, rreth 16 % gra si kandidate për kryetare bashkish, këtu kemi akoma më shumë punë për të bërë.Domethënë nga 61 bashki kemi vetëm 16. Por kemi tjetër hap pozitiv që qeveria jonë është e përbërë nga shumë ministre gra të cilat po bëjnë një punë të shkëlqyer, dhe kanë treguar shembuj suksesi, që janë aty njësoj si burrat të gatshme të drejtojnë një institucion të rëndësishëm. Megjithatë probleme me përfaqësimin gjinor ka dhe BE, dhe vendet e BE-së vetë, por edhe vendet e rajonit sigurisht. Ne me hapim që bëmë me këshillat bashkiak besoj se jemi mirë, edhe pse akoma nuk kemi bërë një analizë, por ju siguroj se raporti i koalicionit për zgjedhje të lira dhe të ndershme për demokraci të qëndrueshme do të jetë i përshkruar nga përkatësia gjinore dhe nga çështjet gjinore, si dhe nga çështjet e personave me aftësi të kufizuar, të dyja këto çështje janë në fokusin tonë dhe patjetër që do ketë një analizë krahasuese pasi të shohim se si do dalin rezultatet të përfaqësimit të grave," tha më tej Arqimandriti.

Pjesëmarrja e lartë në votime dhe transparenca që duhet të bëjnë partitë për financimin e fushatave të tyre janë dy elementë thelbësore të zgjedhjeve që nëse do jenë në nivelin e duhur, atëherë edhe këto zgjedhje do të shënojnë standarde më të larta për vendin.

“Pjesëmarrja e votuesve është patjetër shumë e rëndësishme në zgjedhje dhe ne i bëmë thirrje votuesve shqiptarë që pasi edhe logoja jonë për këto votime është;reago; voto dhe ndiko. Nëse ne nuk dalim në votime nuk kemi se si të ndikojmë, për zgjedhje të lira e të ndershme, për zgjedhje me standarde. Duhet ta hedhin votën pa u nisur nga bindje apo nga presionet politike por nga vullneti i tyre i lire që shpresoj se kësaj radhe të mos intimidohet. Pjesë e monitorimit tonë është përdorimi i fondeve publike i zyrave publike, përdorimi i shkollave i nxënësve nëpër mitingje dhe nëpër evente që organizojnë partitë politike në kuadrin e fushatës elektorale. Por sigurisht që ne i bëjmë thirrje partive politike që ka ardhur koha që ata duhet të jenë transparent dhe të tregojnë se nga vijnë fondet e financimit të tyre, pasi kjo do të ishte vërtet një arritje fantastike e standardeve ndërkombëtare”.

Arqimnadriti bën thirrje për arritjen e standardeve si e gjithë bota, edhe pse vëren një problem në pjesën e numërimit të votave, në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Ndryshe nga ç’ndodh në Mal të Zi, edhe në Serbi, edhe në Maqedoni, por edhe në Kosovë, ku vota numërohet në qendrën e votimit dhe rezultati del menjëherë, në Shqipëri kutitë e votimit transportohen nga qendra e votimit në qendrën e numërimit dhe kjo vonon procesin.

"Të kemi standardet që ka e gjithë bota pse jo. Ne kemi një problem të vogël në numërimin e votave sepse kutitë e votimit transportohen nga qendra e votimit në qendrën e numërimit të votave e cila mbledh disa qendra votimit brenda. Kjo gjë nuk ndodh në rajon, pasi vota numërohet në qendrën e votimit dhe rezultati del menjehërë edhe në Mal të Zi, edhe në Serbi, edhe në Maqedoni, por edhe në Kosovë, me sa kam dijeni, vota numërohet në qendrën e votimit dhe del rezultati pa u transportuar. Nuk është se dyshojmë për asgjë por nuk ka pse të transportohet në një vend tjetër; kur mbaron gjithçka ty del procesverbali dhe vota numërohet siç duhet sigurisht nën monitorimin e vëzhguesve vendorë që do të jenë aty do të jenë shumë organizata që do të vëzhgojnë kësaj radhe,” tha me tej ajo.

Koalicioni për Zgjedhje të Lira dhe të Ndershme do të monitorojë të tre fazat zgjedhore. Fushatën parazgjedhore, ditën e zgjedhjeve dhe numërimin dhe për secilën nga fazat, do të ketë konkluzione respektive. Puna e koalicionit ka nisur më 23 maj dhe se vetëm pjesa e transportimit të kutive të votimit, nga qendrat e votimit në qendrat e numërimit nuk do të jetë nën vëzhgim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat