Idrizi: Do të fitojmë katër bashki dhe do të dyfishojmë votat

Shqipëria

Idrizi: Do të fitojmë katër bashki dhe do të dyfishojmë votat

Më: 24 maj 2015 Në ora: 08:46

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet çeli dje fushatën elektorale në Pallatin e Kongreseve përpara mijëra përkrahësve të saj. Çelja e fushatës nisi me shpalosjen e programit elektoral të PDIU-së për pushtetin vendor, hartuar nga një grup pune i përbërë nga dhjetra studiues të diplomuar jashtë vendit dhe me përvojë në fushat përkatëse.

“Është kjo sallë, kjo fuqi shpirtrash njerëzor që unë shoh, e cila më bën dhjetëfish entuziast për fitoren e PDIU-së. Kjo sallë shumë motivuese, është ajo që na bën të jemi bashkë, rrugëtimi për amanetin e të parëve. Ne jemi në drejtimin e duhur dhe drejt suksesit. Jam një njeri më shumë fat, që ngjitem sërish në këtë podium se jam me motra dhe vëllezër nga gjithë Shqipëria për të çuar në vend amanetin e të parëve. Ju sot më jepni të plotë bindjen se PDIU nuk është më një parti e vogël por një parti e madhe. Është parti kombëtare, është parti e të gjithë shqiptarëve të ndershëm kudo që ndodhen, në Shqipëri, në Kosovë, në Kumanovë e kudo.”-tha z. Idrizi- “Para meje foli motra ime Vjollca Braho. E kujtoj shumë mirë kur në një sallë të vogël themeluam PDIUnë dhe ja ku jemi tani me kauzën e vendosur së identitetit dhe hartës kombëtare siç është vendosja e krahinës së Çamërisë.

Ne kemi sloganin “Ne e duam Shqipërinë”, se e duam Shqipërinë pa jug dhe veri, e duam bashkë. PDIU është e vetmja parti që ka një program të detajuar.” Ai shprehu bindjen se PDIU do të fitojë katër bashkitë ku kandidon nën siglën e ASHE-së dhe do të dyfishojë rezultatin zgjedhor në të gjithë Shqipërinë. Ai iu referua edhe reagimeve që pati fakti historik se një shqiptar i Çamërisë u zgjodh zëvendëskryetar i Kuvendit.

“Ne dje e nxorëm kalin e Trojës nga parlamenti shqiptar dhe për këtë duhet të jemi krenarë, sepse ne jemi shqiptarë dhe para atdheut dhe kombit nuk vendosim gjë tjetër. Kjo është arsyeja që e duam kombin e bashkuar”-tha Idrizi. Aktiviteti u përshëndet nga deputetët e PDIU-së, Tahir Muhedini, Aqif Rakipi dhe Omer Mamo, kryetarja e forumit të Gruas, njëherazi e para në listën e kandidatëve për Këshillin Bashkiak të Tiranës, Vjollca Braho, kandidati për kryetar bashkie i Aleancës për Shqipërinë Evropiane në Peqin, z. Sajmir Hasalla dhe kryetari i Klubit të Patriotëve të Rinj, Albano Idrizi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat