Sulmi me armë ndaj vëllait, kandidati i PD-­së, Zef Hila: Porosi e qartë politike, keqardhje që s’reagon policia

Shqipëria

Sulmi me armë ndaj vëllait, kandidati i PD-­së, Zef Hila: Porosi e qartë politike, keqardhje që s’reagon policia

Më: 23 maj 2015 Në ora: 19:01

Kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë e Vaut të Dejës, Zef Hila, ka reaguar pas sulmeve me armë ndaj vëllait të tij, duke thënë se ato nuk janë të qëllimshëm dhe janë bërë me porosi politike. Përmes një deklarate për shtyp, ai i kërkon Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit të marrin masa të menjëhershme dhe të largojnë banditët me uniformë nga Vau i Dejës.

“Shpreh keqardhjen për mos reagimin e Policisë së Shtetit pas denoncimeve të njëpasnjëshme që unë personalisht kam bërë për dhunën dhe terrorin që militantë e banditë të veshur me uniformën e Policisë së Shtetit ushtrojnë në zonën e Vaut të Dejës. Edhe pse unë e kam denoncuar për javë të tëra dhunën dhe terrorin policor, nuk është marrë asnjë masë deri mbrëmë kur u qëllua në drejtim të vëllait tim. Ky akt i rëndë dhe i paprecedent, kur një punonjës me uniformë policie përdor armën kundër vëllait të një kandidati, është rezultat i drejtpërdrejtë i qëllimit dhe misionit që i është ngarkuar policisë nga kjo qeveri”,­ thuhet në deklaratën e Hilës.

Gjithashtu ai shton se mosmarrja e masave në kohë rëndon më shumë situatën dhe e bën transparente në sytë e kujtdo se ky nuk është një rast i izoluar, por një porosi e qartë politike. “Dua dhe njëherë sot t’i kërkoj Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit dhe kryeministrit të tërheqë nga Vau i Dejës banditët e veshur me uniforma policie dhe të mos provokojë qytetarët. Shqiptarët e kanë larguar frikën 24 vjet më parë, sot dhuna dhe terrori tregojnë vetëm dëshpërim dhe mjerimin e atyre që e urdhërojnë”, ­ka thënë Zef Hila.

Më herët, Ministria e Brendshme ka njoftuar se punonjësi i policisë i denoncuar për sulmin me armë ndaj vellait të kandidatit të PD në Vaun e Dejës është shoqëruar në Komisariat dhe i është nënshtruar hetimit ku është përfshirë menjëherë edhe Prokuroria.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat